Deimel: Statusi i kandidatit për
Shqipërinë ka rëndësi psikologjike

Deimel: Statusi i kandidatit për<br />Shqipërinë ka rëndësi psikologjike
Zëvendësdrejtoresha e Shoqatës së Europës Juglindore, Dr. Johanna Deimel në një intervistë për "Deutsche welle" ka folur mbi pritshmëritë e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, për goditjen dhënë trafikut të drogës në Lazarat, si dhe është ndalur tek trazirat në Mitrovicë.

Kosova u trondit nga trazirat në fundjavë në Mitrovicë, të cilat treguan se sa e brishtë është ende gjendja në Veriun e Kosovës. Sa rrezik ka që barrikadat të rikthejnë kohën e trazirave?
Në gjendjen aktuale, shpresa ime kryesore është që të mos kemi më trazira e shkallëzim të tyre në rajone të tjera.

Këto trazira vijnë menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, e pas vlerësimit pozitiv, pasi serbët morën pjesë për herë të parë në to, megjithëse me pakicë. Në këtë kohë trazirat janë shuplakë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Mund të llogarisim me zhvillime regresive?

Unë mendoj se gjithça që po ndodh tani, do parë në dritën e zgjedhjeve dhe krizës aktuale politike në Kosovë. Për sa kohë ende nuk është sqaruar, se kush, pra cilat parti do të krijojnë qeverinë e re, klima politike mbetet e tensionuar. Unë mendoj se është shumë e rrezikshme pikërisht në këtë situatë të dëgjojmë zëra nga parti potencialisht qeverisëse që e vënë në pikëpyetje dialogun e nisur. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka arritur shumë rezultate, madje është arritur shumë për vetë Kosovën, dhe tani do duhej të punohet për një çimentim dhe implementim të rezultateve të tij.

Zonja Deimel, takimi i Ministrave të Jashtëm të BE-së është një ngjarje shumë e rëndësishme për Shqipërinë, që pret dritën jeshile për statusin e vendit kandidat në BE, vendimi pritet pastaj në samitin në fund të qershorit. Sa pranë është Shqipëria, ose ndryshe sa pranë do ta ketë BE Shqipërinë?
Shenjat janë vërtet të mira që Shqipërisë t'i jepet statusi kandidat. Por shpresoj shumë që të 28 vendet anëtare të BE-së, t'i bashkangjiten rekomandimit rishtazi të Komisionit Europian. Tani kur edhe marrëdhëniet bilaterale me Republikën Çeke po i afrohen një zgjidhjeje, duket se rruga për Shqipërinë është e hapur. Dëshira dhe vullneti për integrimin europian është përcaktues për të gjithë spektrin politik shqiptar, këtu bën pjesë edhe statusi kandidat, e më pas hapi tjetër edhe më i madh, fillimi i negociatave.

DW: Po, por së fundmi u publikua një sondazh i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, ku vihet re rënia e entuziazmit për BE-nëm nga mbi 80% në 2011, në 77%. Po humbet fuqia e rrezatimit të BE-së për shkak të problemeve që ka unioni, apo kjo rënie duhet t'i faturohet politikës shqiptare?
Shqipëria duhet të hyjë në BE, këtë e di dhe e do populli shqiptar. Po edhe tani mbështetja për BE-në është shumë e lartë, megjithëse ka rënë disi. Sigurisht kjo rënie lidhet edhe me kohën e gjatë të pritjes, vendimit të shtyrë disa herë, nëse Shqipëria duhet ta marrë statusin kandidat apo jo, e me çdo rezultat negativ është rritur frustrimi dhe ka zënë vend një lloj lodhjeje me Europën. Prandaj statusi i vendit kandidat është psikologjikisht i rëndësishëm.
Politika shiptare pa dyshim që në vitet e fundit ka pasur vështirësi të mëdha. Qeveria e re nën Edi Ramën ka ndërmarrë shumë hapa konkretë në drejtim të integrimit europian. Me këtë lidhen edhe reforma të dhimbshme që prishin strukturat e vjetra dhe vënë në pikëpyetje disa beneficione, e sigurisht ato mund të shkaktojnë pasiguri dhe reagime negative tek popullata. Por ende mbështetja e popullit për integrimin është shumë e lartë, siç e thashë, kjo është një gjë e mirë dhe e rëndësishme për të ardhmen.

Lazarati – deri më tani një njollë e errët e imazhit të Shqipërisë – u shkatërrua si një territor prodhimi i drogës. Ishte hapi i duhur në momentin e duhur?
Po, pa asnjë dyshim ky është një sinjal i rëndësishëm që i jepet bashkësisë ndërkombëtare dhe 28-vendeve të BE-së. Komisioni i BE-së reagoi menjëherë, duke vlerësuar aksionin në Lazarat si një hap të rëndësishëm që Shqipëria ndërmerr kundër trafikut të drogës dhe kriminalitetit të organizuar. Shqipëria konsiderohet për fat të keq një vend i rëndësishëm i tregtisë së drogës – kjo nuk prek vetëm kultivimin e saj, si plantazhet e kanabisit në Lazarat, por Shqipëria shihet si vend tranzit i rëndësishëm i tregut ndërkombëtar të drogës. Aksionet në Lazarat ishin në kohën e duhur dhe u vunë në skenë në mënyrë spektakolare. Dhe sigurisht pamje të tilla ndihmojnë.

Aksioni erdhi pasi Shqipëria u përfshi nga lajmet e tregtisë së drogës me avionë, apo lajme për implikim të forcave të armatosura. Opozita vlerësoi aksionin e policisë, por e akuzon qeverinë se nuk po pret rrënjët e lidhjeve të drogës me këtë aksion. Mund të flasim tani pas këtij aksioni për një epokë të re të shtetit në Shqipëri, apo pas një viti do të flasim për të njëjtat probleme me trafikun e drogës?
Sigurisht ky është vetëm një fillim i rëndësishëm në luftën kundër trafikut të drogës. Po qe se shifrat që kam lexuar unë qëndrojnë, atëherë Lazarati ka prodhuar drogë në vlerën e 4,5 miliardë eurove në vit. Kjo është një shumë gjigande. Tani pas aksionit në Lazarat duhet të vijnë veprime, si nxjerrja para drejtësisë e personave përgjegjës. Por me këtë trafiku i drogës në Shqipëri ka marrë vërtet një goditje të rëndë. Por do të ishte iluzore të besohej se me këtë merr fund trafiku i drogës. Këtu ka ende shumë për të bërë për të prerë lidhjen e trafikut kombëtar të drogës me atë ndërkombëtar.

Krahas kritereve si lufta kundër kriminalitetit të organizuar dhe trafikut të drogës, BE pret ende suksese të tjera nga Shqipëria, - një drejtësi të pavarur, një administratë të depolitizuar etj. Si i gjykoni arritjet e qeverisë në këtë drejtim?
Edhe në këtë fushë janë bërë disa lëvzje. Unë e mbështes rekomandimin e Komisionit, kur thotë në raport se Shqipëria në bashkëpunim me Komisionin e Venecias po punon në drejtim të përmirësimit të sistemit të drejtësisë. Kjo sigurisht nuk bëhet në një ditë, por është e paevitueshme.

Le të marrim si të mirëqenë statusin kandidat në fund të qershorit, çfarë do të thotë kjo konkretisht për Shqipërinë?
Shqipëria duhet të vazhdojë përgatitjet më pas për hapjen e negociatave. Si në fazën në të cilën ndodhen edhe vendet e tjera kandidate të BE-së, Shqipëria duhet të hapë kapitujt e parë të negociimit, si ai 23 dhe 24 – dhe pikërisht këta janë kapituj të rëndësishëm dhe njëkohësisht të vështirë për Shqipërinë.

Marrë nga "Deutsche Welle"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Kërkojnë qeveri teknike apo bashki teknike?

Kreshnik Spahiu: Kërkojnë qeveri teknike apo bashki teknike?