Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi ngriti në Kuvend çështjen e deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik të Kosovës. Muçi pyeti cila është arsyeja që ministrja nuk është shpallur non grata nga Shqipëria, ashtu siç veproi Kosova.
“Çfarë pret qeveria shqiptare dhe kryeministri për të reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës dhe mbështetjes që i dha zv/kryeministri serb? Kosova e ka shpallur non grata ministren. Ky që merret me armiqtë e popullit si ka mundësi që nuk mban qëndirm për një deklaratë të ministres serbe? Ndoshta sepse bashkë me mikun e tij, Vuçiç, i ka zënë i njëjti hall: fakti që rinia i përçmon”, tha Muçi.
Përgjigjja i erdhi nga Taulant Balla që i tha se reagimi ka qenë i menjëhershëm në të gjitha nivelet e nevojshme. Shefi i grupit parlamentar të PS nënvizoi se qeveria “nuk tallet me çështjet kombëtare.”
“Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme, por indinjuese dhe të rëndë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat nga Ministria e Jashtme. Këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, të një kadeti të ri në Kuvend. Nuk tallemi me çështjet kombëtare, s’jemi karagjozë si puna jote! Qëndrimin e kemi mbajtur në nivelin e qeverisë nga ministri i Jashtëm, në nivel politik, kam reaguar përpara teje, ti ishe në gjumë kur kam reaguar unë bashkë me ata që ke në kafazin tënd politik. Ky akt është dënuar nga autoritetet politike përfaqësuese. Sa i përket Edi Ramës, ti dhe shokët e tu duhet të lani gojën mirë se është i vetmi kryeministër që nga 1912 që ka ngritur çështjen e Kosovës”, ia ktheu Balla.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ PD e PL bojkot! PS përplaset me ‘opozitën e re’ për spastrimin etnik në Kosovë! Muçi e Kapri: Rama hesht për ministren serbe! Balla: S’tallemi me çështjet kombëtare











