Degët e PD, Basha i qëndron në
‘kokë’ zgjedhjes të krerëve të rinj

Degët e PD, Basha i qëndron në<br />‘kokë’ zgjedhjes të krerëve të rinj
TIRANE- Lulzim Basha zbret vetë në bazën e partisë për të zgjedhur kryetarët e degëve. Ditën e djeshme kreu i PD-së qëndroi për më shumë se 7 orë në Sarandë ku u zhvillua procesi i votimit, i cili ishte një odise më vete, përsa i përket zgjedhjes së kryetarit të ri të degës. Pas më shumë se shtatë orësh votim, kreu i ri i degës së Partisë Demokratike në Sarandë u zgjodh Hariz Mema.

Procesi
Që në orët e para të ditës së djeshme Lulzim Basha i shoqëruar nga deputetët që janë mbështetës të flaktë të tij kanë vajtur në Sarandë për të mbikëqyrur të gjithë procesin e votimit. Fillimisht është mbajtur një diskutim nga kandidatët për kryetar dege, si edhe nga vetë Lulzim Basha, ku është folur për kuvendimin e humbjes së zgjedhjeve në 23 qershor të vitit 2013. Më pas është hapur procesi i votimit. Duke qenë se shumë kandidat që pretendonin postin e kryetarit të degës vinin nga ish-drejtorët apo poste të tjera të larta në administratën e mëparshme të PD-së, Basha qëndroi gjatë gjithë votimit në mënyrë që të shmangte të gjitha surprizat e mundshme në çastin e votimit dhe ashtu ndodhi.

Që në fillim të procesit 3 kandidatë dhanë dorëheqjen nga gara për postin e kryetarit të degës. Konkretisht Ibrahim Bajrami, Sokol Muço dhe Artan Papagjika nuk morë pjesë në votim, duke e çuar numrin e kandidatëve në 4 persona. Pas fillimit të procesit delegatët e dalë nga zgjedhjet e reja në seksione dhe grupseksione kanë votuar për katër kandidatët. Pas përfundimit të votimit dhe numërimit të votave procesi u ndërlikua disi, pasi asnjë nga kandidatët nuk arriti që të merrtë mbi 50% të votave duke e çuar votimin në balotazh.

Konkretisht kandidati Ilir Nikolla mori 100 vota ndërsa Hariz Mema mori 102 vota, të cilët e çuan procesin në balotazh. Ndërsa kandidatët e tjerë, Shpëtim Ahmeri mori 83 vota, Matilda Qurku mori 20 vota ndërsa kandidatja tjetër Manjola Nikollo mori 0 vota. Pas këtij rezultati procesi nisi në një fazë tjetër. Dy kandidatët me më shumë vota dolën sërish në garë ku delegatët e PD-së së Sarandës përzgjodhën Hariz Memën si kryetar të tyre me 6 vota avantazh.

Basha
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi dje se kryetarët e rinj të PD-së në degë duhet të jenë persona të pa konsumuar politikisht dhe se ish-drejtorët e lartë të strukturave duhet t’i hapin rrugën të rinjve. “Me zgjedhjet në seksione, në bazë të statutit dhe udhëzimit të lëshuar, partia ka përjetuar në themelin e saj përtëritjen dhe qarkullimin e nevojshëm të një numri të madh të zgjedhurish, duke sjellë në krye të seksioneve forca të reja, energji të reja, frymëzime të reja, synime të reja, pa të cilat një parti politike nuk ka jetë, nuk ka të ardhme.

Qarkullimi drejtuesve politike të çdo niveli është një parim i partive demokratike moderne që zbatohet e duhet të zbatohet në vijimësi, në çdo kohë dhe sidomos në kohën kur partia humbet zgjedhjet, siç i kemi humbur ne, kur kalon në opozitë siç kemi kaluar ne, kur fillon të përgatisë nisjen e re, siç po bëjmë ne”, tha Basha. Kësisoj vetë kreu i PD-së ka paralajmëruar se të gjithë drejtuesit politik të PD-së nuk do të kenë më pjesë në drejtimin e strukturave të partisë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria çel negociatat për kapitullin e parë, integrohemi brenda 2030?



×

Lajmi i fundit

Hapen negociatat për grup kapitullin e parë, Alban Daci: Sot ndër datat më të rëndësishme për shqiptarët! Anëtarësimi në BE brenda 2030, i mundur

Hapen negociatat për grup kapitullin e parë, Alban Daci: Sot ndër datat më të rëndësishme për shqiptarët! Anëtarësimi në BE brenda 2030, i mundur