Deklaratat e PS, Bashkia e Tiranës:
Rama bllokoi projektet e kryeqytetit

Deklaratat e PS, Bashkia e Tiranës:<br />Rama bllokoi projektet e kryeqytetit
TIRANE - Bashkia e Tiranës ka reaguar në lidhje me deklaratat e Partisë Socialiste, ku përmes deputetes Blerina Gjylameti akuzoi kryebashkiakun Lulzim Basha se nuk ka mbajtur 22 premtime të dhëna në fushatë.

Në reagimin e saj Bashkia e Tiranës akuzon kryeministrin si gënjeshtar dhe si personin i cili ka kriminalizuar pushtetin. Sipas Bashkisë, Rama pasi betonizoi për 11 vite Tiranën ka bllokuar projektet urbane  të kryeqytetit nga xhelozia.

“Sot, kur gjithë opinioni publik është dëshmitar i kriminalizimit deri në majë të këtij pushteti, kryeministri me i paaftë dhe gënjeshtar në historinë e Shqipërisë ripërtyp gënjeshtrat dhe sulmet e tij bajate ndaj Bashkisë. Ky që betonizoi Tiranën për 11 vite është sot kryeministri që ka krimininalizuar pushtetin, ka rritur papunësinë, thelluar varfërinë dhe pasigurinë. I verbuar nga xhelozia prej dështaku serial, Edi Rama bllokoi ndërtimin e bulevardit të ri, projektit më të madh urban në historinë e kryeqytetit, bllokoi qindra investime publike që hapnin mijëra vende pune dhe përmirësonin cilësinë e jetës së qytetarëve.” thuhet në komunikatën për shtyp.

Në këtë kontekst, Bashkia e Tiranës shprehet se qytetarët do ta ndëshkojnë me votë kryeministrin Rama në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, për t’i thënë jo politikës së mashtrimit dhe varfërisë.

“Në 2 vjet, Bashkia Tiranë përfundoi planin urbanistik, realizoi më shumë punë publike se Edi Rama në 8 vjet, ndërtoi rrugë atje ku s’ka pasur investime për 20 vjet, mbylli plagë që dergjeshin prej dekadash pak metra larg zyrës së Edi Ramës; ndërtoi dhe rindërtoi shkolla, kopshte dhe çerdhe që rrezikonin të shembeshin, sepse kryetari i partisë nuk e kishte mendjen tek qytetarët. Vizioni i Edi Ramës ishte betoni, ndërsa vizioni i Lulzim Bashës, Tirana moderne e europiane, me bulevard të ri, terminal multimodal, transport modern pasagjerësh përmes tramit dhe menaxhim të integruar të mbetjeve është sot një projekt në zbatim, që Edi Rama mund ta vonojë por nuk e ndalon dot. Në 21 qershor, qytetarët e Tiranës do ta ndëshkojnë me votë politikën e bllokimit dhe e gjithë Shqipëria do të rrëzojë politikën e mashtrimit, varfërisë, papunësisë dhe kriminalizimit.” shprehet Bashkia e Kryeqytetit

Në një prononcim për mediat, Kreu i Bashkisë së Tiranës njëherësh edhe kreu i PD Lulzim Basha deklaroi se nuk do të rikandidojë më në këtë post.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Milani humbet dy penallti, De Gea hero! Fiorentina fiton 2-1 kundër kuqezinjve

Milani humbet dy penallti, De Gea hero! Fiorentina fiton 2-1 kundër kuqezinjve