E enjtja ka qenë ditë ndeshjesh për klubet e Superligës. Në fazën përgatitore që po zhvillojnë në Pogradec, Partizani fitoi 1-0 me Strugën, kampionët e Maqedonisë së Veriut. Një gol i Mensah në minutën e 65-të të ndeshjes vulosi fitoren e "Demave". Te të kuqtë debutoi me fitore trajneri Zekic, teksa në fushë për herë të parë në një ndeshje luajti edhe Eros Grezda.
Kampionët e Shqipërisë vijojnë të përgatiten për ndeshjen e parë kualifikuese në Champions League, atë kundër BATE Borisov që luhet në 11 korrik më 20:45 në "Air Albania".
Nga ana tjetër, Tirana ka humbur në miqësoren e dytë në tokën maqedone. Në Ohër, aty ku djemtë e Shehit po përgatiten për Conference League, bardheblutë humbën 3-1 me Ballkanin e Ilir Dajës. Për suharekasit shënuan A. Rrahmani (dopietë) dhe Berisha. Më parë Tirana kishte humbur edhe me Dukagjinin. Bardheblutë luajnë me Dinamo Batumi në turin e parë të CL.

Komente

