....
Nisin të vihen në jetë hapat e parë konkret për procesin e dekriminalizimit të politikës dhe administratës në Shqipëri. Në komisionet parlamentare do të diskutohen dy draftet e dekriminalizimit, projektligji i miratuar nga qeveria dhe draft-propozimi i Partisë Demokratike. Kryeparlamentari Ilir Meta, i cili pas Ramës dje në parlament, konfirmoi “nxjerrjen jashtë loje” të komisionit të posaçëm që u ngrit për këtë proces, i bëri apel forcave kundërshtare politike që të gjejnë konsensusin dhe të lënë jashtë interesat e ngushtë partiakë.
Meta tha se diferencat mes drafteve janë të vogla, ndaj kërkoi që të mos gjendet “pretekste” për ta zgjatur pa fund procesin e dekriminalizimit….Por ashtu sic përvoja politike ka dëshmuar më parë, Metës ju desh të sqarojë se çfarë do të ndodhë nëse palët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët mes tyre për të dalë vetëm me një projektligj të plotë për dekriminalizimin....Në këtë “ngërç” të mundshëm, Shqipëria do t’i drejtohet sërish ndërkombëtarëve.
"Jemi shumë pranë finalizimit të këtij procesi, pavarësisht retorikave konfliktuale, apo përjashtuese me motive politike, sepse të gjitha palët kanë shprehur angazhimin dhe vullnetin për të përmbushur këtë proces që vjen si një detyrim i dakortësuar në marrëveshjen pozitë-opozitë të dhjetorit të vitit të kaluar. Unë jam i bindur se edhe pse tashmë kemi dy iniciativa, një nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, dhe një nga ana e qeverisë, me arsyetimet përkatëse të cilat janë bërë publike, në thelbin e tyre të dy propozimet kanë një përputhshmëri të qartë. Natyrisht që ka edhe disa dallime, apo disa diferenca, të cilat kërkojnë një frymë më bashkëpunuese dhe gjithmonë me qëllim gjetjen e konsensusit, për të realizuar një proces gjithëpërfshirës në këtë drejtim. Por jam i bindur se edhe në rast se do të jetë e vështirë për arsye të interesave të ngushta politike apo partiake, të lojërave të panevojshme taktike të ditës, rëndësia e këtij procesi, domosdoshmëria e realizimit të tij, do të na rrisë përgjegjshmërinë që për ato pak çështje që mund të mos ketë konsensus apo dakordësi, të kërkojmë ndihmën dhe vlerësimin edhe të partnerëve tanë ndërkombëtar, të cilat janë të interesuar për avancim e këtij procesi. Unë besoj se edhe për ato pak çështje për të cilat ka dallime, gjykime, vlerësime të ndryshme, ne do të kemi mundësi t’u kërkojmë partnerëve tanë një vlerësim, duke iu referuar edhe standardeve më solide euroatlantike në këtë drejtim. Pra eksitojnë të gjithë mundësitë dhe angazhimi për ta përmbyll me sukses këtë proces. Unë nuk dua të ndërhyj në debatin se kush është nisma më e mirë, por është e qartë si drita e diellit, se të dyja këto nisma kanë një përputhshmëri mjaft të gjerë. Kanë disa diferenca, të cilat nuk mund të zbehin thelbin e vullnetit të dyja iniciativave dhe që nuk mendoj se mund të bëhen pengesë që ky proces të zgjatet pafund, apo që këto diferenca të shërbejnë si një pretekst për të mbajtur gjallë një temë, e cila nuk duhet të ekzistonte në politikën shqiptare dhe që i duhet dhënë fund menjëherë në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale. Ritheksoj se në rast se nuk arrijmë dot që këto diferenca t’i zgjidhim me njëri-tjetrin, përsëri besoj se do të kemi mundësinë t’i referohemi përvojave më solide evropiane apo euro-atlantike në këtë drejtim", - u shpreh Meta.
Meta ju kthye edhe një herë procedurës, duke thënë se opozita ishte e para që nxori jashtë loje komisionin e posaçëm.
"Iniciative e Partisë Demokratike, duhet të kishte kaluar përmes komisioni bipartizan që drejtohet nga vetë PD. Megjithatë, PD insistoi për të ecur në mënyrë më të drejtpërdrejtë, duke shfrytëzuar hapësirat që krijon Rregullorja e Parlamentit, dhe aktualisht iniciativa e tyre është pjese e programit të punës së parlamentit”,-tha Meta.
Meta tha se të dyja draftet janë pjesë e programit të punës së parlamentit.
“Qeveria një nismë më e plotë dhe e adreson më në themel këtë fenomen. Është e qartë si drita e diellit që të dyja këto nisma kanë një përputhshmëri shumë të gjerë, kanë edhe diferenca që nuk i bëhen pengesë që ky proces të zgjatet pa fund”, - u shpreh Meta.