Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për 31-vjeçarin Kostandin Vogli, i cili ndodhet i shtruar në spitalin “Petro Nako” në Sarandë, nën masa sigurie, pas plagosjes me armë zjarri në këmbë. Seanca për të u zhvillua në ambientet e spitalit, ku prokurorja e çështjes, Armida Kaçi, kërkoi masën “arrest në burg” për akuzat “Moskallëzim i krimit”, “Shkatërrim i pronës” kryer në bashkëpunim dhe “Kanosje” e kryer në bashkëpunim.

Gjyqtari Mikel Hysometaj pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën “arrest në burg” ndaj Voglit. Megjithatë, Gjykata mbajti një qëndrim të ndryshëm nga Prokuroria sa i përket cilësimit juridik të ngjarjes. Sipas Gjykatës, mbi bazën e akteve të paraqitura deri në këtë fazë, fakti juridik duhej të cilësohej si “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Moskallëzim i krimit” dhe “Shkatërrim i pronës” kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, Gjykata ka lënë në fuqi masën “arrest në shtëpi” për 50-vjeçarin Viktor Ruçi. Ai ishte ndaluar nga policia ditën e shtunë, pasi më herët ndaj tij ishte caktuar kjo masë sigurimi për veprën penale “Moskallëzim i krimit”. Gjatë seancës për verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës, gjyqtari Hysometaj vendosi që Ruçi të vijojë të qëndrojë në banesën e tij në fshatin Gjashtë të Sarandës, pa të drejtë largimi.

Ngjarja e rëndë lidhet me konfliktin mes Kostandin Voglit dhe Viktor Ruçit për një shumë parash të pretenduar të papaguar për punësimin e bashkëshortes së Viktor Ruçi në lokalin e Kostandin Ruçit në plazhin e Krorëzës.

Ky konflikt dyshohet se përshkallëzoi fillimisht në përplasje me sende të forta dhe më pas në përdorimin e armës së zjarrit, duke çuar në vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, mbrëmjen e 7 majit në Gjashtë të Sarandës.