Protesta kundër projektit turistik në Zvërnec ishte në qendër të debatit në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, ku deputeti i PS-së Erion Malaj dhe ish-deputeti Ralf Gjoni ofruan dy lexime të ndryshme për atë që po ndodh prej 11 ditësh në rrugët e Tiranës

Megjithëse të dy pranuan se protesta nisi nga kundërshtimet ndaj projektit, interpretimet e tyre për zhvillimet që pasuan pas akterve të dhunës në Zvërnec ishin diametralisht të kundërta.

Malaj ishte i kujdesshëm në dallimin që bëri mes qytetarëve që protestojnë dhe grupeve që, sipas tij, po tentojnë ta përdorin protestën për objektiva të tjera. Deputeti socialist e cilësoi legjitime kërkesën për transparencë mbi projektin e Zvërnecit, por argumentoi se protesta po largohet nga qëllimi fillestar.

“Në parim, protesta është një e drejtë demokratike që i takon çdo qytetari i cili gjykon se ka një arsye për të protestuar. Unë nuk shoh asgjë të keqe. Protestat demokratike në një vend si Shqipëria janë diçka që sjell të mira dhe pozitive në përfundim të saj. Ne kemi theksuar se ka disa elementë të kësaj proteste... në protestë ka njerëz që siç janë në të drejtën e tyre që të kenë kërkesa, ashtu edhe përfaqësojnë komunitete të caktuara. Aty kemi prindër me fëmijë, të rinj e të reja por ndërkohë kemi edhe elementë të tjerë që nuk kanë lidhje me atë protestë” tha Malaj.

Malaj foli edhe për për interesa që, sipas tij, nuk e duan realizimin e investimit 4 miliard dollarësh në Shqipëri dhe shprehu shqetësim që një  'protestë qytetare në Shqipëri për çështje dhe luftra të tjera që nuk i takojnë vendit tonë.

“Ky është shqetësimi që ne kemi ngritur, sepse kjo protestë po merr trajta të tjera nga ajo që nisi dhe në padrejtësi po përdoret nga elementë edhe me konotacion negativ, sicc është Irani që na përdor si një shembull kundër investimeve të huaja në Europë. Nuk mundet që një protestë paqësore e qytetarëve në të drejtën e tyre, të përdoret nga elementë të tjerë. Kemi parë që ka elementë me qëllime të ndryshme nga fillestarët. Nuk po flasim më për ambient apo investim por ka tejkaluar në kërkesa politike. Duhet kuptuar a janë elementë politikë ata që kërkojnë apo jo? Nuk duhet të gjithë njerëzit të kategorizohen njësoj. Aty ka qytetarë të denjë të kësaj republike që gjykojnë që ka nevojë për protestë e shumë mirë bëjnë që protestojnë. Por duhet ditur çfarë kërkohet, sepse kërkesat demokratike kanë një qëllim, ka një rrugëtim që ndiqet, kanë një fund dhe një vijë llogjike. Nuk mund të kërkosh dorëheqje 1 vit pasi i ke dhënë shumicën PS dhe Edi Ramës. Protesta nisi me të drejtë për të pasur transparencë mbi një projekt madhor si i Zvërnecit. Kjo duhet bërë, duhet transparencë dhe diskutuar ccdo gjë që qytetarët të kenë qartësi.  Në këtë protestë janë interesat e të gjitha vendeve në rajon dhe jo vetëm, interesa të vendeve që nuk duan që ky investim të vijë në Shqipëri. Pjesëmarrja e lajmit në media ndërkombëtare është bërë në mënyrë masive. Kjo nuk po bëhet se duhet tu japin vëmendje kërkesave të qytetarëve, madje titujt e këtyre mediave e lidhin me familjen e Trump. Pra po përdoret një protestë qytetare në Shqipëri për çështje dhe luftra të tjera që nuk na takojnë ne. Dashje pa dashje, ajo mund të dëmtojë turizmin në vend dhe të trembë investitorët. Por, ne jemi të vendosur tu shkojmë investimit deri në fund, me gjithë ato kërkesa të qytetarëve që kërkojnë transparencë dhe standarde dhe parimet mjedisore” tha Malaj

Por Ralf Gjoni e kundërshtoi këtë qasje. Për të, protesta nuk mund të zvogëlohet te debati për resortin apo te emri i familjes Trump. Ish-deputeti argumentoi se tubimet janë shndërruar, me të drejtë sipas tij, në një shprehje të pakënaqësisë më të gjerë ndaj qeverisë Rama dhe mënyrës së qeverisjes në vend apo skandaleve si ai i Belinda Ballukut.

“Më vjen të shkul flokët kur dëgjoj fjalë të tilla nga një deputet i Shqipërisë, sepse mendoj që sot, në këto momente, ka ardhur koha, që vetë deputetët e PS të hapin sytë e të shohin çfarë   po ndodh në Shqipëri. Nuk ka lidhje me Trumpin. Trump është fasadë. Protesta është një fasadë që u nis nga disa grupime, emrat e të cilëve nuk i njohim. Rama në fillim mendoi se do e kishte nën kontroll por siç u pa kjo protestë ka dalë jashtë kontrollit dhe Rama i ka ditët e numëruara. Kjo protestë është shprehje e pakënaqësisë së një populli që ka toleruar 4 mandate, një pushtet arrogant, shpërfillës, të kriminalizuar, të korruptuar. Rama ka kaluar disa vija të kuqe. E fundit ishte Belinda Balluku. Europianët dhe amerikanët nuk do ia falin këtë shpërfillje dhe karshillëk. Unë do i jepja një këshillë miqësore Malajt, që të mendoni se çfarë do ndodhë në vazhdim. Rama nuk rri gjatë. Do jetë një dhuratë e hidhur për ditëlindjen e tij. Kjo protestë nuk është për flamingo. Patjetër mund të ketë 2-3 kokrra që mund të duan ta përdorin. Nuk ka shpirt më fisnik se ai që kam parë në rrugët e Tiranës” tha Gjoni.

Gjoni tha se protesta nuk e dëmton sezonin turistik të vendit, sepse ajo është shumë ndryshe nga protestat ‘e shëmtuara dhe të ndyra’ të militantëve të PD-së të armatosur me molotovë.  Ai tha se Rama duhet të japë dorëheqjen dhe një qeveri e re teknike duhet të ndërmarrë debatin për një reformë të mirëfilltë zgjedhore .

“ Ka pasur shumë turistë, ka shumë të huaj në protestë. Shyqyr që kemi një protestë jo të shëmtuar si ato protestat e ndyra të militantëve të PD që hidhnin bomba molotovë, por kemi një protestë qytetare me fëmijë, familje, njerëz të shqetësuar për të ardhmën. Deputetët e PS-së sot duhet të kishin bërë interperlancë të vecantë. Si mund të bëhet një projekt i tillë në Pish Poro dhe Sazan, një ishull strategjik që të kthehet në përdorim privat të disa investitorëve të lidhur me Ivanka Trumpin që i referohet ishullit si privat. Ku e gjeti Ivanka Trump të drejtën t’i referohet si ishull privat? Dikush do ia ketë thënë asaj. Pse nuk ka pasur konsultim me publikun? Rama thotë QË NUK ka pasur projekt, tani del që ka projekt. Rama është në hall.  Deputetët e PS-së përpara se të përfundojnë në kosha plehrash, t’i thërrasin mendjes e ti bëjnë thirrje kryeministrit të japë dorëheqjen, të bëhet një qeveri teknike e të përgatitet terreni për një kod të ri zgjedhor. Qeveria duhet të bjerë  Duhet një qeveri teknike pa Ramën dhe Berishën, Duhet të nisim debatin për reformën zgjedhore jo me ndihmën e OSBE-së dhe të këtyre të tjerëve por të bëjmë një sistem të drejtë” tha Gjoni.,

Ndryshe nga Gjoni, deputeti socialist  insistoi se çdo ndryshim politik duhet të vijë përmes votës, duke i kujtuar Gjonit se mazhoranca ka marrë besimin e qytetarëve në zgjedhje.

“Lidhur me kërkesat e një pjese të qytetarëve, duhet reflektim nga qeveria dhe shoqëria. Sa i përket gjërave të tjera., unë mendoj që është kthyer në një protestë fatkeqësisht me elementë politikë. Nuk bie dakord me Gjonin. Ajo protestë nisi si qytetare dhe fatkeqësisht po përdoret. Të gjitha ndryshimet që propozon Gjoni ndodhi vetëm me votë. Nuk mund të kërkosh 1 vit pasi ke marrë 83 mandate,  dorëheqjen e kryeministrit” tha Malaj.

Por Gjoni i tha Malajt se protesta është tregues se një pjesë e shoqërisë po kërkon më shumë sesa thjesht përgjigje dhe transparencë. Sipas tij, pjesëmarrja në rritje dhe zgjerimi i kërkesave të protestuesve tregojnë se çështja e Zvërnecit nuk është më e vetmja arsye që po nxjerr qytetarët në rrugët e Tiranës.