Policia e Tiranës është angazhuar në mënyrë intensive për zbardhjen e dy ngjarjeve të ndodhura mbrëmjen e së martës në kryeqytet.

Bëjmë edhe një herë me dije publikun se në datë 05.01.2015 rreth orës 19.45, është marrë njoftim në sallën operative të Drejtorisë së Policisë Tiranë për të shtëna me armë zjarri në Rrugën e Kavajës në hyrje të rrugës “Islam Alla”. 

Në vendin e ngjarjes ka shkuar menjëherë patrulla e Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë dhe shërbimet e Patrullave të Përgjithshme të Repartit Shqiponja. Në vendngjarje janë konstatuar dhe fiksuar në cilësinë e provës materiale një sërë gëzhojash të kalibrave të ndryshëm. Po ashtu është sekuestruar edhe një pistoletë tip “Bereta”.

Nga rrethimi i vendit të ngjarjes dhe zonës përreth, në rrugën “Him Kolli”, në një distancë rreth 1 km është gjetur i vrarë shtetasi Arjanit Sterio (Alias), 42 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet paraprake është marrë informacion se në spitalin ushtarak ka shkuar i plagosur shtetasi Pajtim Xhevahir Serjani, 32 vjeç, ndërsa në një spital privat në Tiranë ka shkuar i plagosur me armë zjarri punonjësi i policisë Roland Meta.

 Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera është arritur të saktësohet se rreth orës 19.40, viktima, shtetasi Arjanit Alias ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasit Pajtim Serjani, Roland Meta dhe dy shtetas të tjerë. Pasi ka plagosur me armë shtetasin Serjani, punonjësi i policisë ka reaguar duke i bërë thirrje: Ndal Policia. Në këtë moment vrasësi ka reaguar duke plagosur punonjësin e policisë, i cili edhe në këto kushte i është përgjigjur me shkëmbim zjarri, duke e plagosur rëndë. Shtetasi Arjanit Alias është përpjekur të largohet dhe rreth 1 km më larg ka mbetur i vdekur.

Grupi hetimor nën kryesimin e prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Roland Meta për veprën penale “Vrasje, në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.

Sqarojmë se punonjësi i policisë Roland Meta është pranuar në Policinë e Shtetit në vitin 2005, ndërsa në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale është emëruar në dhjetor të vitit 2007, detyrë që e mban edhe sot.


Nga ana tjeter, po në datë 05.01.2015, rreth orës 20:30 është marrë njoftim në sallën operative të Drejtorisë së Policisë Tiranë së në aksin rrugor Rinas - Kashar ka pasur të shtëna me armë zjarri, ku për pasojë një mjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar jashtë rrugës.

Menjëherë është krijuar grupoi hetimor i kryesuar nga prokurori i prokurorisë së rrethit Tiranë, i cili ka shkuar në vendngjarje dhe ka filluar veprimet hetimore. menjëherë pas njoftimit për shkëmbimin e zjarrit policia është sinjalizuar se në spitalin ushtarak është paraqitur i plagosur me armë zjarri shtetasi Emiljano Shullazi, 36 vjeç, i shoqëruar nga shtetasi Gilmando Dani, vjeç 36, i cili ishte i dëmtuar në kokë nga dalja jashtë rruge e mjetit.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta dy shtetas me automjetin tip “Ëosklsvagen Golf”, me targa “AA 629 HR” kanë qenë duke u kthyer nga Fushë Kruja në drejtim të Tiranës dhe sipas të dhënave paraprake rreth orës 19:30 janë qëlluar me breshëri armësh zjarri nga një mjet tjetër dhe për pasojë kanë humbur kontrollin e mjetit dhe kanë dalë nga rruga. 

 
Në vendngjarje janë gjetur 24 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, një kreher pistolete dhe një kreher automatiku model 56, të cilët janë dërguar për ekzaminim balistik në Drejtorinë e Policisë Shkencore.

Nga hetimet paraprake rezultion se të dyja ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Policia ka ngritur grupe hetimore të drejtuara nga prokurori duke filluar që me veprimet e para në vendngjarje e çdo veprim tjetër, që po bëhet për mbledhjen e provave dhe fakteve për zbardhjen e plotë dhe vënien e autoreve para përgjegjësisë penale. Deri tani, për zbardhjen e rrethanave të të dy ngjarjeve, motiveve dhe autorëve të tyre janë shoqëruar në polici 32 shtetas.

Materialet janë referuar në prokurorinë e rrethit Gjyqësor Tiranë dhe po vazhdojnë hetimet nën drejtimin e prokurorisë, për veprën penale të “Vrasje e kryer në rrethana të tjera cilësuese, e kryer në bashkëpunim, e ngelur në tentativë”.