Partia Demokratike po shkon drejt tkurrjes dhe falimentimit politik për shkak të mungesës së alternativës dhe garës së brendshme, ndërsa protestat kundër qeverisë Rama nuk po prodhojnë rezultat. Ky ishte konkluzioni i analistit Fatmir Merkoçi në emisionin “Studio Live” në Report TV, ku u diskutua situata brenda opozitës dhe gara për drejtimin e PD-së. Sipas tij, PD ka humbur identitetin politik dhe është kthyer në një forcë që prodhon vetëm propagandë, pa ide dhe pa kauzë konkrete për qytetarët.
“PD ka humbur ideologjinë e saj. Kjo sjell mungesën e alternativës dhe kauzës. Deri tani nuk kemi parë asnjë kauzë, asnjë lloj alternative por vetëm propagandë. Nga njëra protestë në tjetrën, Berisha deklaron që Rama nuk ikën me protesta. Si kërkohet kjo vota e lirë kështu? Kjo është propagandë. Popullin partitë politike nuk e nxjerrin dot në rrugë. Asnjë qeveri në botë nuk bie me protesta politike. Është rrugë e gabuar. Vazhdohet me këtë rrugë dhe pas çdo proteste Berisha del e flet për ‘kilometrin e fundit’, ” tha Merkoçi
Merkoçi kritikoi edhe mënyrën se si opozita po përdor protestat, duke theksuar se “asnjë qeveri në botë nuk bie me protesta politike” dhe se kjo strategji vetëm sa po e dobëson më tej PD-në.
Nga ana tjetër, ish-deputeti Kujtim Gjuzi i cili vazhdon ta quajë Sali Berishën ‘një Skënderbej i dytë’, kërkoi që zgjedhjet në PD të zhvillohen me garë, ndonëse sipas tij Sali Berisha mbetet favorit. Gjuzi i bëri thirrje Berishës të hapë procesin dhe të mos futet i vetëm në garë për kreun e partisë, duke e konsideruar këtë të rëndësishme për demokracinë brenda PD-së.
‘Doktor hape garën. Demokracia nuk e lë garën vetëm’ tha Gjuzi, duke sugjeruar Merkoçit që t’i bashkohet garës së 23 majit për zgjedhjen e kreut të PD-së.
‘Mos e lër Doktorin vetëm. Mos e lër PD-në vetëm’ i tha Gjuzi Merkoçit në një apel që ngjante më shumë me një lutje.
Por Merkoçi refuzoi, duke deklaruar se PD nuk është më një parti e djathtë dhe se mungesa e prodhimtarisë politike po e çon drejt falimentimit.
“Nuk dua. Ajo parti nuk është parti e djathtë. Fatkeqësia e të gjitha partive politike është se duke mos prodhuar politikë nuk prodhojnë asgjë. Në PD nuk ka prodhimtari, ndaj po falimenton. Nuk ka garë në PD. Kjo parti vetëm po rrudhet dhe tkurret”, tha Merkoçi.
Komente











