Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, në mbledhjen e djeshme të Këshillit për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin, kanë rënë dakord për të ngritur një grup pune, për hartimin e një kuadri të ri ligjor, me qëllim për të pastruar parlamentin, tashmë nga deputetët që kanë lidhje me krimin.
“Parlamenti sot ka në përbërje të tij deputetë me rekorde të tmerrshme kriminale, e cila është evidentuar qartë nga raporti i OSBE-së për zgjedhjet e 2017-ës, ku në faqen 11 parashikohet se deputetë me të dhëna kriminale janë futur në Parlament. Ka deputetë të cilët kanë lidhje me krimin dhe me njerëz të botës së krimit, ka deputetë të cilët kanë përfituar fonde publike në emër të tyre, apo familjarëve të tyre përfshirë dhe një situatë të rëndë që ka të bëjë me drejtimin arbitrar dhe arrogant të Parlamentit nga kryetari i Parlamentit. Këto janë çështje të cilat duhen adresuar domosdo në një kuadër rregullator si ky që mund të jetë “Kodi i Etikës së Parlamentit”. Në këtë pikë pati diskutime edhe nga deputetë të mazhorancës dhe në përfundim u ra dakord që një grup pune me deputetë të Grupeve Parlamentare, të adresojë këto shqetësime që kanë të bëjnë me një hartimin e një kuadri ligjor, i cili të pastrojë Parlamentin nga deputetët me rekorde kriminale”, tha deputeti i PD, pas mbledhjes së Këshillit për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin.
Deputetët që rrezikojnë
Nëse ligji i dekriminalizimit godiste deputetët me rekorde kriminale, kuadri i ri ligjor synon të godasë deputetët, të cilët kanë lidhje me krimin apo që janë financuar nga krimi. Të paktën kështu pretendojnë demokratët.
“Deputetët të cilët kanë lidhje me krimin, lidhje familjare me krimin, lidhje shoqërore me krimin, janë financuar nga paratë e errëta të krimit të organizuar duhet të largohen dhe të lënë mandatin. Deputetë që kanë përfituar fonde publike, kocensione drejtpërdrejt, personalisht, apo nëpërmjet fëmijëve të tyre, duhet të lënë mandatin dhe të largohen. Drejtimi i Parlamentit dhe institucioni që do të menaxhojë të gjithë këtë proces, duhet të përfshijë një rol substancial të opozitës në mënyrë që të jetë efektiv sipas modeleve perëndimore. Këto janë çështjet që do të diskutohen nga grupi i punës që do të ngrihet dhe pastaj pas tre javësh ky grup do të paraqesë një dokument. Ky ishte vullneti i opozitës në këtë Këshill, pra për të pastruar Parlamentin”, pohoi deputeti Halimi.
Pretendimi i PD
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh disa ditë më parë se krimi ka nisur të përshtatet me ligjin e dekriminalizimit. Sipas tij, të inkriminuarit nuk kandiduan në zgjedhjet e 2017, por dërguan në parlament njerëzit e tyre.
“Krimi, mafia ka nisur përshtatjen me ligjin e dekriminalizimit dhe përshtatja është që nuk çojnë më përdhunuesin, trafikantin, vrasësin, por çunin e hallës, çunin e dajës, vëllain, vajzën, apo shokun, biznesmenin dhe nga ana tjetër edhe PS, Edi Rama, ka hedhur një hap për ta perfeksionuar skemën. Nëse më parë bashkëpunonin aktivistë, drejtues të PS-së në terren, me bandat kriminale, për shpërndarjen e parave, tani PS me një kontratë, u thotë urdhëroni bandat e Shkodrës, Lezhës, Laçit, kjo është shuma e parave, ky është objektivi, kryeni punën dhe hajdeni merrni shpërblimin që ju takon. Pra, kemi një fazë të sofistikuar krim-politikë. Ndaj, na duhet një përqasje e vendosur, për të shpërbërë në radhë të parë këtë bashkëpunim. Dhe shpërbërja nuk nis nga komponenti kriminal, nis nga komponenti politik. Nga koka. Nëse ne godasim kokën politike të mafias, atëherë kemi të gjitha shanset të shkatërrojmë dhe të shpërbëjmë organizatën që vepron në terren”, tha Basha.
Deputetët që rrezikojnë
Deputetët që kanë lidhje me krimin.
Deputetët që kanë lidhje familjare me krimin.
Deputetët që janë financuar nga paratë e errëta të krimit.
Deputetë që kanë përfituar fonde publike.
Deputetë që kanë përfituar kocensione drejtpërdrejt.
Deputetë që kanë përfituar kocensione nëpërmjet fëmijëve të tyre.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com