Juristja Alesia Balliu (pretendente për të kandiduar për kryetare të PD-së, por e përjashtuar nga gara) ka hedhur akuza të forta ndaj Sali Berishës, pas një deklarate ditën e sotme të ambasadorit të Brianisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Abbott, në lidhje me shpalljen Non Grata të kryedemokratit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, duke cituar ambasadorin britanik i cili tha ‘non grata ndaj Berishës nuk është politike, por ligjore’, Balliu i kërkoi kryedemokratit që të mos mashtrojë më shqiptarët, me përalla se sanksionet do të hiqen.

Balliu ka shkruar gjithashtu se për vite me radhë, një pjesë e PD-së është mbajtur peng me gënjeshtra, thashetheme dhe propagandë, vetëm që Berisha dhe rrethi i tij të ruajnë pushtetin dhe pasurinë.

Postimi i Balliut:

E morre vesh për “non gratën”, Berishë frikacaku?

Ambasadori britanik foli qartë: “non grata” e Sali Berishës nuk është politike, por ligjore. Je shpallur i korruptuar, Berishë. Prandaj boll mashtruat demokratët me përralla se do të hiqet sot, nesër apo pasnesër.

Për vite me radhë, një pjesë e PD-së është mbajtur peng me gënjeshtra, thashetheme dhe propagandë, vetëm që Berisha dhe rrethi i tij të ruajnë pushtetin, influencën dhe pasurinë. Ndërkohë demokratët humbin kohë, energji dhe opozita mbetet pa të ardhme.

Berisha pasurohet, demokratët varfërohen!

Demokratët e kanë kuptuar tashmë: halli i Berishës nuk është halli i tyre.


Lajmi kryesor:

Non grata nga Britania e Madhe në fuqi, ambasadori britanik i shuan shpresat Berishës: Nuk është çështje politike, por ligjore