TIRANE- Pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me festimet për 70-vjetorin e “Kongresit të Përmetit”, ka ardhur edhe reagimi nga institucioni i Kuvendit. Përmes zëdhënësit të Kryetarit të Kuvendit, Emiljano Aleksi, shprehet keqardhje për deklaratat e bëra nga deputeti Berisha.
 
Aleksi thotë se “Parullat komuniste s’kanë të bëjnë me ndonjë pozicionim të Metës, si dhe s’kanë lidhje me aktivitetin e tij”.
 
“Edhe në këtë rast, ekstremet u puqën. Në të njëjtën kohë, u formuluan dy akuza ekstreme; të parët komunistët që pretenduan se Kryetari i Kuvendit nuk respekton ish-diktatorin komunist dhe ish-kryeministri, i vetëkonsideruar si antikomunist, që gjykon se po ringjallet fryma enveriste.
 
Parrullat komuniste dhe shfaqja e portreteve të Hoxhës në datën 24 maj në Përmet nuk kanë të bëjnë aspak me ndonjë pozicionim të mundshëm të Kryetarit të Kuvendit dhe nuk kanë gjithashtu asnjë lidhje me aktivitetin e tij në përkujtim të Kongresit të Përmetit.
 
Zëdhënësi i Kryetarit të Kuvendit konfirmon se qëndrimi i zotit Ilir Meta ndaj historisë së Luftës Antifashiste NacionalÇlirimtare nuk ka të bëjë me figura të veçanta.
 
Qëndrimi i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë është një vlerësim i vendosur dhe pa kompromis i kësaj lufte që e rreshtoi Shqipërinë si fitimtare në rradhët e koalicionit të
madh antifashist ndërkombëtar”, thuhet në reagim.
 
Sipas Aleksit, hapja e debateve të tilla është e dëmshme për vendit, duke u shprehur se historia duhet të vlerësohet në mënyrë objektive.
 
“Hapja ciklike e debateve të tilla është mjaft e dëmshme, është tërësisht e panevojshme dhe është e padobishme. Ato tentojnë ta rifusin sërish Shqipërinë të ndarë në dy llogore antagoniste.
 
Kryetari i Kuvendit beson se në gjykimin e historisë dhe mbi historinë nevojitet qetësi dhe ekuilibër, nevojitet maturi e vetëpërmbajtje dhe jo urrejtje ekstremiste nga e shkuara që tenton të mbartet dhe në të sotmen.
 
Historia duhet të vlerësohet në mënyrë objektive dhe konstruktive, pa komplekse dhe paragjykime politike.
 
Historia e djeshme e Shqipërisë, njëlloj si fotot e sotme të rrjetit social “Facebook”, ku edhe deputeti Berisha është mjaft aktiv, nuk e pranon retushimin mbi baza dhe paragjykime politike”, tha Emiljano Aleksi.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)