TIRANE-Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke iu përgjigjur Presidentit Ilir Meta, i cili nga forumi për sigurinë e Ballkanit kritikoi me tone të ashpra zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Ndër të tjera, kreu i shtetit tha se sot vendi është pa gjykata Kushtetuese.

Por, kreu i qeverisë në postimin e tij në rrjetet sociale thotë se falë vettingut Kushtetuesja sot është një djep bosh pa shejtanin brenda, ndërsa shtron pyetjen a e pengon kjo Presidentin që të mbrojnë datën që ka dekretuar për zgjedhjet lokale, 30 qershorin.

"A e pengon mungesa e Gjykatës Kushtetuese Presidentin e Republikës të mbrojë datën e zgjedhjeve që sipas Kushtetutës ai e ka dekretuar? Falë Vetingut GJK është sot një djep bosh pa shejtanin brenda! Kjo është më shumë se gjysma e një pune të madhe që kërkon durimin e kohën e saj".

Referuar krizës politike, Meta tha se nuk mund të ulë palët pasi kanë qëndrime ekstreme, ndërsa përsëriti se djegia e djegia e mandateve është e papranueshme. Por Rama, thotë se ende nuk e dimë opinionin e Presidentit për përbetimin e opozitës për të djegur zgjedhjet.

"Padiskutim Presidenti ka të drejtë kur thotë djegia e mandateve është e papranueshme po dhe më i papranueshëm është përbetimi për të djegur zgjedhjet! S’e dimë opinionin e Presidentit për këtë dhe bashkë me kritikat e tij,mezi e presim apelin e vonuar në mbrojtje të 30 qershorit" deklaron Rama.