Dedë Gjo Luli, u vra nga pushtuesit serbë, pa pasur gisht Gjomarkajt

Dedë Gjo Luli, u vra nga pushtuesit serbë, pa pasur gisht Gjomarkajt

Dedë Gjo Luli

Dedë Gjo Luli është ndër kreshtat më të larta të historisë sonë, tribun e strateg popullor i pashoq i Malësisë së Madhe në luftën për mbrojtjen e trojeve nga sulmet e fqinjëve veriorë, flamurngritës i Pavarësisë, që pas 500 vitesh lartoi në majë të Bratilës në Deçiq të Alpeve shqiptare flamurin e Skënderbeut, me 6 prill të vitit 1911.

Flamuri kombëtar i ngritur nga Dedë Gjo Luli në Deçiq më 1911

Zor të ketë pasur një atdhetar më të kulluar se Deda, që kur ishte fjala për  trojet e veta nuk bëri kompromis me malazezt as një fije bari. Jo rastësisht ai dhe dy djemtë e tij, Gjergji e Kola, janë dëshmorë të Atdheut, siç është dëshmor i flamurit dhe Nikë Gjelosh Luli, katër veta të një dere, çka të kujton familjen heroike “Jashari” në Kosovë njëzet vite më parë.


Dedë Gjo Luli me të birin, Kolën

Po ashtu ka qenë e përmendur dhe Nora e Hotit, e reja e Dedës, që mbeti e ve nuse. Me nderimin dhe vlerësimin e figurës madhore të Dedës lidhën emra të shquar të kohës, si Risto Siliqi, Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Anton Harapi etj.

Vrasja e Dedë Gjo Lulit është ndër më të rëndat e shekullit XX, trajtuar dhe nga gazetari Roland Qafoku në librin e tij kushtuar 100 vrasjeve më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar.

Ndërkohë që dihej botërisht se Dedë Gjo Luli, në epilogun e jetës së tij, në moshën 75-vjeçare, me 24 shtator 1915 ishte vrarë në Orosh nga ushtria pushtuese serbe, gjysmë shekulli më vonë, aty nga mesi i viteve ’60, nisi të qarkullojë fjala se në vrasjen e tij kishte pasur gisht Kapidani i Mirditës, i cili sipas ndonjë autori: “Ta vriste vetë kishte frikë si nga mirditasit se mund ta ndiqnin për mik të premë, ashtu dhe nga malësorët se e kërkonin për gjak. Kështu pra, i kurdisi kurthin për ta shfarosur me dorën e huaj, në mënyrë që vetë të dilte i larë...”, çka solli jo pak pështjellim rreth asaj vrasjeje.

Duke mos dashur t’i rikthehemi asaj se si ndodhi që u përhap një opinion i tillë, me dëshirën për të ndihmuar në “zbardhjen” e asaj vrasjeje edhe pas një shekulli, po sjellim një tog dëshmish, kryesisht të pabotuara, që lexuesi të gjykojë vetë rreth të vërtetës historike, duke i ballafaquar ato që janë thënë në artikuj e libra kushtuar Dedë Gjo Lulit në vitet ’60 - ’70 të shekullit të kaluar, me kujtimet e dëshmitë e Zef Mark Harapit, Dom Nikollë Kimzës, Prengë Gegë Prenit dhe të akademik Mark Tirtës, mbledhur në Orosh nga goja e të moshuarve në mesin e viteve ’50 të shekullit të kaluar.

Zef Mark Harapi e Dom Nikollë Kimza: “Vrasësit e Dedë Gjo Lulit ishin serbët dhe esadistët”
Dom Nikollë Kimza ka qenë historian e prift i Abacisë së Mirditës dhe Zef Mark Harapi shkrimtar e ish-drejtor i Konviktit “Mirdita” të Oroshit. Dy tekstet e publikuar prej tyre në revistën “Hylli i Dritës janë thuajse të njëjta për nga përmbajtja, çka do të thotë se në Mirditën e viteve ’30 të shekullit të kaluar historia e asaj vrasjeje vazhdonte të rrëfehej njësoj. Po ndalemi në fillim te Harapi, i cili e tregon atë ndodhi në kuadrin e përgjithshëm të monografisë së tij kushtuar Mirditës, botuar periodikisht në vitin 1931 në revistën “Hylli i Dritës”. Duke folur për pushtimin e Mirditës nga ushtria serbe në vitin 1915, autori përshkruan kronikën dramatike të ngjarjeve:

“Menjiherë, sapo Serbija ka dalë në Mal t’Shejt, kur nji farë Zef Ndue Marka Gjergji, i oroshas iu ka dalë përpara, “t’a pamen e kanë vrà”. Merret me mend se si do t’i vente filli asaj lufte, kur vritej me të parën një banor i zakonshëm, pa pushkë në krah, që ndodhej rastësisht në vendin e gabuar, ani se ishte toka e vet. Por kulshedra serbe nuk ishte vetëm. Harapi vijon: “Kapidan Ndue Gjoni, kishte dalë me disa mirditas me luftue kundra urdisë së Esat Pashës kah Kreshta, për me e ndalë të mos hite në Mirditë, por mas do kohet, janë shpërnda gjindja te Livadhet e Oroshit ngiat Kallmetit e pa kurrë nji pritë partija e Esadit mujti me ardhë deri në Blinisht, ku u ndeshën me disa mirditas”.

Renegati Esad Pasha ishte në bashkëveprim me ushtritë serbe të Luftës së Parë Botërore, ndërsa Kapidanët e Mirditës, siç e tregon dhe ky episod, ishin në anën e lirisë dhe Pavarësisë, kundër serbëve dhe esadistëve. Vetëm kështu mund të kuptohet ajo që ndodh mbas disa ditësh në Sheshez të bjeshkëve të Oroshit. Kronika dramatike e Harapit vazhdon: “Oroshi, sa ka ndie se po hishin esadistat, asht dyndë prej vendit. Fëmi e gja i kanë çue në Kthellë e burrat kanë dalë në mal… Në këtë kohë erdhi në Orosh Dedë Gjo Luli me të birin, Kolë Tomën e Velës dhe Gaspër Ashikun, shkodran, sekretar i Prengë Bibë Dodës, i cili i kishte nisur këta nga Shkodra për t’u marrë vesht me Kapidan Marka Gjonin, apo me Kapidan Ndue Gjonin. Por këta s’i ka gjetë në Orosh, pasi kishin pas ra në Shkodër. Janë pritun nga Kapidan Prengë Llesh Gjoni, i cili i ka përbujtë ata në shtëpinë e Kapidanave”.

E gjitha kjo nuk le vend për asnjë dyshim, prapaskenë etj., aq më tepër makbethiane, kur dërgatën e kishte nisur vetë kryekreu i Mirditës Prengë Pasha e në përbërje të saj ishte dhe një nga luftëtarët më të të shquar të Mirditës së asaj kohe, Kol Toma i Velës. Dedën me të tjerët i pret personi i tretë për nga rangu asokohe në Gjomarkaj, Prengë Llesh Gjoni. Kur urdija e Esad Pashës ka hy në Orosh, serbët përnjëherë janë bashkuar me ta të Qela e Abatit, ku në mbramje serbët kanë arrestuar në shtëpinë e Kapidanave Dedë Gjo Lulin me shokë, disa prej kapidanave të Mirditës, bajraktarin Prengë Marka Prenga (thënë ndryshe krejt qeverinë e Mirditës) me shtatë lajthizakë dhe i kanë ndry në një nga odat e Qelës. “Atë natë të dy urditë (serbe dhe esadiste) kanë plaçkitë pasuninë e Abatit, të cilin e njihshin për armik... Të nesërmen, ushtarët serbë, Dedë Gjo Lulin me të shtatë lajthizakët i kanë vue përpara, tërmal kah Gryka e Oroshit. Dedën e kanë mbyt e lanë në Sheshaz, lajthizakët i kanë qitë në Mal të Shejtë e lëshue në Shpellën e Akullit... Të birin e Dedë Gjo Lulit, Kol Tomën e Velës, Prengë Marka Prengën, Gaspër Ashikun e shtatë vetë nga kapidanat e Mirditës i kanë ndalue esadistët dhe mandej i kanë mërgue në Itali”.

Zef Harapi publikon dhe një rapsodi mirditase të kohës, që e pasqyron me besnikëri atë histori, duke i vënë emrin vrasësit, që është “serbjani”.

Në bjeshkë të Oroshit na i derdh zani

Se ç’po ban paj m’ne serbjani!

Rapsodit nuk i shpëton asgjë nga kronika tragjike, sidomos vrasësi gjakatar i Dedës,“Serbi (që) me thikë në krahnuer ia futi”, si dhe bashkëpunëtori i tij, “Sheh Hamdia (që) vjen për tërmal”. E nuk mbaron këtu ajo histori e “mnershme”, pasi “serbët dhe esadistët dogjën dhe shtëpinë e Kapidan Ndue Gjonit dhe tri të tjera në Bulshar”, teksa “oroshasit iu kishin vu pushkën pushtuesve”. (Zef Mark Harapi, “Mirdita në histori, gojëdhana e në zakone të veta” (përmbledhje nga “Hylli i Dritës”), “Geer”, Tiranë 2013.)

Lidhur me të njëjtën ngjarje Dom Nikollë Kimza shkruan: Duke besuar se Deda me të birin dhe shoqëruesit e tjerë do të ishin më të sigurtë në Abaci se në Kullën e Kapidanit, kapidani Prengë Llesh Gjoni, iu prini atyre për te kisha e Oroshit, por aty gjendej një kompani ushtarësh serbë, që prisnin mbërritjen e ushtrisë së Esad Pashës, që po marrshonte nga Repsi nën komandën e Sheh Hamdisë. Vendimi ishte marrë, zhbimja e Oroshit dhe Mirditës, që nuk mund ndalonte as Kapidani, as Abati. Aq më pak Dedë Gjo Luli, që serbo-malazezët dhe Esad Pasha ia kishin bërë benë për ta asgjësuar dhe ja ku rasti iu erdhi. Komandanti serb, burrat e mësipërm i mbyll në godinën e shkollës, kurse rrogëtarët e Abatit i mbylli në një nga odat e kishës, duke dhunuar dhe vetë tempullin e Zotit, ku pos se e ktheu në burg,“me kuaj e mushka grabiti mallin e 60 odave, si verë, raki, sixhade etj., të cilat i çuan në Malin e Shenjtë”.

Të nesërmen, me 24 qershor, forcat serbe dhe komandanti i tyre Gjura kryen ekzekutimin e heroit: “Dedë Gjo Lulin me shtatë oroshas i mori me vete për në Malin e Shenjtë (dhe) pak pa mbërritur tek Qafa e Qirit, në vendin e quejtun Sheshaz, i lidhën nga dy bashkë me Dedë Gjo Lulin, e, aty, pa luejt vendit e qëlluan Dedën me batare. Po ashtu dhe të tjerët i palosën me batare e i hodhën kalamuc në Shpellë të Akullit”, 15 metra thellë, duke e kthyer atë në një varr kolektiv. “Ndërsa Kol Tomën e Velës, vetë i 14-të, ia dorëzuen ushtrisë esadiste në Durrës, ku pasi liruen bajraktarin Prengë Marka Prenga, 13 të tjerët mbas do kohe i internuen në Itali, derisa mbaroi Lufta e Parë Botërore. Me këta ishte dhe Kola, i biri i Dedë Gjo Lulit”, shkruan Kimza. (Dom Nikollë Kimza, “Hylli i Dritës”, numër 11, Shkodër 1931.)

Nga dëshmitë e Harapit e Kimzës nuk del se Deda ishte thirrur për ndonjë kuvend në Orosh, pasi ishte e pamundur mbajtja e tij atë shtator të shtetrrethimit serb. Është tjetër vajtja drejt Oroshit e Dedës si i dërguar nga Prengë Bib Doda për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës, apo që Deda të jetë nisur vetë për atje, nën peshën e përgjegjësisë atdhetare për t’iu dalë si gjithmonë përzot fateve të vendit. Ai ashtu kishte ecur gjithmonë pa e marrë parasysh rrezikun.


Dedë Gjo Luli

Dedë Gjo Luli, nga Kryezezi në Orosh, në besën e mirditasve
Prengë Gegë Prenit (Bajraktari), ish-sekretar i Ministrit të Arsimit Ernest Koliqi kujtonte: “…Në vitin 1915 Dedë Gjo Luli erdhi në shtëpinë e Prengë Pjetër Gjergjit, në Arraz të Vaut-Shkjezë të Kryezezve, i shoqëruar nga Kolë Toma, së bashku me 11 burra të tjerë. Në kohën që burrat po bisedonin brenda, kullat e rojës nga dy majat dhanë sinjalin se forcat serbe po vinin nga Shkodra, duke zbritur me shpejtësi nga Kisha drejt shtëpisë ku ndodhëshin trimat, u konfrontuan me armë. Terreni luftarak u spostua njëqind metra matanë kullës së Prengë Pjetër Gjergjit, i cili krahas 11 burrave (miq) kishte dhe 17 djem luftëtarë të shtëpisë së tij prej 55 vetësh. Vendi ku vazhduan luftimet quhej Stani i Verës.


Kullat e Gjomarkajve, Orosh

Në këtë betejë për të mos dorëzuar Dedë Gjo Lulin me burrat e tjetë, u vra vëllai i Prengës, Zef Pjetri 26 vjeç. Serbët dogjën e shtëpinë e Prengë Pjetër Gjergjit, e cila ishte djegur disa herë e përsëri ishte ngritur nga themelet. Ndërkohë që burrat kaluan në një vijë të re luftimi, duke u ngjitur përmes një shkëmbi të rrëpirtë (Shtegu i Thikëzave), kaluan te Stani i Petkave, vendstrehimi strategjik i shtëpisë së Prengë Pjetër Gjergjit në rast lufte. Ata u detyruan të bënin këtë lëvizje, pasi ndërkohë forcat esadiste erdhën furishëm nga krahu perëndimor (laku) i shtëpisë së Prengë Pjetrit dhe dogjën çfarë kishin lënë serbët. Në përfundim të betejës nga serbët mbeti i vrarë një ushtar dhe nga esadistët katër veta.

Kur zbardhi drita, rrëfen Prengë Gegë Preni, forcat esadiste filluan lëvizjen në krahun tjetër, për të djegur shtëpinë tonë dhe fshatrat përreth, ndërkohë që serbët u larguan në drejtim të Kishës dhe Livadhëzit. Kur mbaroi beteja Prengë Pjetër Gjergji i kërkoi Dedë Gjo Lulit dhe Kol Tomës së Velës me burrat e tjerë, të qëndronin në vendstrehimin e shtëpisë së tij për një kohë, pasi ushtria serbe mund ta kishte marrë Oroshin. Ata nuk pranuan. Prengë Pjetri me trimat e tij e shoqëruan Dedë Gjo Lulin, Kol Tomën me të tjerët drejt Gëziqit të Mirditës, ku u vendosën në shtëpinë e Ndue Lazrit, ku Prenga ishte dhëndër. Pasi i dorëzoi në besë burrat në këtë derë bujare, Prengë Pjetri bashkë me djemtë e shtëpisë së tij u kthyen tek vatanet e djegura për të varrosur vëllanë dhe për të këqyrur dëmet e ushtrisë esadiste në trevën e Kryezezit dhe në Malësinë e Lezhës.

Nga shtëpia e Ndue Lazrit, Dedë Gjo Luli me njëmbëdhjetë burrat u dorëzuan shëndosh e mirë në Lëgjin të Oroshit, në shtëpinë e Prengë Gjinit (Doda), me porosi të Prengë Pjetër Gjergjit të Kryezezit. Dihet se misioni i Dedë Gjo Lulit ishte të takonte Abat Prengë Doçin dhe parinë te Kisha në qendër të Oroshit, për të organizuar kryengritjen kundër serbëve. Ndërkohë Oroshi ishte i pushtuar dhe digjej nga ushtria serbe dhe forcat esadiste po vinin nga Lisat e Marpepës. Dalja nga Lëgjini i Oroshit për te shtëpia e mbesës së Dedë Gjo Lulit, Mrikës, e cila ishte gruaja e Llesh Ndue Gjonit (Gjomarkaj) në Orosh, rezultoi fatsjellëse, ku qëndroi tri ditë e tri netë.

Lëvizjet e Dedë Gjo Lulit për te Kisha, ndërkohë që kisha dhe qela ishin të grabituare të boshatisura dhe Oroshi i pushtuar, ku gjendeshin vetëm gratë e fëmijët, i ranë në sy armikut. Abat Doçi me parinë nuk gjendej askund. Garnizoni serb kreu menjëherë arrestimin e Dedë Gjo Lulit, burrave me të cilët kishte ardhur dhe oroshasve që e shoqëronin. Dedë Gjo Lulin e vrasin në Nënshejt, kurse shtatë oroshasit (lajthizakët) i therin dhe i lëshojnë në Shpellën e Akullit”, përfundon rrëfimin e tij në vitin 1974 ish-sekretari i Ernest Koliqit dhe kushëri i afërt i Prengë Pjetër Gjergjit. (Gjin Gjeta, “Sokol prej Zhupe - Prengë Pjetër Gjergji (Kryezezi)”, Camaj - Pipa, Shkodër 2008.)

Akademik Mark Tirta: “Pohimi se në vrasjen e Dedë Gjo Lulit kanë pasur gisht Gjomarkajt është i pasaktë”
Kisha dëgjuar që në vogëli se Dedë Gjo Luli e Bajram Curri, në kohë të ndryshme, kishin fjetur disa herë në shtëpinë e gjyshit tim, Prengë Gjin Doda në Orosh. Asokohe baba im ishte i ri e zot shtëpie, kuptohet, ishte gjyshi, në emrin e të cilit njihej shtëpia. Pastaj në vitet 1955-1957 unë kam qenë arsimtar në shkollën 7- vjeçare në Orosh, që ishte vendlindja ime. Isha shumë i interesuar për të njohur të kaluarën historike e etnokulturore të Oroshit dhe krejt Mirditës. Në atë kohë e dija se atdhetari i shquar Dedë Gjo Luli ishte vrarë në Orosh në kohën e Luftës së Parë Botërore, nga serbët. E dija se Mrika e Lleshit të Ndue Gjonit në Orosh ishte mbesa e Dedë Gjo Lulit dhe e bija e Dedë Cokut, malësor i Bregut të Matës në Lezhë. (E shoqja e Dedë Cokut ishte vajza e Dedë Gjo Lulit.) Llesh Ndue Gjoni ishte kushëri i parë i Gjon Marka Gjonit, Kapidanit të Mirditës.

Në ato vite (’55-’57), kur isha arsimtar atje, kam shkuar disa herë te Mrika, në shtëpinë e saj e kam marrë të dhëna për veprimtarinë e Dedë Gjo Lulit, se si ishte vrarë në pyllin Sheshez të Oroshit. Ajo më tregoi shumë gjera për veprimtarinë e Dedë Gjo Lulit, për ardhjen e tij disa herë në Mirditë, në Orosh, për njerëz që kishin qenë në njohje të veprimtarisë së tij. Ndër të tjerë ishte dhe një plak mbi 90 vjeç në lagjen Planetë të Oroshit, tek i cili më dërgoi Mrika. Ai, kur e kishin vrarë Dedë Gjo Lulin, kishte shkuar në vendin e vrasjes, ku kishte mundur të njihej me shumë gjera, e kishte mbartur në shpinë Dedën e vrarë dhe e kishte sjellë te kisha e Oroshit, ku e kishin varrosur shumë njerëz. Mrika më dërgoi dhe te disa njerëz të tjerë që kishin bashkëpunuar me Dedë Gjo Lulin.

Në verën e vitit 1915 Dedë Gjo Luli bashkë me disa burra të tjerë vjen në Kryezez (Mirditë) te bajraktari Prengë Pjetër Gjergji dhe qëndron disa ditë në shtëpinë e tij. Pastaj bashkë me bashkëpunëtorët e tij kërkon të shkojë në Orosh. Bajraktari ngulmon që të mos lëviznin, pasi atje kishin hyrë serbët dhe u rrezikohej jeta, por të rrinin në shtëpinë e tij. Deda këmbëngul që të vejë në Orosh dhe bashkë me të birin e shoqëruesit niset për atje. Atëherë bajraktari i Kryezezit e porosit që të shkojë e të bujë te Prengë Gjin Doda (i ati i Nikollë Prengë Gjinit), ku ky fisnik kishte fejuar një vajzë (Mrikën) e së shpejti do ta martonte. Dedë Gjo Luli udhëton drejt Oroshit me të tijtë, fle një natë te Preng Gjin Doda në Lëgjin e të nesërmen shkon te shtëpia e Lleshit të Ndue Gjomarkut, që siç u tha e shoqja e tij Mrika ishte mbesa e Dedës. Aty Deda rrin disa ditë dhe është pritur te Lleshi dhe Gjomarkajt e tjerë me shumë dashamirësi e nderim si mik shtëpie që ishte, por dhe si bashkëveprimtar me ta në shërbim të atdheut.

Siç kujtonte Mrika dyzet vite më vonë, por dhe burra oroshas të moshuar, ndër ta dhe të derës së Kapidanit, ato ditë që Deda ka qendruar në Orosh e bujtur te Gjomarkajt, nuk ka pasur burra në shtëpitë e tyre, po vetëm gra e fëmijë. Burrat kishin ikur e ishin strehuar nga frika e serbëve. Me gratë e fëmijët pushtuesit nuk janë marrë, pasi ata nuk kishin armë dhe nuk i rrezikonin. Gjatë atyre ditëve Dedë Gjo Luli kërkonte që doemos të takohej me Abat Prend Doçin e të bisedonte me të për ngjarjet tronditëse të kohës në Mirditë. Shkoi disa herë te Abacia e Oroshit, por Abati nuk ishte kthyer nga Shkodra. Ishte një rrugë e vështirë nga Abacia te Sarajet e Gjomarkajve, ku Deda qëndronte.

Një ditë teksa ishte te Abacia Deda kërkoi që t’i gjenin një shoqërues që ta çonte te komanda e ushtrisë serbe në Nënshejt, rrugë që ai vetë nuk e dinte. Siç thoshin oroshasit synimi i tij ishte të ndërhynte te serbët që të mos e terrorizonin Mirditën. Deda niset për atje dhe kur arrinë në Sheshez, 5-6 kilometra larg kishës, në lartësi të bjeshkës së Oroshit, serbët e vrasin barbarisht, pasi i kishin hequr harmaxhikun e duhanit nga brezi. Mbaj mend që e kam pyetur me shumë ngulmim Mrikën e Lleshit të Ndue Gjonit dhe disa pleq të tjerë nga Oroshi (pasi asokohe doja të shkruaja një libër kushtuar këtij heroi të kombit tonë, çka u ndërpre me vazhdimin e studimeve të larta me 1957 për gjuhë-histori) dhe të gjithë më kanë pohuar se vrasësit e Dedë Gjo Lulit ishin serbët, në bashkëpunim me Esad Pashë Toptanin, që në atë kohë ishte në shërbim të këtyre pushtuesve, si tradhtar i atdheut.

Edhe pse kishin kaluar dyzet vjet nga ajo vrasje, ata më flisnin me shumë emocion për Dedën, ngaqë vrasjen e tij e kishin përjetuar me shumë dhimbje. Ata pleq të pyetur nga unë ishin në moshë, dikush 70, dikush 80 e dy prej tyre mbi 90 vjeç. Prandaj pohimi me gojë a me shkrim se në vrasjen e Dedë Gjo Lulit kanë pasur gisht Gjomarkajt është krejtësisht i pasaktë. Një barrë që nuk do ta mbante kurrë mbi supe Mirdita. Kësisoj është në detyrimin tonë moral dhe intelektual, por dhe të gjithëkujt tjetër që ka njohje për atë histori, të saktësojë njëherë e mirë se si ka qenë e vërteta e vrasjes së këtij heroi të kombit tonë.

Dedë Gjo Luli u vra teksa Oroshi ishte nën shtetrrethimin serb
Ashtu si nga e gjithë kujtesa historike e Mirditës e jo vetëm, edhe nga këto dëshmi e kujtime del qartë se vrasjen e Dedë Gjo Lulit e kryen serbët gjatë Luftës së Parë Botërore, pa pasur dorë askush nga krerët e Oroshit, për çka mund të renditën jo pak argumente:

Së pari, duhet mbajtur parasysh klima revolucionare kur nisi të flitej për përfshirjen e Gjomarkajve në vrasjen e Dedë Gjo Lulit. Në pragun i “revolucionit kulturor” të 67-s ishte ngritur në kulm propaganda komuniste kundër Zogut, Gjomarkajve, bajraktarëve, shtëpive të para, kishës, kanunit, “zakoneve prapanike e mbeturinave fetare”. Nëse do të kishte pasur dorë të mësheftë të Gjomarkajve në atë vrasje, të paktën pas Luftës II Botërore, kur pushteti i tyre kishte rënë, do të kishte dalë ndokush për ta pohuar.

Së dyti, nuk gjendet asnjë burim i shkruar ku për atë vrasje të dyshohen Gjomarkajt, le pastaj dëshmi që t’i fajësojë ata. Po ashtu asnjë dëshmi gojore nga burrat e Oroshit, herët e vonë, se në atë vrasje kishin pasur dorë krerët e tyre.

Së treti, Mirdita nuk shkonte kundër zakoneve të veta. Ajo nuk shtinte kurrë kundër mikut dhe këtë aq më tepër nuk e bënte dera princërore e Krahinës si “seli” e Kanunit. Dedë Gjo Luli ka bujtur disa net në Kullën e Gjomarkajve, është mikpritur aty dhe kjo është e mjaftueshme për të mos ndodhur kurrëfarë vrasjeje në bukën e tyre. Nga ana tjetër, mikpritja e Kapidanit është e dëshmuar jo vetëm nga vendasit, po dhe nga plot konsuj e udhëpërshkrues të huaj, francezë, gjermanë, austriakë, italianë, amerikanë e të tjerë, kur ata kanë shkuar në Orosh.

Së katërti, mes Mirditës dhe Malësisë së Madhe ka pasur kurdoherë miqësi dhe asnjëherë mosmarrëveshje, le pastaj hasmëri. Prijësit dhe krerët silleshin si burra shteti mes tyre. Mes Mirditës dhe Malësisë së Madhe kishte pleqësime të ndërsjellta, ashtu si me Dibrën, Lumën, Matin etj. Gjomarku shkonte për të ndarë gjyqe në Kelmend dhe krerët e Hotit venin për të njëjtën gjë në Mirditë.

Së pesti, Dedë Gjo Luli ato ditë nuk ishte vetëm në besën e Gjomarkajve, ku njëherësh ishte mik shtëpie, pasi kishte martuar mbesën me të birin e Kapidan Ndue Gjonit, por të krejt Mirditës. Në atë rrugëtim Deda është pritur me ditë të tëra në Kryezez, Gëziq, Orosh në 5-6 familje, përfshi dhe nga bajraktari Prengë Marka Prenga, një nga burrat më të dëgjuar të Mirditës, prijës i ushtrive të saj në luftimet për Pavarësi etj. Bajraktari është arrestuar atë ditë bashkë me Dedën, si dhe shumë burra të tjerë mirditas. Por ata që e kishin në dorë Mirditën dhe “besën” e saj atë mot nuk ishin vendasit, por pushtuesit, me të cilët shqiptarët kishin varre të panumërta në mes.

Së gjashti, Abat Doçi dhe Dedë Gjo Luli ishin miq dhe bashkëpunëtorë të vjetër, si dy ndër shqiptarët më në zë të kohës që kishin bashkëvepruar qysh herët për organizimin e kryengritjeve të Pavarësisë. Por nëse Abati në Orosh peshonte si guri i rëndë në vendin e vet, edhe në raport me Gjomarkajt, me të cilët e lidhte një histori e gjatë, prelati ishte dhe vetë në shenjtestër nga serbët dhe forcat e tjera pushtuese të Luftës ë Parë Botërore, që vetëm një vit e gjysmë më pas nga ngjarja tragjike e Oroshit i morën jetën dhe vetë atij, në shkurt 1917.

Së shtati, Oroshi ishte në shtetrrethim të plotë, ku të kërcënuar ishin dhe vetë Kapidanët. Nga forcat represive serbe ata ishin shtrënguar të linin selinë e tyre dhe të merrnin arratinë. Marka Gjoni dhe Ndue Gjoni ishin nisur për në Shkodër, duke lënë në shtëpi gratë dhe fëmijët. Ato ditë kapidan Ndue Gjonit esadistët i djegin shtëpinë.

Së teti, bashkë me Dedë Gjo Lulin u vranë dhe shtatë burra oroshas nga fshati Lajthizë, përndryshe “Shtatë Lajthizakët”. Ata ishin Mark Llesh Doda, Ndue Kol Pjetri, Zef Ndue Gjoka, Preng Çup Deda, Preng Gjok Skana, Preng Marlura, Llesh Deda. Për asnjë figurë tjetër shqiptare nuk janë sakrifikuar kaq shumë burra dhe kjo tregon rëndësinë që Mirdita i jepte një personaliteti si Dedë Gjo Luli, duke iu bërë vetë mburojë njerëzore atij.

Së nënti, oroshasit e varrosën Dedën me nderime në varret e tyre në kishën e Oroshit, si një njeri të vetin. Nëse pushtuesit e ç’shenjtëruan Malin e Shenjtë, ishin oroshasit që ia kthyen shenjtërinë me nderimin që i bënë Dedës edhe për së vdekuri. Ish-kujdestari i qelës Ndre Marka Preni (Gjeçi), që njihej si “Ndreu i Abatit”, iu kishte thënë njerëzve të tij në Gëziq se kishte qenë Abat Doçi që është kujdesur për varrosjen e Dedës.

Së dhjeti, pothuajse të gjithë autorët shënojnë serbët e malazezët si vrasës të Dedë Gjo Lulit dhe jo të tjerë. Vrasësi përmendet me emër, ai është kapiteni serb Gjura, i ndihmuar nga komandanti i esadistëve Sheh Hamdia. Njohës të historisë së Pavarësisë shprehën se me Dedën kishin llogari malzezët, që nuk do t’ia falnin kurrë qendresën e pashembullt përballë sulmeve të tyre, ndaj e vranë me dorën e binjakëve serbë.

Vrasja e këtij tribuni të madh duhet parë jo si hjekësi e një njeriu, por si goditje e vetë simbolit të qendresës shqiptare. Përballja në dy fronte tashmë ishte e qartë: në një anë pushtuesit serbë e bashkëpunëtorët e tyre esadistë dhe në anën tjetër mirditasit, kelmendasit, dukagjinasit e të tjerë bashkë me krerët e tyre.

Nuk është e rastit që Gjergj Fishta në “Lahuta e Malësisë” krerët e maleve i jep të përbashkuar, siç ishin në të vërtetë, sidomos kur ishin në luftë me pushtuesit: Oso Kuka, Mic Sokoli, Dedë Gjo Luli, Çun Mula, Mehmet Shpendi, Marash Uci, Prengë Markola i kapidanave të Mirditës si “yll drite” etj. Këtë klasë unike të urtisë, aristokracisë së maleve dhe qendresës shqiptare e përbuzi dhe goditi sa mundi vetëm Esad (Ballban) Pasha, ortaku i pushtuesve sllave.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • dardan: 17/01/2021 20:56

    Dede Gjon Luli nuk eshte vrare nga shtepia bajraktare e Markagjoneve, pasi kryebajraktar ishte Preng Bibe Dode Pasha, patriot i kulluar dhe kundershtar potencial i tradhatrit te kombit shqiptar, Esat Pashe Toptanit. Dede Gjon Luli shkoi ne Orosh per t'u strehuar me porosi te kryebajraktarit Preng Bibe Dode Pashes dhe jo per pergatitjen e ndonje kryengritjeje, sic thuhet gabimisht ne disa shkrime amatore. Per fatin e tij te keq, ne Orosh u perball me trupat e tradhtarit Esat Pasha dhe aleatet e tij serbe, me te cilet kishte hyre ne armiqesi gjate Luftes se Pare Ballkanike (1912-1913).

    Përgjigju
    • Kole Mirdita: 11/12/2021 23:11

      Ky shkrim eshte i shkrimtarit Zef Pergega ne detroit. E kam lexuar kete shkrim ne nje nga librat e tij dhe ne iinterb=net

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fier, neglizhuan mjekimin e pacientit dy vjet para, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)

Fier, neglizhuan mjekimin e pacientit dy vjet para, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)