Deklarata e Luan Rames

Siç bëhet e ditur nga njoftimet e medias, Drejtoria e Policisë së Tiranës ka filluar çështjen penale ndaj Fiqiri Ismailit, kryetar i Bashkisë së Vorës, njëkohësisht edhe kandidat i Partisë Demokratike për këtë bashki për zgjedhjet e 21 qershorit, pasi nga denoncimet e qytetarëve rezulton se ai ka tentuar të paguajë qytetarë për të blerë në këmbim votën e 21 qershorit. Ky rast nuk është vetëm se një episod në serialin e gjatë të provave të shumta të falsifikimit dhe të përpjekjeve për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve, çka është e bërë e njohur edhe më parë nga media. Ashtu sikundër rezulton që shumë qytetarë vazhdojnë të denoncojnë përpjekje apo veprime konkrete të bëra nga ky kandidat apo nga stafi i tij me synimin e tjetërsimit, të falsifikimit dhe të manipulimit të rezultatit të zgjedhjeve të 21 qershorit.

Në këtë kontekst unë jam këtu që në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të inkurajojë veprimin ligjor të forcave të policisë, të organeve të prokurorisë dhe të gjithë sistemit të organeve të drejtësisë, të cilat duhet të zbatojnë me rreptësi ligjin, të veprojnë të pandikuar nga asnjë presion politik apo nga lobime të tjera të qarqeve të lidhura me kandidatët në garë. Me transparencë dhe ligjshmëri të hetojnë këtë rast dhe çdo rast tjetër që ka të bëjë me këtë shfaqje të korrupsionit elektoral. Ndërkaq kërkojmë që jo vetëm hetimi të jetë rigoroz dhe në përputhje me ligjin por të jetë gjithashtu transparent, të jetë i hapur edhe për vëzhguesit ndërkombëtarë, me qëllim që të gjithë të kuptojmë se çfarë realitetesh të kësaj natyre shfaqen nga kandidatët e Partisë Demokratike, në Vorë apo gjetiu.

Ndërkaq, unë në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim kam përgatitur një shkresë zyrtare, një ftesë zyrtare për të gjithë misionet vëzhguese, në mënyrë të veçantë për misionin vëzhgues të OSBE-ODIHR-it, përfaqësuesve të tjerë të trupit diplomatik në Tiranë, përfaqësuesve të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve të Bashkimit Evropian apo të ambasadave të tjera, të cilat i ftoj të jenë të pranishme në Bashkinë e Vorës nga sot deri në realizimin e zgjedhjeve, sepse kjo javë e fundit do të karakterizohet, sipas informacioneve që ne kemi nga qytetarët, nga tendenca apo përpjekje të tjera të kandidatit të partisë Demokratike për të blerë dhe për të korruptuar votuesit.

Në vazhdën e bashkëpunimit me qytetarët dëshiroj të falënderoj në këtë rast të gjithë ata qytetarë të Vorës, të cilët me shumë seriozitet, me shumë ndershmëri po bashkëpunojnë, duke denoncuar në organet e zbatimit të ligjit përpjekje të tilla të korrupsionit elektoral. Ndërkaq më lejoni t’iu bëj të njohur, që po sot i kam dërguar Prokurorisë së Tiranës kallëzim për ndjekje penale për noterin Shaban Gjoka, i cili është i implikuar pas qindra dëshmive që ne kemi në kryerjen e akti kriminal të përpjekjes për të falsifikuar votën, pasi ky është strumbullari që është marrë me aktin noterial, me plotësimin e dokumentacionit dhe madje sipas dëshmive të publikuara edhe nga mediat ka paguar qytetarët të pranojnë kontrata qiraje me banorë fiktivë që praktikisht nuk janë aktualisht në Bashkinë e Vorës, por vetëm e vetëm që të jenë në dispozicion për zgjedhjet e 21 qershorit.

Edhe një herë theksoj se është shumë e rëndësishme, që e gjithë kjo fazë të karakterizohet nga korrektesa dhe nga luajaliteti, nga qytetaria në procesin zgjedhor, sepse për Lëvizjen Socialiste për Integrim është shumë i rëndësishëm standardi i zgjedhjeve, është shumë e rëndësishme korrektësia e procesit, pastërtia e procesit dhe lënia e qytetarëve të gjykojnë dhe të vendosin me vetëdijen e tyre të pandikuar nga presioni apo nga përpjekjet korruptive që synojnë falsifikimin e votës.
Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë të jetë e vendosur për të denoncuar çdo përpjekje për t’iu drejtuar rrugës ligjore përballë rrugës së shpifjeve, të fyerjeve dhe të falsifikimit dhe të manipulimit që kanë zgjedhur kundërshtarët tanë politikë.

Për Shqipërinë e 2015-s, për Shqipërinë anëtare të NATO-s dhe kandidate për në Bashkimin Evropian, për Shqipërinë evropiane, që aspirojnë të gjithë qytetarët e këtij vendi është, jo vetëm e patolerueshme, por është e dënueshme dhe jam i bindur se qytetarët nuk do të pranojnë më modelin e zgjedhjeve të 1996-s ashtu siç nuk do të pranojnë, por do të refuzojnë dhe do të ndëshkojnë me votë për të zhbërë një herë e përgjithmonë modelin e miellit, modelin e trafikimit, modelin e korrupsionit elektoral.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu