Kombëtarja e Kepit të Gjelbër shkroi një faqe të veçantë në historinë e saj, duke marrë një barazim surprizues 0-0 përballë Spanjës në debutimin në Kupën e Botës 2026. Në një sfidë ku pritej dominim i plotë dhe shumë gola nga iberikët, protagonisti absolut ishte portieri i afrikanëve, Vozinha.

Gardiani 40-vjeçar, i cili aktivizohet në ligën e dytë portugeze, zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme në debutimin e tij, duke u kthyer në makthin e sulmit spanjoll. Vozinha realizoi shtatë pritje vendimtare gjatë takimit, duke mbajtur të paprekur portën dhe duke siguruar një rezultat historik për përfaqësuesen afrikane.

Spanja ushtroi presion të vazhdueshëm gjatë gjithë ndeshjes, por u përball me një mur të pakalueshëm. Çdo tentativë e futbollistëve spanjollë hasi në reagimet spektakolare të portierit, i cili ishte figura kryesore e sfidës.

Emocionet arritën kulmin pas fërshëllimës përfundimtare të arbitrit. I ndërgjegjshëm për arritjen e madhe që kishte realizuar, Vozinha nuk mundi t’i përmbante lotët. Pamjet e portierit të përlotur prekën tifozët dhe treguan qartë rëndësinë që kishte ky moment për të dhe për gjithë kombin e Kepit të Gjelbër.

"Qava pas ndeshjes, sepse kur isha fëmijë u rrita me gjyshërit e mi dhe ata nuk mund të ishin këtu. Ata ndërruan jetë disa vite më parë. As nëna ime nuk mundi të ishte këtu për shkak të problemeve me vizën dhe kostove që duhej të paguanim. Nuk arritëm t’i kryenim procedurat në kohë", tha Vozinha, i cili u shpall edhe 'Lojtari i ndeshjes'.

Jehona e pritjeve të tij bëri që nga 50 mijë ndjekës në rrjetin social 'Instagram', tanimë ai të ndiqet nga 2 milionë ndjekës brenda pak orësh.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 00:32
VIDEO/ 'Fitoi' 1.95 milionë ndjekës brenda 90 minutave, shikoni reagimin e portierit të Kepit të Gjelbër kur mëson për shifrat

1781562846_josimarjosvoradias.JPG

Portieri veteran i Kepit të Gjelbër, Vozinha, është një nga emrat më të përfolur të Kupës së Botës 2026, pas paraqitjes spektakolare në barazimin historik 0-0 ndaj Spanjës.

40-vjeçari ishte heroi absolut i kombëtares afrikane në ndeshjen debutuese të turneut, duke realizuar shtatë pritje vendimtare dhe duke mbajtur të paprekur portën përballë një prej skuadrave favorite për trofeun.

Megjithatë, surpriza më e madhe për Vozinhën erdhi pas përfundimit të takimit. Gjatë një interviste televizive, portieri u informua se fama e tij kishte shpërthyer në rrjetet sociale brenda vetëm pak orësh.

Në fillim të ditës, gardiani i Kepit të Gjelbër numëronte rreth 50 mijë ndjekës në Instagram, ndërsa pas performancës heroike ndaj Spanjës, shifra kishte kapërcyer mbi 2 milionë ndjekës. Reagimi i tij i sinqertë dhe habia për popullaritetin e papritur u bënë menjëherë virale në internet.

Aktualisht, Vozinha aktivizohet te Chaves në Portugali, ndërsa gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe në kampionatet e Sllovakisë, Qipros, Moldavisë dhe Angolës. Pas mbrëmjes magjike ndaj Spanjës, emri i tij tashmë është bërë i njohur në mbarë botën.