Debate në Vlorë, deputetët e PS 
 akuza Kokëdhimës për shkelje

Debate në Vlorë, deputetët e PS <br /> akuza Kokëdhimës për shkelje
TIRANË - Debati i nisur në Kongresin e Partisë Socialiste, ku një grup delegatësh kundërshtuan kandidimin e Koço Kokëdhimës në Asamble, ka vazhduar dje në Vlorë gjatë një takimi me strukturat bazë të partisë për rajonin e jugut. Në një mbledhje që ka zgjatur plot 6 orë, prej orës 11:00-17:00, burime për gazetën Shqiptarja.com, bëjnë me dije se deputetë të qarqeve Vlorë dhe Gjirokastër kanë akuzuar Kokëdhimën për protagonizëm të lartë në parti, si dhe thanë se ai ka përjashtuar të gjitha strukturat ekzistuese të partisë, për t’i zëvendësuar krejtësisht me të reja, në kundërshtim me statutin.

Një prej kritikëve, ka qenë deputeti i Tepelenës, Dashamir Kamberi i cili ka ngritur shqetësimin e mosrespektimit të të vjetërve. “Unë jam shumë dakord që prurjet  e reja duhet të kenë prioritet, ama kjo nuk duhet bërë duke anashkaluar strukturat e vjetra. Ajo që po bëhet sot nuk është e ndershme në raport me njerëzit e partisë që kanë kontribuar ndër vite. Me keqardhje vërej se në këtë proces ristrukturimi, strukturat e vjetra të partisë janë nënvlerësuar, nuk janë respektuar, dhe nuk është e tepërt të them që edhe janë përjashtuar.

Struktura pasurohet, dhe përmirësohet, por s’mund të ikin të gjithë e të vijnë ca të tjerë”-mësohet se ka thënë Kamberi. Po ashtu, fjalën e ka marrë edhe deputeti më kritik ndaj Kokëdhimës, Fatmir Toçi, i cili ka ngritur disa shqetësime që sipas tij kanë të bëjnë me shkelje të statuti. “Së pari, unë do të kisha preferuar një mbledhje më të ngushtë, ku ne si shtab drejtues, grup deputetësh të mund të zgjidhim problemet që kemi me njëri-tjetrin. Nuk mund të mohoj punën e mirë që është bërë gjatë gjithë kësaj kohe me prurjet e reja në parti.

Ajo që është bërë keq, dhe në kundërshtim me të gjithë normat statusore, është përjashtimi i anëtarëve të vjetër të partisë. Ata njerëz kanë kontribute 25 vjeçare dhe kanë dhënë fitore kësaj partie. Ato nuk mund të konsiderohen si një bandë, dhe të zëvendësohen me një bandë tjetër. Ka një shqetësim tjetër, lidhur me zgjedhjet për në Asamble, Kongres dhe në këshillat socialistë. Koordinatori ynë futi emrin për votim kundër statutit duke marrë një rol protagonist të tepruar, e duke mohuar dikujt tjetër të ishte në asamble apo kongres si anëtar i thjeshtë.

Sikur të mos mjaftonte me kaq, statuti përsëri është shkelur. Më shumë se gjysma e anëtarëve të zgjedhur në Asamble, janë bërë anëtar parti në shkurt, ndërkohë që statuti i ri dhe ai i vjetër kushtëzojnë mandatin me të paktën 3 vjet anëtar partie. Këta që ne kemi zgjedhur nuk janë më shumë se 3 muaj anëtar partie. Normat duhen zbatuar. E njëjta gjë edhe për të zgjedhurit për këshillat socialistë”-tha Toçi. Në përgjigje të këtyre akuzave, Koço Kokëdhima është mbrojtur me argumentin se gjithçka është bërë për të mirën e partisë. “Unë e kam këtu edhe statutin e vjetër edhe atë të riun. Të dy e kanë të parashkruar se partia është e hapur ndaj prurjeve të reja.

Tani, ne jemi përpjekur të zgjedhim njerëzit më të mirë, më të arsimuar, më të ndriçuar, më të spikatur e më energjikë. Tani nuk do rrimë gërmë për gërmë, për çdo hap që hedhim të lexojmë statutin. Qëllimi i statutit është të bëjë më të mirën për partinë, dhe vajzat e djemtë që ne kemi zgjedhur, janë më të mirët për partinë dhe për Shqipërinë”-mësohet të ketë thënë Kokëdhima. Më neutrale ka qenë në qëndrimin e saj, deputetja Valentina Leskaj.

“Pavarësisht debateve të brendshme, partia duhet të unifikohet dhe të përqendrohet në punën e saj sepse shumë shpejt ne do të jemi, pas një viti, në një përballje me Sali Berishën”-ka thënë Leskaj, e cila për këtë deklaratë ka marrë një përgjigje nga deputeti i Gjirokastrës, Vladimir Kosta. “Nuk jam dakord me atë çfarë tha më parë zonja Leskaj se ne kemi përballë Sali Berishën. Në fakt ne kemi përballë LSI-në dhe për këtë duhet të qartësohemi dhe të fokusohemi në punën tonë të përditshme”,-ka thënë Kosta.


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot