Për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, duke thënë se nuk do ketë ndryshim kufijsh. I ftuar në Tiranë nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare në konferencën me temë “Shqipëria dhe Kosova në kërkim të së ardhmes së përbashkët", Hoxhaj tha se deklarata e kryeministrit shqiptar Rama për bashkimin duhet parë nga një tjetër perspektivë. Konkretisht, ai nënvizoi se qëndrimi i Prishtinës, sot dhe në të ardhmen, është që harta politike e vendeve të rajonit është e përfunduar dhe kufijtë janë të pandryshueshëm.
Ne, tha Hoxhaj, “do të punojmë se si ta krijojmë një Kosovë evropiane brenda për brenda saj dhe në të njëjtën kohë në bashkëpunim me Shqipërinë”.
Ai shtoi se pas 5 apo 10 vitesh nuk është e mundur që Kosova të mos avancojë dhe të ngelet jashtë sistemit ndërkombëtar, dhe se miqtë e Kosovës duhet ta marrin shumë seriozisht këtë.
Hoxhaj: Harta politike e rajonit është e përfunduar, kufijtë janë të pandryshueshëm
"Reagimet e fundit që kanë të bëjnë me deklaratat e kryeministrit Rama, për mendimin tim, duhet të shihen nga një perspektivë tjetër. Nuk mundet askush, edhe 5 vitet e ardhshme apo 10 vitet e ardhshme, ta lë Kosovën jashtë sistemit ndërkombëtar. Nëse dikujt ia merr mendja që edhe në vitin 2025 ne duhet të jemi jashtë OKB-së, edhe në vitin 2020 ne nuk duhet të jemi anëtarë të Këshillit të Evropës, të OSBE-së..., këto janë dilema që partnerët e Kosovës, miqtë e Kosovës duhet t’i marrin shumë seriozisht pasi nuk mund ta lënë Kosovën ndërkombëtarisht në status quo për një periudhë më të gjatë. Qëndrimi ynë sot si Prishtinë por edhe qëndrimi ynë edhe në të ardhmen është që harta politike e vendeve të rajonit është e përfunduar, kufijtë janë të pandryshueshëm dhe këtu jemi të vendosur që të punojmë se si ta krijojmë një Kosovë evropiane brenda për brenda saj dhe në të njëjtën kohë në bashkëpunim me Shqipërinë dhe me vendet e tjera të rajonit të lëvizim me agjendën tonë të integrimeve evropiane dhe të integrimit të vendit në një sistem ndërkombëtar që është një prej shqetësimeve tona kryesore," tha Enver Hoxhaj.
Ish-shefi i diplomacisë kosovare potencoi se mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka agjendë të fshehur, por në këtë bashkëpunim ka pasur edhe pengesa dhe situata të pakëndshme.
Megjithatë, pavarësisht bashkëpunimit, Shqipëria dhe Kosova mund ta dëmtojnë njëra-tjetrën nëse ecin me qëndrime të ndryshme, nëse nuk ka drejtpeshim, nuanca të njëjta. Hoxhaj theksoi se Kosova nuk duhet të sillet si inferiore ndaj Shqipërisë, ndërsa “fokusi i këtij bashkëpunimi është se si të kemi më shumë mirëqenie për popujt tanë”.
Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)