Pak orë para derbit situata në kampin e Partizanit nuk është më e mira. Si të mos mjaftonin pikëpyetjet e shumta për formacionin, pasi Boldor dhe Telushi janë në dyshime, në pikëpyetje është edhe trajneri Lerda. Kjo pasi presidenti Demi ka paralajmëruar se italiani do të shkarkohet në rast se humbet derbin, diçka e cila te kampionët e Shqipërisë nuk ndodh prej 17 ndeshjesh. I pyetur për deklaratën e presidentit, në prag të takimit trajneri Lerda përgjigjet:
“Unë nuk e kuptoj shqipen. Nuk e di çfarë ka thënë presidenti Demi, por nuk kam pse të ndihem në rrezik. Jemi të qetë dhe të përqendruar në atë çfarë duhet të bëjmë. Më vonë nuk e di se çfarë ndodh, por e konsideroj një ndeshje të rëndësishme sepse vlen tre pikë.”
Trajneri Lerda më pas komentoi edhe rivalët, Tiranën, për të cilët foli me fjalë të mëdha.
“E kam parë në ndeshjen e fundit me Kukësin dhe nuk e meritonte të humbiste. Është një skuadër që ka cilësi dhe dora e trajnerit duket në skuadër. Por, është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe do të bëjmë gjithçka për të dalë me sukses.”