Deklarata e Metës pas marrjes së statusit si vend kandidat për në BE nga Shqipëria

Deklarata për media e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta pas marrjes së statusit si vend kandidat për në BE nga Shqipëria
 
 
Dëshiroj që në emër të Kuvendit të Shqipërisë të përshëndes të gjithë qytetarët shqiptarë, kudo ku ata janë për vendimin e gëzueshëm të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian për miratimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Shqipërinë.
 
Kjo është një arritje jashtëzakonisht e rëndësishme për Shqipërinë, shoqërinë tonë, por edhe gjithë rajonin, në rrugëtimin tonë të mundimshëm drejt destinacionit final, anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
 
Është një sinjal i qartë i lëvizjes në drejtimin e duhur në përpjekjet shumëvjeçare të shndërrimit të vendit në një shoqëri evropiane, në harmoni dhe në përputhje me standardet evropiane.
 
Në një të shkuar jo të largët, ne ishim vendi më i izoluar i Evropës, sot, ne jemi pjesë e saj.
 
Dua të falënderoj posaçërisht gjithë kontributorët e arritjes së kësaj dite, brenda dhe jashtë vendit, duke nisur me qytetarin tonë më të thjeshtë që aspiron prej kohësh anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian e duke përfunduar tek të gjithë aktorët e rëndësishëm të vendimmarrjes sonë, që nga Qeveria e Kryeministrit Rama, opozita dhe të gjithë aktorët e tjerë të rëndësishëm që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë arritje.
 
Por njëkohësisht, dua të falënderoj të gjithë vendet anëtare të cilat në unitet të plotë u shprehën pro dhënies së statusit sot. Në mënyrë të veçantë do të doja të falënderoja presidencën greke për përpjekjet e saj të palodhura gjatë këtyre muajve për të çuar përpara këtë projekt tonin, Komisionin Evropian i cili në mënyrë të qëndrueshme ka dhënë rekomandime pozitive duke vlerësuar në veçanti përpjekjet e muajve të fundit të Shqipërisë për reformat e kërkuara. Por natyrisht do të doja të bëja një falënderim të veçantë për Parlamentin Evropian dhe sidomos për dy grupet kryesore, grupin e Partive Popullore dhe grupin e Partive Socialiste dhe Socialdemokrate për përkrahjen pa rezerva që i kanë dhënë statusit të vendit kandidat për Shqipërinë që në dhjetorin e kaluar.
 
Por tashmë marrja e statusit është e kaluara. Tani duhet të shohim drejt të ardhmes bazuar mbi këtë sukses të rëndësishëm që u arrit sot. Ajo që dje dukej e vështirë dhe e pamundur, sot jo vetëm që është një mundësi, por është edhe një detyrim për të ecur në mënyrë të pandalshme drejt reformave dhe krijimit të kushteve për hapjen e negociatave.
 
Pikërisht e nesërmja jonë është puna për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe ky është një vendim që në radhë të parë duhet të merret dhe do të merret në Tiranë.
 
Ai vendim merret në Tiranë, në përditshmërinë e gjithësecilit prej nesh kur të gjithë të sillemi dhe të punojmë më shumë si evropianë, në politikëbërje, në bashkëpunim dhe debat, në gjithëpërfshirje, në forcimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të qytetarëve, në garantimin e drejtësisë së standardeve evropiane, të pavarur dhe jashtë ndikimit politik, në rivendosjen e plotë të ligjit dhe çdo aspekt të jetës sonë ashtu sikurse ndodhi edhe ditët e fundit edhe në zonën e Lazaratit dhe në shëndoshjen e shëndetësisë e të arsimit, por edhe të infrastrukturës.
 
Ai vendim merret në Tiranë në përpjekjet e përbashkëta për të luftuar varfërinë dhe për të luftuar papunësinë, në sfidën për reforma më të thella dhe gjithëpërfshirëse dhe për ta kthyer Shqipërinë në veçanti, por dhe rajonin tonë në një hapësirë plotësisht normale evropiane.
 
Një shekull më parë në Ballkan nisi Lufta e Parë Botërore, një shekull më pas projekti evropian është tregues si instrumenti i vetëm dhe më i mirë i mundshëm që mund të garantojë për rajonin dhe gjithë Evropën paqen dhe mirëqenien afatgjatë të qytetarëve të Evropës.
 
Sot në këtë ditë të shënuar për vendin, urimet reciproke janë normale. Suksesi nuk përjashton askënd, përkundrazi, bëhet edhe më i madh dhe më i qëndrueshëm kur ndahet në shumë aktorë. Dhe këtu natyrisht do të vlerësojë rolin e Kuvendit aktual, por edhe të Kuvendit të mëparshëm dhe të ish-deputetëve të cilët nuk janë pjesë e Kuvendit aktual, pasi kemi të bëjmë me kurorëzimin e një përpjekjeje 5-vjeçare që nga momenti i aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat.
 
Por unë do të doja të ndaja dhe një ndjesë të fortë ndaj qytetarit shqiptar duke mos folur për suksesin e politikës lokale dhe natyrisht është një moment reflektimi, pasi pritshmëritë e tyre kanë qenë për të arritur këtë sukses edhe më herët.
 
Më shumë se dafina feste, kjo ditë duhet të na kujtojë dhe të shërbejë si një reflektim për të gjithë ne, për atë që duhet të ndryshojë më shumë tek politika jonë, për atë se çfarë duhet të jetë ndryshe, për atë forcë dhe mençuri ende të munguar që do të mundësonte identifikimin e asaj çfarë na bashkon përpara asaj që na ndan, në të majtë a të djathtë në pozitë apo opozitë.
 
Procesi i integrimit evropian duhet të në bashkojë si asnjëherë tjetër si një objektiv kombëtar dhe për të cilin, nuk duhet të ketë më diferencë partiake.
 
Këtë gjë nuk e kemi bërë si duhet dhe sa duhet deri më sot, por shpresojmë shumë që ta bëjmë më mirë duke nisur nga nesër. 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Reshje dëbore në Krujë, pamje spektakolare nga Parku Kombëtar i Qafë-Shtamës