Dekorohet Ibrahim Basha, Nishani
Nuk do rresht së kërkuari drejtësi

Dekorohet Ibrahim Basha, Nishani<br />Nuk do rresht së kërkuari drejtësi
TIRANË - 3 muaj pas vdekjes presidenti Nishani ka dekoruar me dekoratën e Artë të Shqiponjës efektivin e forcave të RENEA-s Ibrahim Basha i cili u vra gjatë aksionit në fshatin e Lazaratit për kapjen e një grupi të armatosur. 

Motivacioni për vlerësimin që i jepet pas vdekjes efektivit Ibrahim Basha është: “Për merita dhe shërbime të veçanta në luftë me grupe të strukturuar kriminale për garantimin e rendit dhe sigurisë publike; për trimëri dhe kontribute të spikatura në operacionet luftarake në Afganistan dhe Irak, në mbrojtje të paqes dhe lirisë, në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar”
 
Kreu i Shtetit theksoi se nuk do të rreshtë së kërkuari drejtësi nga organet ligjzbatuese dhe ato gjyqësore drejtësi për efektivin e vrarë dhe dënim për përgjegjësit
"Si President i Republikës, ju garantoj se nuk do të rresht asnjë moment së kërkuari nga organet ligjzbatuese dhe ato gjyqësore që drejtësia për Ibrahimin të bëhet, e plotë dhe fajtorët të marrin dënimin që meritojnë! Që drejtësia të punojë dhe zëri i saj të dëgjohet fort në mbështetje të organeve ligjzbatuese që ndeshen çdo moment me krimin e organizuar! Si Kreu i Shtetit do të vijoj të kërkoj vëmendjen maksimale të organeve shtetërore për krijimin dhe funksionimin e instrumenteve të nevojshme që garantojnë një jetesë normale për vetë efektivët e policisë, për familjet e tyre që jo rrallë janë ndeshur me fatin e keq të ndarjes nga jeta të të dashurit të tyre dhe jo rrallë nuk kanë mundur të gëzojnë kushtet e duhura lehtësuese për fëmijët dhe familjarët e të rënëve në krye të detyrës!” -tha Presidenti Nishani

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani tha gjithashtu se: “si qytetar i këtij vendi, Ibrahimi është dhe miku im, i shumë qytetarëve shqiptarë që duan Shqipërinë, ata të cilët luftojnë çdo ditë për të bërë më të mirën në punën e tyre, për familjen dhe fëmijët e tyre dhe këtë e bëjnë me korrektesë, përkushtim dhe ndershmëri! Njerëz të tillë, siç ishte Ibrahimi, kur janë mes nesh sjellin energji, pozitivitet dhe shpresë, por kur ata largohen fizikisht nga ne lënë pas gjithmonë kujtimin e mirë të virtyteve njerëzore, të parimeve për të cilat ia vlen të përpiqesh në çdo sekondë të jetës.”
 
Jeta e tij ishte e shkurtër, por ishte e jetuar me shumë intensitet, ishte e mbushur me ngjarje shpeshherë me rrezik real të jetës për të, por besoj se kishte një kryetemë, atë të luftës pa ndalim ndaj të keqes, qoftë ky një rrezik real terrorist në Irak dhe Afganistan apo dhe kundra krimit të organizuar dhe elementëve keqbërës këtu në Shqipëri.” – vuri në dukje Presidenti Nishani.
 

Duke nënvizuar se e ka të vështirë të flasë në këtë ceremoni, sepse si shtetari më i lartë ndjen peshën e humbjes të jetës së një efektivi policie dhe akoma më shumë, të një njeriu të mirë, djali energjik dhe burrëror që jetën ia fali Shqipërisë, vendit tonë, Presidenti Nishani u shpreh: “Ne përulemi me mirënjohje dhe respekt ndaj tij, trimërisë dhe dashurisë ndaj vendit që Ibrahimi e ka lënë të gjallë mes nesh, jo vetëm si kujtesë, por mbi të gjitha si refleksion dhe motivim për anëtarët e forcave policore, për ne shtetarët, pavarësisht pozicionit që mbajmë dhe padyshim, mbarë shoqërisë shqiptare!”
 
“Jeta e Ibrahimi nuk ishte një jetë e çuar dëm, përkundrazi, ishte nga ato që lënë shenjë përgjithmonë tek gjithsecili prej nesh, është shembull frymëzimi dhe krenarie për të gjithë ne!” – theksoi Presidenti duke shtuar se: “Ditë si kjo janë jo vetëm ditë kujtese dhe vlerësimi, por mbi të gjitha mbajnë në vetvete thirrjen për të qenë së bashku! Së bashku për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar! Së bashku për të vënë të drejtën në vend, për të vendosur drejtësi jo vetëm për Ibrahimin që të prehet i qetë në shtëpinë e Zotit, por dhe për ata qindra ish kolegë të tjerë të Ibrahimit që kanë humbur jetën dhe që e rrezikojnë atë në luftën që zhvillojnë kundër krimit të organizuar!”

Apeli i Presidentit të Republikës gjatë ceremonisë së sotme drejtuar të pranishmëve ishte: “për të qenë krah për krah njëri-tjetrit, me besim dhe ndershmëri, me atdhedashuri të punojmë çdo ditë! Për të mirën tonë, të familjeve tona dhe shoqërisë në tërësi! Duke ju falënderuar për punën që kryeni, sakrificat që bëni dhe duke ju kërkuar të vijoni në këtë rrugë!
 
“Është më e vështira, disa herë dhe më e dhimbshmja, por kur jeni të bashkuar, kur mbështeteni krah shoqi shoqit me sinqeritet dhe përkushtim, krimi friket dhe nuk gjen vrimë ku të futet! Me guxim, ndershmëri dhe përkushtim, të gjithë bashkë do ta bëjmë Shqipërinë vendin e shpresës, pjesëtare të denjë të familjes evropiane, e duam të tillë të gjithë ne dhe në këtë përpjekje nuk jemi vetëm, kemi me vete edhe miqtë tanë euro-atlantikë!” – përfundoi fjalën e Tij Kreu i Shtetit shqiptar.
 
Furgoni i policisë me të cilin Ibrahim Basha dhe dy kolegët e tij po shkonin për të kapur grupin e armatosur që kishte qëlluar mesnatën e 22 Qershorit ndaj policisë u qëllua me breshëri plumbash, ku fatkeqësisht efektivi i RENEA-s Basha humbi jetën, ndërsa kolegët e tij Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj morën vetëm plagë të lehta.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Mbyllja e TikTok në Shqipëri/ The Telegraph: Ndalimi i parë i këtij lloji në Europë

Mbyllja e TikTok në Shqipëri/ The Telegraph: Ndalimi i parë i këtij lloji në Europë