Arrestimet e bujshme të politikanëve të lartë, masat e sigurisë ndaj tyre dhe mënyra si po zhvillohen proceset në GJKKO u kthyen sot në Report TV në një debat mbi vetë standardin e drejtësisë shqiptare.
Nëse për një pjesë të opinionit publik SPAK po godet më në fund korrupsionin në nivelet më të larta, kritikët paralajmërojnë se drejtësia rrezikon të perceptohet si selektive, e politizuar dhe e fokusuar më shumë te efekti publik sesa te procesi i rregullt ligjor.
Kjo ishte edhe tema e diskutimit në emisionin “Sot Live” në Report TV, ku ish-kandidatja për deputete në PD, Ilirjana Kuçana, dhe avokati Edmond Petraj kritikuan mënyrën si po funksionon sistemi i drejtësisë dhe SPAK-un.
Kuçana e konsideroi të papranueshëm trajtimin ndaj figurave të larta politike, duke iu referuar veçanërisht ish-presidentit Ilir Meta.
“Është e patolerueshme që ish-presidenti të trajtohet në mënyrë të tillë. Nuk është mirë për shoqërinë. Drejtësia duhet të mos veprojë me dy standarde. Kemi ish-presidentin që nuk del as në ajrosje dhe nga ana tjetër kemi tallava burgjesh”, deklaroi ajo.
Sipas Kuçanës, problemi buron nga vetë mënyra si funksionon sistemi dhe reforma në drejtësi. “Segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë përdoren nga Rama”, tha ajo, ndërsa reformën në drejtësi e cilësoi “pseudo-reformë”, për sa kohë sipas saj mazhoranca kontrollon institucionet e drejtësisë.
Ajo ngriti shqetësim edhe për problematikat që qytetarët hasin në përditshmëri në sistemin gjyqësor.
“Unë do të doja që në Gjykatën e Apelit, ku njerëzit presin me orë të tëra, shërbimet të mos ishin luks. Kur shikoj qytetarët që sorollaten për të marrë një shërbim që shteti e ka për detyrim, është kambanë alarmi”, u shpreh Kuçana.
Në të njëjtën linjë kritike ishte edhe avokati Edmond Petraj, i cili foli për mungesën e standardeve në trajtimin e personave nën hetim dhe përdorimin e masave që sipas tij janë disproporcionale.
“Problemin e kemi të komplikuar sepse duhet standardizuar që elementë të ndryshëm të veprave penale të mos tolerohen ndërsa elementët që nuk paraqesin rrezikshmëri duhen lënë”, deklaroi Petraj.
Ai krahasoi standardin shqiptar me mënyrën si trajtohen figurat politike në vende të tjera, duke marrë si shembull kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu.
“Po të shohësh Imamoglun, kryetar i bashkisë së Stambollit, zbret pa pranga, kalon trotuarin pa pranga dhe ulet në gjykatë pa pranga. Është krejt ndryshe një standard i një vendi që ne e kemi konsideruar si autoritar. Këtu të vihen prangat”, tha Petraj.
Sipas tij, problemi nuk zgjidhet duke ndërtuar salla moderne gjyqi apo duke kopjuar modele të huaja, por duke rritur standardin profesional të drejtësisë shqiptare. Petraj kërkoi gjithashtu më shumë transparencë në proceset gjyqësore, duke argumentuar se publiku ka të drejtë të dijë nëse akuzat për korrupsion mbështeten realisht në prova.
“Ne, jo të rregullojmë salla, apo t’i bëjmë model amerikan, ne duhet të rrisim standardin profesional. I gjithë opinioni publik është i interesuar të dijë nse i akuzuar ka vjedhur apo jo sepse populli është fryrë shumë me fjalët korrupsion. Populli do të dijë a ekzistojnë këto prova me të vërtetë. Seancat duhet të jenë live. Amerika nuk i ka live të gjitha seancat. Ne me ligj e kemi të detyrueshme që seancat të regjistrohen. Media duhet të transmetojë çdo sekondë të seancave. Opinioni duhet të marrë vesh”, deklaroi ai.
Avokati kritikoi edhe klimën publike ndaj personave nën hetim. “Ne kemi gijotinë, njerëzit i duam në burg. Kemi kaluar nivelin social dhe shoqëror”, u shpreh Petraj, ndërsa shtoi se SPAK “e ka tejkaluar vijën e vet” dhe duhet të mbajë përgjegjësi për çdo hap procedural.
Ai u shpreh gjithashtu kundër paraburgimit gjatë hetimeve paraprake për figura si Ilir Meta dhe Erion Veliaj.
“Ka ardhur koha e standardizimit. Gjyqet ndaj Metës dhe Veliajt duhen bërë në gjendje të lirë. Nuk ka pse këta të ndëshkohen me heqje lirie gjatë fazës së hetimit paraprak”, deklaroi Petraj.
Sipas tij, sistemi i drejtësisë ka nevojë për një tjetër reformim, pasi numri i dosjeve të pashqyrtuara mbetet shumë i lartë dhe procedurat zgjasin me vite.
“Do të duhen minimalisht 5 vjet dhe punë me 3 turne. Duhet ndërhyrë që çdo kush që nis një procedim të mbajë përgjegjësi. Duhen rregulluar kodet e procedurave”, përfundoi ai.
Komente










