Si nisi debati mes PS e familjes së kryeministrit për biznesmenin pakistanez?
Që në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar ishte deputeti i PS Taulant Balla, ai që ka akuzuar vajzën e kryeministrit, Argita Malltezi në lidhje me korrespondencën e saj me një biznesmen pakistanez, sipas të cilës angazhoheshin dhe ambasadori ynë në Arabinë Saudite që të ndërmjetësonin përmes studios ligjore të saj një investim prej 100 milionë euro në energjinë elektrike.

Si u zbulua ky rast dhe u realizua investimi?
Deputeti Balla zbardhi disa e-maile ku shihej korrespondenca mes biznesmenit Ansar dhe ambasadorit Banaj për ndërmjetësim. Por ky investim nuk u realizua për shkak se biznesmeni pakistanez nuk pranoi të blinte tokën që ofroi Argita dhe as të paguante 3 % të investimit. Një gjë të tillë ai e deklaroi publikisht në media.

Po vajza e kryeministrit e pranoi faktin se ka qënë në negociata?
Vajza e kryeministrit e ka pranuar faktin se ka bashkëpunuar studio e saj ligjore me biznesmenin pakistanez konform ligjit, pa rënë dakort për termat në detaje, duke sjellë mosrealizimin e këtij projekti. Ajo thotë se akuzat janë për efekte politike.

(ad.ti/shqiptarja.com)