Dekreti, Nishani sulm Ramës:
Visar Zhiti kurthi yt politik, turp!

Dekreti, Nishani sulm Ramës:<br />Visar Zhiti kurthi yt politik, turp!
TIRANE - Mosdekretimi i Visar Zhitit ambasador në Vatikan ka përshkallëzuar edhe më tej përplasjen mes mazhorancës dhe kreut të shtetit. Deklarata e parë publike e kryeministrit Edi Rama kundër refuzimit që presidenti ka deklaruar ndaj kësaj kandidature, ngjalli reagimin e ashpër të kreut të Shtetit Bujar Nishani.

Presidenti i Republikës iu përgjigj po nëpërmjet Facebook-ut deklaratës të kreut të qeverisë se po e dënon Visar Zhitin për herë të dytë pas burgut në kohën e regjimit komunist, për qëllime sipas tij, politike. Refuzimi i Zhitit, Rama: Është ridënim per poetin

Në shkrimin e tij Nishani thotë se Zhiti është kurth politik i Ramës, duke e argumentuar këtë me faktin e moskonsultimit paraprak të mazhorancës me kreun e shtetit për kandidaturën. Presidenti Bujar Nishani thotë se shkelja e vazhdueshme që kryeministri i bën procedurave ligjore, tregon sipas tij mungesë serioziteti.

Nishani: Zhiti kurth i Ramës, e kandidon jashtë procedurave në pritje të refuzimit
“Visar Zhiti është i propozuar prej Kryeministrit për ambasador në Vatikan pa kushtin themelor, ligjor procedural, të thënë, të njohur, të shpallur dhe të përsëritur; Konsultimin paraprak me Presidentin e Republikës. Kryeministri nuk e di se në tryezën e Presidentit asgjë dhe askurrë nuk është thjesht "për firmë". Me këtë padijë kaq të thellë procedurale Kryeministri provon për të disatën herë një mungese serioziteti sa të pabesueshme dhe të papranueshme për një Kryeministër. Kryeministri duhet ta mësojë një herë e përgjithmonë se dekretimi apo mos-dekretimi i ambasadorëve, është e drejtë ligjore e e patjetërsueshme e Presidentit të Republikës. Visar Zhitin nuk po e ridënon Presidenti. Visar Zhitin po e turpëron dhe riturpëron, dënon dhe ridënon Kryeministri përmes një kurthi duke e kandiduar jashtë procedurave në pritje të refuzimit. Për Visar Zhitin nuk është ridënim të mos e bësh ambasador. Për Visar Zhitin është ridënim ta përdorësh për politikë”, shkruan Nishani.

Nishani: Rama s’lë rast pa shou, Zhiti viktimë e shpifjeve të shëmbëlltyrave të sigurimit, sot ndikojnë në vendimarrje
Në shkrimin e tij në rrjetin social, kreu i shtetit hedh akuza të forta kur thotë se kandidati për përfaqësues të selisë tonë diplomatike në Vatikan Visar Zhiti, është viktimë e shpifjeve të shëmbëlltyrave të sigurimit, që sipas tij, sot ndikojnë në vendimmarrje.

“Kryeministri nuk lë rast pa dëshmuar se preferon shoun, ekzibicionin, gjestet, pra kollajllëkun, shumë më tepër se thellësinë, seriozitetin, punët. Fjalët e fryra të Kryeministrit janë tullumbace sapuni pa asnjë peshë që plasin dhe zhduken nga prekja më e lehtë me cilindo argument.
Kryeministri nuk e di, ose bën sikur nuk e di, se Visar Zhiti nuk është nga poetët "e rrallë" të burgosur të diktaturës, por njëri prej tyre. Vetë Visar Zhitit i vjen turp nga cilësimi "i rrallë'. Po, Visar Zhiti nuk ka shpifur për askënd. Për Visar Zhitin kanë shpifur pafund shëmbëlltyrat e barrikadës sigurimise qe ndikojnë sot vendim-marrjen”,
shkruan Presidenti Nishani.

Komentet për presidentin? Nishani: Rama ose të zotohet ose të turpërohet!
Në pjesën e fundit të reagimit së tij në Facebook, Presidenti Nishani ka ashpërsuar edhe më tej gjuhën ndaj kryeministrit, duke u fokusuar në deklaratën e Ramës se “ishte zotuar të mos komentojë në publik kundërshtitë ndaj Presidentit”. Kreu i shtetit thotë se nuk përbën asnjë meritë fakti që kryeministri të mos komentojë Presidentin, por se nga ana tjetër sipas tij, Rama nuk duhet të vetlëvdohet me faktin që nuk mbajti zotimin!
 
Kryeministrit nuk i lypset të zotohet të mos e komentojë Presidentin. Të mos e komentoje Kryeministri Presidentin është një minimum etike që, si e tillë, nuk përbën asnjë meritë, nuk meriton asnjë lëvdatë, e aq më pak autolëvdatë. Megjithatë, nëse gjithsesi, një zotim ose bëhet dhe mbahet dhe zotuesi lëvdohet, ose bëhet dhe nuk mbahet dhe zotuesi turpërohet. Se ta bësh një zotim, të vetlëvdohesh se e ke bërë, dhe, përtej çdo rrethane apo çfarëdo kombinimi sado të pafavorshme rrethanash, zotimin të mos e mbash, zotuesi nuk mundet, si po bën Kryeministri, që vetlëvdohet. Por mesa duket nga lëvdimi, autolëvdimi, turpërimi, autoturpërimi Kryeministri ynë nuk ka asnjë haber. Prandaj dhe lëvdatat e vetlëvdatat i bën dhe i ribën edhe kur zotimin e mban edhe kur zotimin nuk e mban, çka është një turp që s'ka kandar që e peshon. "Argumentat nuk numërohen, argumentet peshohen", thotë një fjalë latine e pakontestuar nga kurrkush deri më sot. Kryeministri ynë fatkeqësisht këtë pohim nuk e respekton”, përfundon reagimi i Presidentit.
 
Statusi i plote i presidentit Nishani
 


Statusi i plote i kryeministrit Rama
 


Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Arben Meçe: Kupola drejtuese, fatkeqësia e PD-së! Miltantët janë distancuar prej tyre, duhet të japin dorëheqjen

Arben Meçe: Kupola drejtuese, fatkeqësia e PD-së! Miltantët janë distancuar prej tyre, duhet të japin dorëheqjen