TIRANË- Federata Shqiptare e Futbollit ka dështuar në sytë e UEFA-s për sigurinë në stadiumin Air Albania. Ndeshja e sotme Tirana-Vllaznia ka degjeneruar në dhunë dhe përplasje mes tifozerive, duke shkatërruar ambientet brenda stadiumit.

Teksa pjesa e parë ka përfunduar me rezultatin 0-0, në minutat e pushimit tifozët e Tiranës janë ngjitur në katin e dytë të stadiumit dhe kanë marrë fikëset e zjarrit të vendosura atje dhe kanë sulmuar tifozët e Vllaznisë. Si kundërpërgjigje, tifozët kuqeblu ka thyer stola e xhama për t’i gjuajtur.

Është dashur ndërhyrja e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë për të vënë situatën në  kontroll. Policia arriti të identifikonte disa prej tifozëve që shkaktuan këto trazira, duke i shoqëruar. Sipas Kodit Penal, nga 25 shtatori 2019 kush kryen dhune në stadium dënohet me 3 vite burg.

Pjesa e dytë nisi me 15 minuta vonesë, duke vendosur mbylljen e ndeshjes 0-0. Kjo ndeshje po monitorohej për sigurinë nga ekspertët e UEFA-s, pasi në stadiumin Air Albania do të luhet finalja Conference League.

Kontaktuar nga gazetari i Report Tv, Ernest Koçi nëse një incident i tillë vë në pikëpyetje finalen e madhe, FSHF është shprehur se nuk ka ndikim.

"Nuk kanë ndikim, incidentet ndodhin kudo. Finalen e organizon UEFA vetë, organizimi i tyre është thuajse perfekt. Ekspertet vijnë e shohin në praktikë, një ndeshje në stadiumin e finales, është vizitë rutine, do këtë edhe shumë të tjera", tha FSHF, megjithatë mbetet për t'u parë.

Kjo ndeshje që në momentin kur u hapën dyert për futjen e tifozëve nisi me problematika dhe dështim të sigurisë, pasi shumë tifozë nuk mundën të hynin në stadium. Kjo pasi në moment të fundit, tifozëve u është kërkuar karta e identitetit. Kjo i ka kapur të papërgatitur shumë prej tyre dhe për rrjedhojë kanë humbur mundësinë për t'u futur në stadium.  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:50
Eksperimentet e UEFA-s me Air Albania, tifozët mbesin jashtë për derbin Tirana-Vllaznia

Masat e sigurisë të shtuara janë bërë pengesë qe shumë tifozë të humbasin ndeshjen derbi Tirana-Vllaznia këtë të shtunë në Air Albania.

Për shkak se ekspertët e UEFA-s po bëjnë prova për Conference League, finalja e së cilës do luhet në maj në Air Albania, tifozëve u është kërkuar në momentin e fundit karta e identitetit. Kjo i ka kapur të papërgatitur shumë prej tyre dhe për rrjedhojë kanë humbur mundësinë për tu futur në stadium.

Për rrjedhojë klubi i Tiranës shpërndau edhe një njoftim për mediat ku thuhet:

"Pershendetje!  Ne prag te ndeshjes KF Tirana-KF Vllaznia klubi njofton te gjitha mediat se kordoni policor nuk lejon tifozerine per tu futur ne stadium. Thirrje qe i behet te gjitha mediave per komunikimin dhe mbulimin e ketij rasti."

UEFA po mban nën monitorim stadiumin duke bërë prova që të jetë gati për në maj për finalen europiane.