Disa muaj pas vendimit të qeverisë, Këshilli Bashkiak i Durrësit i ka dhënë dritën jeshile ndarjes së re të hapësirës bregdetare, sipas së cilës në çdo 1000 metër vijë lineare plazh që menaxhohet nga privati, 300 metër do të jetë plazh publik.

Kjo është harta, e miratuar me 35 vota pro nga mbledhja e kësaj të mërkurë e Këshillit Bashkiak, ku nuk munguan as debatet.

Ardian Muka: Me rregulloren e re, parcelat mund të merren vetëm nga hotelet; restorantet dhe baret nuk kanë të drejtë ta marrin! Pjesa tjetër, kundrejt rregullores 70:30 për ndarjen e sipërfaqeve, kemi një rënie të shfrytëzimit të saj nga hotelet? Sepse, nëse kemi rënie, atëherë kemi më pak të ardhura në qytet. 30% nuk është shpërndarë në mënyrë uniforme, përderisa u japim të drejtën hoteleve, të cilat do të zhvillojnë aktivitetin aty ku ndodhen.

Ervis Mullaj: Nuk kemi të dhëna të sakta, sepse nuk e përcakton bashkia subjektin përfitues. Ne thjesht propozojmë dhe janë organet e tjera që vendosin.

Dritan Burgija: Bashkia i jep parcelat! Jo vetëm turistët bëjnë plazh. Ka edhe qytetarë që bëjnë plazh ditor, dhe flas si qytetar dhe aplikant për stacion plazhi. Duhen përjashtuar zona të caktuara që shërbejnë si zona të pabanuara.

Po mes debateve, u miratuan edhe disa ndryshime në listat e përfituesve të banesave individuale nga procesi i rindërtimit. Opozitarët akuzuan për mungesë transparence ndërsa ngritën shqetësimin se qytetarët po përjashtohen nga e drejta e pronës dhe procesi i rindërtimit.

Në mbledhjen e kësaj të mërkure, Këshilli Bashkiak i Durrësit po ashtu miratoi edhe procedurën e shpërndarjes së subvencioneve për operatorët e transportit publik të qytetit.