Ndryshimet
Amendimi i Kushtetutës do t’i çelë rrugë zbatimit të ligjit të posaçëm për dekriminalizimin, i cili u miratua fundjavën e kaluar, pas 1 viti debati të fortë parlamentar mes dy krahëve të politikës. Ndonëse opozita kishte propozuar një paketë ndryshimesh Kushtetuese me 17 nene, me konsensus dy palësh dje është vendosur që ndërhyrja në Kushtetutë të bëhet vetëm në katër nene, por duke përfshirë në këto të gjitha pikat e propozuara nga Partia Demokratike. Kësisoj, në nenin 6 të Kushtetutës ku thuhet se;
“Organizimi dhe funksionimi i organeve të parashikuara në këtë Kushtetutë rregullohen me ligjet e tyre përkatëse, përveç rasteve kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe”..., shtohet dhe një pikë ku pritet të saktësohet se do “të ketë ligj të posaçëm mbi integritetin e personave që do të punojnë në funksione Kushtetuese apo dhe në organet e krijuara me ligj”, thanë burimet.
Ne nenin 45 të ligjit themeltar të Shtetit, pas pikës 1 ku parashikohet se, “çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet”, do të shtohet dhe një pikë e cila ka të bëjë me rastet e kufizimit të drejtës për tu zgjedhur. Në nenin 131 të Kushtetutës, ku thuhet se Gjykata Kushtetuese vendos për pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën, pas pikës f) shtohet dhe një pikë e cila do të përcaktojë çështjet që lidhen me konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit publik të organeve të parashikuara nga Kushtetuta. Përsa i përket ndryshimit të katërt që do të propozohet të amendohet, mësohet se do të jetë neni 179 të cilit i shtohet një pikë. Në këtë nen do të përcaktohen rastet kur mandati i deputetit shkon në Gjykatën kushtetuese.
Për këtë ka propozuar se “kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligji për konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit publik, nuk veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 1/5 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, çështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetutës, e cila vendos konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat sipas ligjit të posaçëm”. Pikë kjo që pritet të shtohet në Kushtetutë. Katër ndryshimet Kushtetuese do të miratohen mbledhjen e ardhshme të komisionit, për t’iu përcjellë më pas seancës së Kuvendit.
Konsensusi
Gjatë mbledhjes së djeshme të komisionit parlamentar për dekriminalizimin, mazhoranca dhe opozita miratuan me konsensus në parim, amendamentet kushtetuese për zbatimin e ligjit të posçëm. Kryetari i Komisionit të Posaçëm, Oerd Bylykbashi dhe nënkryetari, Taulant Balla në përfundim të mbledhjes dolën në një deklaratë për mediet ku thanë se ende nuk është mbyllur procesi i konsultimit për ndryshimet Kushtetuese. “Ka nevojë që të vazhdojmë diskutimin në aspakëtin teknik. Në një moment të dytë do të mbyllim çdo nen të kësaj paket. Komisioni do të mblidhet sërish në ditët në vijim”, tha Bylykbashi. “Ka rregulla strikte sesi ndryshohet Kushtetuta. Ligji ka bërë të domosdoshëm ndërhyrjen në Kushtetutë. Kushtetuta është një ligj që nuk ndryshohet brenda një nate, kërkohen konsulta publike”, tha Balla. Edhe deputeti i LSI-së Spartak Braho mbështeti propozimin për ndryshimin e Kushtetutës në vetëm 4 nene.
Balla
“Procesi i konsultimit për ndryshimet Kushtetuese ende nuk është mbyllur. Ka nevojë që të vazhdojmë diskutimin në aspektin teknik. Në një moment të dytë do të mbyllim çdo nen të kësaj pakete. Komisioni i posaçëm do të mblidhet sërish në ditët në vijim, për ta miratuar”
Bylykbashi
“Do diskutojmë ndryshimet kushtetuese, të cilat do i
kalojnë Parlamentit. Ndërhyrjet në Kushtetutë do të jenë minimale dhe do të bëhen për t’i hapur rrugë zbatimit të ligjit. Ka nevojë të vazhdojë diskutimi në aspektin teknik, e cila do përmbyllet mbledhjen e ardhshme
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Nentor 2015
Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)