Është shoqëruar nga debatet mbledhja e Këshillit të Mandatit, ku do vendoset për imunitetin e Saimir Tahirit. Deputeti Enkelejd Alibeaj ka kritikuar kolegët e tij në mbledhje, duke iu kërkuar të bëjnë pyetje që lidhen me çështjen.

Ka qenë drejtuesi i mbledhjes, Gramoz Ruçi që e ka ndërprerë, duke i thënë se debatet i vijojnë pastaj dhe se duhet t’i lënë radhën mbledhjes.

Alibeaj: Duhet të kemi parasysh disa limite kur bëjmë pyetje. Pyetjet e kolegut i drejtohen Prokurorisë, duke futur në themel të çështjes sa dosje ka. Kjo është çështje që diskutohet në gjykatë, këtu shqyrtohet vetëm një gjë, a ka një kërkesë drejtuar Kuvendit? A ka nisur një procedim penal nga Prokuroria. Zotërinjtë që janë atje a janë prokurorë apo jo? Çështja fsheh dhe diçka tjetër, nëse keni marrë përsipër të bëheni avokatë të Tahirit, ai ja ku i ka avokatët. Ne duhet të jemi seriozë me rregulloren dhe Kushtetutën. Ndryshimin kushtetues që kemi bërë për të hapur mundësitë e mëdha është momenti ta konkretizojmë sot.

Ruçi: Duhet të flasim brenda problemit. Ne nuk mund të mësojmë njëri-tjetrin nëse është pyetje kjo apo ajo.

Alibeaj: Mos bëni avokatin e Tahirit.

Ruçi: Të lutemi, debatin do ta bëjmë pastaj. 

d.c./shqiptarja.com