Debati filloi në Komisionin e Medias dhe vijoi në çdo komision tjetër parlamentar. Albana Vokshi kërkoi që socialistët të distancoheshin nga qeveria e krimit. Në komisionin e Ligjeve, PD u largua pasi me ironi kërkoi që ligji për ndihmën juridike të konsultohej më së pari me Habilajt.
"Koleg të nderuar distancohuni, dorëzoni mandatet, një pjesë të votave i keni të blera me parat e krimit dhe të drogës, dorëzoni mandatet, dorëzo portofolin e ministrit. Na ka marrë më qafë kjo qeveri e krimit, ka marrë më qafë fëmijët shqiptarë,” tha deputetja e PD-së, Albana Vokshi.
"Nuk ka asnjë diskutim, as në vitin 1992 në këtë parlament, as në 97-ën, as në 96- ën, nuk ka asnjë diskutim më të rëndësishëm se buxheti”, tha Musa Ulqini (deputet i PS).
Edhe në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese PD e barazoi buxhetin e bujqësisë me bisedat e Habilajve në ngarkim të Saimir Tahirit. Qysh prej publikimit të dosjes së Habilajve, PD ka vendosur këtë marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin. "Sugjerimi i Eduart Halimit ishte i mirë, këtë diskutim duhet tia cojm për opinion edhe grupit të Habilajve, mund të na japin ndonjë opinion, për procedur, e dyta. E gjitha ajo që kemi parë ne sot është e gjitha si ju, keni bërë çmos për ti dhënë ndihmë këtyre personave të lidhur me mafian", tha deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi.
"Kjo shumë që ne po diskutojmë sot, është as më shumë e as më pak, sa 1 % e asaj që europoli sot, vlerëson se xhiroja e kanabisit të mafias shqiptare, 1 %. Kjo shumë nga e cila ju jeni të kënaqur, është sa ajo shumë që skafistët, kjo është shuma që ai trafikanti thoshte se i duhet ministrit në një qark, rreth 20 milion euro”, u shpreh deputeti i PD-së, Florion Mima.
"Të jetosh tetë vjet në qeveri, duke pasur një bazë si ajo e lazaratit, dhe të mos ketë kurajën asnjë ministër, asnjë deputet, i PD-së dhe sot të ngresh alarmin, më duket krejtësisht e padrejtë”, shpjegoi deputeti i PS-së, Eduart Shalsi.
Redaksia Online
I.Q,Xh.F /Shqiptarja.com