DEBATET/ Topalli-Bashës: Disa
kryetarë shitën zgjedhjet në 2013

DEBATET/ Topalli-Bashës: Disa<br />kryetarë shitën zgjedhjet në 2013
TIRANE - Mbledhja e djeshme me dyer të mbyllura e grupit parlamentar të Partisë Demokratike e cila zgjati më shumë se dy orë, është shoqëruar sërish me debate, duke rikthyer edhe njëherë përplasjet mes deputetëve dhe kryetarëve të degëve.

Grupi i PD nuk mblidhej prej 3 javësh, gjë e cila nuk është pritur mirë nga deputetët Jozefina Topalli dhe Arben Imami, por kryetari demokrat Lulzim Basha u është përgjigjur se deputetët janë në terren, pasi pikërisht prej 3 javësh po zhvillohet analiza në degë. I drejtpërdrejtë ka qenë edhe ish kryetari i PD, Sali Berisha kur ka deklaruar se demokratët ende nuk janë një alternativë bindëse, pasi sipas tij, qytetarët nuk kanë besim tek PD.

Ai kërkoi zbarkim të deputetëve në bazën elektorale, për t’i bindur qytetarët për alternativën demokrate. “Është shumë e rëndësishme që ne të ndërtojmë një alternativë bindëse dhe të besueshme përpara qytetarëve shqiptarë”, mësohet të ketë deklaruar Berisha, ndërsa ka shtuar se insiston sepse zgjedhjet mund të zhvillohen në çdo moment. “Pse e them këtë? Sepse PD duhet të jetë e gatshme të vijë në pushtet në çdo kohë...”.

Nga ana tjetër, ish nënkryetarja e PD, deputetja e Shkodrës, Jozefina Topalli ka kritikuar sërish drejtuesit lokalë. Sipas saj, lidershipi demokrat duhet të rishohë pozicionin e kryetarëve të degëve. Topalli e ka lidhur pretendimin e saj me akuzat në 2013-ën mbi disa prej tyre, për shitjen e zgjedhjeve.

“Ka kryetarë degësh të cilët në 2013-ën i kemi akuzuar se kanë shitur zgjedhjet. Duhet të jemi më të vëmendshëm ndaj të shkuarës së drejtuesve lokalë, të rishikohet pozicioni i tyre”, ka thënë Topalli. Gjithashtu, në mbledhjen me dyer të mbyllura, janë përfshirë në debate edhe deputetët Astrit Veliaj, Mhill Fufi dhe Kastriot Islami. 

Debatet
 
Sali Berisha: Z.Kryetar, dua të ngre një shqetësim se deputetët dhe drejtuesit lokalë nuk janë sa duhet të pranishëm në terren për t’i bindur qytetarët për alternativën demokrate dhe për t’u qëndruar në krah ndaj frikës që po mbjell kjo qeveri. Kjo po ndodh thuajse në të gjithë vendin. Është shumë e rëndësishme që ne të ndërtojmë një alternativë bindëse dhe të besueshme përpara qytetarëve shqiptarë. Pse e them këtë? Sepse PD duhet të jetë e gatshme të vijë në pushtet në çdo kohë...
 
Jozefina Topalli: Dy vite më parë zhvilluam zgjedhjet në parti dhe vazhdoj të ndaj mendimin që në krye të degëve ka njerëz të cilët nuk e meritojnë vendin. Ka kryetarë degësh të cilët në 2013-ën i kemi akuzuar se kanë shitur zgjedhjet. Duhet të jemi më të vëmendshëm ndaj të shkuarës së drejtuesve lokalë, të rishikohet pozicioni i tyre.
 
Arben Imami: Jo vetëm në bazë, por produktivë në radhë të parë duhet të jemi në grupin parlamentar. Prej disa javësh nuk mblidhet grupi parlamentar. Mendoj se duhet të koordinojmë aksionet si brenda ashtu edhe jashtë parlamentit.
 
Jozefina Topalli: Ka 3 javë që grupi parlamentar nuk mblidhet. Partia duhet të funksionojë me rregulla. Pastaj, kam patur rezerva për zgjedhjet e FRPD. Duhet një proces filtrimi për kandidatët për kryetar të Forumit Rinor dhe këtë pjesë s’duhet t’ia lëmë rastësisë.  
 
Lulzim Basha: Deputetët kanë qenë në terren. Ka 3 javë që ka nisur procesi i analizës.
 
Astrit Veliaj: Mendoj se partia duhet të hyjë në një proces zgjedhjesh të parakohshme, sepse është shkelur statuti thuajse në të gjitha pikat. S’është ndonjë kiamet i madh të bëhen edhe njëherë zgjedhjet. Në mënyrë që edhe shkeljet të mos bëhem më. Ky është mendimi im personal.
 
Lulzim Basha: Besoj se procesi i analizës ka nxjerrë tashmë në pah se ku kemi çaluar. Dhe gjatë kësaj periudhe si unë ashtu edhe deputetët jemi në komunikime dhe kontakte të vazhdueshme me qytetarët. Unë kërkoj nga të gjithë ju zotërinj deputetë, që të dëgjoni zërin e qytetarëve dhe njiheni nga pranë me shqetësimet e tyre. Jam plotësisht dakord që duhet të rrisim besueshmërinë te qytetarët. 
 
Sali Berisha: Padyshim, se zgjedhjet vërtetë janë pas 2 viteve, por mund të zhvillohen edhe më shpejt...Duhet të jemi të përgatitur për çdo rast.
 
Astrit Veliaj: Pastaj, të dërguarit nga kryesia si koordinatorë të zgjedhjeve, duhet të rishikohen, dhe të përcaktohet delegimi i tyre sipas njohjes që kanë në zona. Të mos vijnë më nga Tirana, sepse sjellin vetëm intriga dhe mashtrime.
 
Kastriot Islami: Të nisë një proces matje vlerësimi për gjithsecilin. Një vlerësim kontributesh për secilin.
 
Mhill Fufi: Shqetësimi im është për degën e PD në Kurbin. Aty zgjedhje nuk pati, tashmë kemi qëndrimin tonë se çfarë ndodhi në 21 qershor, por të paktën të organizohet dega e PD. Se është zonë e djathtë dhe të mos vijnë socialistët të na marrin elektoratin.
 
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Zjarret e furishme në Greqi, Shqipëria i shkon në ndihmë me 30 efektivë zjarrfikës dhe 5 mjete: Do qëndrojnë deri në stabilizimin e situatës

Zjarret e furishme në Greqi, Shqipëria i shkon në ndihmë me 30 efektivë zjarrfikës dhe 5 mjete: Do qëndrojnë deri në stabilizimin e situatës