TIRANE- Deputetja e Partisë Demokratike Albina Deda, gjatë një interviste për “Shqiptarja.com” tha se PD do të protestojë para Kryeministrisë ditën e hënë edhe për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar nëpërmjet përfaqësuesve të tyre që do të jenë në Tiranë me një axhendë zyrtare. Blerja e votës për Dedaj, por edhe për PD, është një shkelje e demokracisë. Ajo nënvizion se protesta nuk mund të ndryshojë destinacionin nga simbolike në të dhunshme.

Vidioja e vjedhjes në Korçë është kthyer si kauza e një proteste që po organizohet nga opozita. A nuk duhet të flasë më parë drejtësia? Komisionet parlamentare asnjëherë nuk kanë pasur sukses...?
U cënua elementi themelor i demokracisë, vota e lirë, dhe kjo çështje thërret çdo shqiptarë në skenë, të revoltohen dhe të ngrenë zërin e fuqishëm të protestës, kur mazhoranca arrin të sillet që në ditët e para si bandë duke blerë votën e lirë. Absolutisht rruga ligjore nga PD-ja është primare, por ne jemi të vendosur të hedhim çdo hap tjetër për të dënuar këtë akt të shëmtuar banditesk që lulëzoi që në zgjedhjet e qershorit dhe u faktua nga televizioni  Top Channel me zë e figurë.

Nëpërmjet parave të pista të krimit dhe mafias, shkatërrohen sakrificat e mëdha të 23 vjeteve për demokraci, por dhe po përgatitenen për blerjen e zgjedhjeve të ardhshme, eleminimin e zgjedhjeve të lira, nëpërmjet blerjes dhe jo gjykimit të lirë popullor. PD është e palëkundur në mbrojtje të demokracisë zgjedhjeve të lira dhe shtetit ligjor. Drejtesia ka fjalën e vet, komisioni hetimor parlamentar pavarësisht disa eksperiencave jo pozitive është një element i domosdoshëm për opozitën. Kur cënohet rëndë ligji dhe vendin e zë antiligji që në ditët e para të kësaj qeverie, kur cënohet vota e lirë, atëhere çdo qytetar dhe demokrat   është i motivuar dhe i revoltuar të ngrihet e të protestojë.
A e keni menduar që tek ajo protestë mund të ketë element dhune, sepse turma nuk komandohet dot. Rama shkriu edhe Gardën, hoqi edhe murin rrethues. A ekziston mundësia të degjenerojë në dhunë?
Është absurde të mendosh dhunën kur qytetaret, demokratët do protestojnë për elementët bazë të demokracisë. Në synojmë të luftojmë fenomenet që dëmtojnë demokracinë dhe imazhin e vendit tonë, dhe jo të kthejmë prapa gjithë ate punë, përkushtim të qeverisë së PD-së për 8 vjet për të plotësuar standartet për statusin e vendit kandidat. Ne ndryshojmë nga të majtët se e duam vendin, lirinë, integrimin, dhe shqiptarët e dinë këtë, por dinë  dhe të kundërtën me bllokimin nga PS të çdo procesi që kalojë vendi ynë gjatë qeverisjes së PD, e në vazhdimësi dhe sot në mazhorancë...
Protesta që do bëhet do të jetë mbarë, dmth gjithë qytetarët e ndjeshëm të kësaj “blerjeje” do të grumbullohen? 
Protesta është e gjerë, përveç demokratëve janë të ftuar gjithë qytetarët nga gjithë vendi që e gjykojnë se sa e rëndë është të të cënohet vota, të blihet vota me paratë e pista të mafies e korrupsionit, të shkelet elementi themelor i demokracisë, të instalohet frika dhe tritoli duke zhbërë ligjet e vendit, duke i thënë jo instalimit të blerjes së votës, që po përgatit mazhoranca,  e cila po udhëheq  në rrugën e të kuqve, të etërve të tyre ...
Pse ditën e hënë, apo që vjen edhe Fyle? 
E hëna është fillim i javës dhe ne po e fillojmë të hënën që ta   ketë larg fundin, që duhet për të sensibilizuar të gjithë,  duke perfshirë dhe FYLEN...!
 
Shkrimi u publikua sot (10.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)