Milani është gati për debutimin e tij në Europa League kundër Benfica-s. Trajneri Ruben Amorim e prezantoi ndeshjen:
"Kjo është një mundësi vendimtare, po flasim për debutimin tonë në Europa League. Milani-Benfica është një ndeshje që është simbol në nivel evropian: Unë kam një të kaluar te Benfica dhe Rui Costa, i cili tani është president, ka një të kaluar të shkëlqyer te Milani."
Trajneri i Milanit ka arritur tashmë në një finale të Europa League me Manchester United, të cilën e humbën ndaj Tottenham-it:
"Ne hyjmë në çdo garë për të fituar, nuk kemi një objektiv minimal. Kemi një skuadër të fortë me alternativa: të gjithë do të duhet të jenë gati. Qëllimi ynë është të përpiqemi të fitojmë sa më shumë ndeshje të jetë e mundur dhe të shkojmë deri në fund në të gjitha garat. E dimë që nuk do të jetë e lehtë dhe se konkurrenca është e ashpër. Por nëse kemi motivimin dhe të gjitha aftësitë e duhura, mund të fitojmë çdo ndeshje dhe çdo garë. Këto janë objektivat tona. Atëherë është normale që nëse nuk ia dalim do të jemi të hapur ndaj kritikave."
Amorim mund ta kishte luajtur këtë ndeshje në stolin e kundërt, atë të Benfica-s. Megjithatë, që nga dita e parë, ish-trajneri i United kishte ide shumë të qarta:
"Që nga dita e parë, vendosa të mos kthehesha si trajner në Portugali. Kishte mundësi, por kisha ide shumë të qarta që nga fillimi. Pastaj erdhi telefonata nga Milani: një nga ato oferta që nuk mund ta refuzosh. Vendosa ta përqafoj këtë projekt me shumë entuziazëm."
Milan-Benfica do të luhet të mërkurën në orën 21:00 në San Siro, ndërsa për ndeshjen foli edhe sulmuesi Gonçalo Ramos i cili tha se ‘Benfica është shtëpia e tij, por është i uritur për të shënuar’. Megjithatë ai saktësoi se nëse realizon nuk do të festojë.








Komente
Komento