Ndërkohë që ka nisur të dekorohet thuajse i gjithë kryeqyteti. Por ndonëse në sheshin "Skënderbej", ka filluar e merr trajtë atmosfera e festës së 100-vjetorit, në bulevardin kryesor "Dëshmorët e Kombit" dhe në të gjitha akset e tjera ku është premtuar dekorim gjigant, deri më tani janë mjaftuar vetëm me disa shtylla, që janë veshur me një ngjitëse kuq e zi. Këshilltarët socialistë shprehen të pakënaqur, jo vetëm më mënyrën se si po ecën ky proces, por edhe me faktin se bashkia e Tiranës, nuk pranon të bëjë transparente se si do të shpenzohen 66 milionë lekët e reja që ka në dispozicion për dekorin.
"Siç e keni vënë re deri më tani, i vetmi dekor që ka bërë bashkia, janë disa shtylla të veshura me një shirit kuq e zi. Ne nuk e dimë se çfarë ka ndërmend të bëjë bashkia, pasi ajo po e bën çdo gjë në mënyrë misterioze dhe nuk tregon asgjë. Ne si këshilltarë socialistë kërkojmë transparencë të plotë për dekorimin e Tiranës: Çfarë do të bëjë konkretisht bashkia, si do të shpenzohen këto miliona lekë dhe çfarë është më e rëndësishmja, kush është firma që i është besuar dekori i Tiranës, kur u shpall tenderi dhe a janë respektuar afatet për të pasur një garë të ndershme midis të gjithë kompanive të interesuara. Për të gjitha këto ne do të ngremë fort zërin edhe në mbledhjen e këshillit bashkiak që është me datë 20 nëntor", - na thotë Florian Pullazi, këshilltar i majtë në bashkinë e Tiranës.
SI DO DEKOROHET
Sipas relacionit që shoqëron vendimin për shtesën e fondit prej 16 milionë lekëve të reja për dekorin e Tiranës, dhënë nga qeveria, thuhet se përtej dekorimit me shirita ceremoniale me ngjyrat dhe logon e flamurit kombëtarë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", bulevardin "Zogu i Parë" si dhe në Rrugën e Durrësit dhe në rrugën e Elbasanit, gjithashtu do të dekorohen me flamuj ceremonialë rrugët, akset kryesore të qytetit dhe institucionet: nga Rruga e Kavajës, kryqëzimi i sheshit "Willson", tek kryqëzimi tek "Zogu i Zi", tek kryqëzimi "21 Dhjetori", kryqëzimi tek "Brryli", kryqëzimi tek "Vasil Shanto", tek pallati me shigjeta, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, Universiteti Politeknik i Tiranës, ministritë kryesore etj.
PYETJE-PERGJIGJE
Ç'ndodhi një vit më parë me dekorin e Tiranës?
Një vit më parë gazeta "Shqiptarja.com" denoncoi skandalin e dekorit të Tiranës për festat e nëntorit dhe të vitit të ri, pasi dekori iu besua një firmë të re, të sapo krijuar.
Kujt i përkiste kjo firmë?
Bëhej fjalë për "Orange Adversting", me pronarë me 80% të aksioneve Dionis Teqen, biznesmen i njohur në Tiranë që ka lidhje të ngushtë me kunatin e kreut të bashkisë së kryeqytetit, Erion Isufaj dhe 20 % të tjera zotëroheshin nga Odeta Malaj, vajza që i organizoi fushatën elektorale të Bashës për zgjedhjet e 2011.
A ishte ndjekur rruga e duhur për shpalljen e fituesit?
Këtu lindën edhe dyshimet pasi nuk u bë publike asnjëherë as data e hapjes së tenderit, as firmat që morën pjesë në garë dhe as shuma që ishte vënë në dispozicion për dekorin. Ndërsa dyshohet se edhe këtë vit, 66 milionët e dekorit do i jepen së njëjtës kompani.
RAMA
Në faqen e tij në Twitter kreu i socialistëve, Edi Rama, publikoi një foto të dekorit të Tiranës dhe shkruajti: "Pallati i Kulturës dekorohet për 100 vjetorin si të qe Qendër Tregtare që reklamon shkumë rroje me çmim të leverdisshëm".
BASHA
I menjëhershëm ka qenë reagimi i bashkisë duke deklaruar: "Përshëndesim pasionin e papritur të zotit Rama për dekorin e Bashkisë. Edhe pse gjatë 11 vjetëve nuk e dekoroi asnjëherë Tiranën për Festën e Flamurit, më mirë vonë sesa kurrë".
Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com (E Dielë, 18 Nëntor)
(Gre.M/Shqiptarja.com)