Pasditen e 7 majit, Konstantin Vogli ndaloi të blejë një paketë cigare në Sarandë. Sapo u kthye gjeti brenda makinës së tij, burrin e tezes, Viktor Ruçim. I kërkoi të dalë, dhe e pyeti nëse i ka ndonjë borxh. Jo më kot kjo pyetje. Ruçi, kishte kohë që pretendonte se 31-vjeçari kishte për t’i shlyer bashkëshortes së tij një shumë parash për punën e kryer në sezon, në restorantin e të riut, në një nga zonat më të bukura bregdetare në Sarandë, në Krorëz.

Duke parë insistimin e burrit të tezes i cili kërkonte një kafe për sqarim, 31-vjecari, Vogli, shkoi në shtëpi të thurë planin e takimit të më vonshëm me Ruçin.  Me vete mori vëllain dhe mikun e tij Lulëzim Tabaku, dhe 3 shkopinj, çka tregon synimin për ta dhunuar.

Kostandin Vogli: Me makinën “Porsche” jemi nisur për në Gjashtë për të takuar Viktorin. Kur po bisedonim, miku im Lulëzim Tabaku na tha: ‘Para nesh po na presin edhe makina të tjera’. Unë isha para me makinë, Lulëzimi ishte me motor pas meje dhe makinat e tjera na ndoqën, të cilat unë nuk i njihja se kush ishin. Unë isha makina e parë dhe kam ndaluar te hyrja e lokalit të të ndjerit Rexhep.

Vogli tregon daljen jashtë kontrollit të konfliktit, të cilin e nisi vetë.

Kostandin Vogli: Aty kam zbritur bashkë me vëllain, me shkop në dorë dhe e kam sharë dhe goditur me shkop, por nuk e ka zënë shkopi. Në përleshje e sipër, dëgjova një të bërtitur: ‘Nori, kallash!’ Kam shkuar në drejtim të rrugës dhe kam ndier që u godita në këmbë.

Sipas hetimeve, personi me kallash rezultoi të jetë pronari i karburantit, Rexhep Ismaili. Arma u gjet e fshehur më tej nga policia, episod për të cilin në gjendje të lirë, po hetohet vëllai i tij.

Personin që i mori jetën Rexhep Ismailit, të ndjekrin që sipas hetimeve të deritanishme, nuk kishte asnjë lidhje mes konfliktit mes palëve, duket ta ketë parë, Viktor Ruçi.

Viktor Ruçi: Vijnë dy makina para lokalit, dhe shikoj që nga makina e parë del Kostandini me vëllain Margaritin dhe u drejtuan drejt tavolinës me shkopinj në dorë. Në atë moment kam parë një person të tretë, i cili ishte me pistoletë në dorë dhe ma drejtoi në një largësi rreth 3 metra.

Nga hetimet e deritanishme, personi që qëlloi për vdekje, pronarin e karburantit, është Lulëzim Tabaku, i shpallur në kërkim.

Për ngjarjen, Gjykata la në arrest me burg, 31-vjecarin Konstandin Vogli, i cili mbeti i plagosur në përplasje, ndërsa për burrin e tezes së tij, Viktor Ruci, u caktua arrest në shtëpi.