Debate në Kom. e Ekonomisë
PS: CEZ e zhytur në borxhe

Debate në Kom. e Ekonomisë <br />PS: CEZ e zhytur në borxhe
TIRANE - Qeveria shqiptare do të dalë garant nëse CEZ nuk paguan faturat debitore ndaj KESH. Problemet mes KESH dhe CEZ pranohen edhe nga përfaqësuesi i Ministrisë së Financave në Komisionin e Ekonomisë Dorjan Teliti. Opozita nuk resht së denoncuari se CEZ ka 14 muaj që është e zhytur në borxhe. Sipas deputetit socialist Erjon Braçe CEZ po infekton financat e shtetit dhe për këtë duhet të merren masa ndëshkuese.

“CEZ ka vetëm një klient dhe ai është CEZ, i lëshon faturat por nuk i faturon. Qeveria ka dalë garant për CEZ, por ka 14 muaj që CEZ nuk paguan faturat. CEZ po infekton edhe financat e shtetit, duhet të merren masa ndaj CEZ”, deklaroi deputeti i PS-së, Erjon Braçe.

Pas problemit të ngritur nga CEZ se disa ujësjellës në vend janë debitorë ndaj kësaj kompanie, gjë që çoi edhe në ndërprerjen e energjisë elektrike, opozita dhe mazhoranca bien dakord që ujësjellësit duhet të paguajnë faturat.

“Borxhi i marrë nga qeveria shkon për investime publike. Shqipëria, vendi me koston më të ulët të borxhit publik në rajon. Nuk mund të vazhdojmë që pushteti vendor të marrë energji për ujësjellësin dhe mos të paguajë faturat”, u shpreh Edmond Spaho, kryetari i Komisionit të Ekonomisë.

“Buxheti i 2013 cenon çdo qytetar. Qeveria do vijë në Parlament për të marrë leje për borxhe. Ky buxhet e promovon krizën. Qeveria nuk e di sa do jetë borxhi që KESH do marrë për të blerë energjinë. Ky buxhet është i pasigurt. CEZ nuk mund të lejohet që vetëm të marrë lekë dhe mos të japë”, deklaroi Arben Ahmetaj, deputet i PS-së.

Përsa i përket buxhetit të vitit 2013 nuk kanë munguar edhe debatet mes të dyja palëve. Ahmetaj e ka quajtur një buxhet të pasigurt, pasi qeveria flet me fantazi, ndërsa opozita flet me fakte.

“Buxheti nuk është në gjendje të bëjë investime. Ne flasim me fakte, qeveria flet me fantazi. Nëse në vitin 2004 ke pasur investime me financim të brendshëm 27.9 miliardë, sot e ke 24.2 miliardë. Deficiti shkon nga 41.1 miliardë në 48.9 miliardë lekë, pra i bie 5 miliardë më shumë do të jetë deficiti i vitit 2013”, tha Ahmetaj.

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?