Dekriminalizimi, platforma e PD
'Test droge për zyrtarët e lartë'

Dekriminalizimi, platforma e PD<br />'Test droge për zyrtarët e lartë'
TIRANË - Demokratët kanë rikthyer në tryezën e diskutimit politik platformën për dekriminalizimin, të cilën e publikuan në fillim të këtij viti pas marrëveshjes konsensuale me mazhorancën në dhjetor.
 
Nga selia e Partisë Demokratike deputeti Oerd Bylykbashi foli për pikat kryesore të këtij drafti që pastron politikën dhe administratën nga të inkriminuarit, e ku spikat një element shtesë, test droge për të gjithë zyrtarët.

Ndonëse propozimi i mëhershëm i demokratëve nuk u kalua asnjëherë nëpër komisionet parlamentare, që sipas demokratëve përbën një shkelje të kushtetutës, Bylykbashi tha se kjo paketë bën që zyrtarët që rezultojnë të inkriminuar tu ndërpritet mandati.

Sipas kësaj pakete, kushdo që ka një llogari të hapur me drejtësinë e vendeve të tjera duhet të përjashtohet nga përfshirja në politikë. Po ashtu, edhe personat që janë në procese gjykimi dhe hetimi në lidhje me kryerjen e krimeve të rënda.

Sipas PD-së jashtë funksioneve zyrtare duhet të qëndrojnë edhe ata persona që përdorin identitet të ndryshuar ose të dyfishtë. Për tu vërtetuar nëse ata kanë qenë të përfshirë ose jo në veprimtari kriminale në të shkuarën, tha Bylykbashi, - do të merren shenjat e gishtërinjve.

Para prezantimit te drafftit, Basha priti ne takim ambasadorin Lu
Pikërisht në kohën kur demokratët do të publikonin platformën e tyre për dekriminalizimin, në selinë e PD mbërriti ambasadori i SHBA Donald Lu për prezantimin edhe të zëvendësit të tij Henry Jardine.
 
Por në këtë takim që zgjati 45 minuta mësohet të jetë diskutuar në mënyrë specifike për dekriminalizimin, pasi për SHBA ky proces mbetet prioritet kyç i demokracisë në Shqipëri.

Deklarata e Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Dekriminalizimin, Oerd Bylykbashi
 Jam sot këtu për të shpallur para publikut platformën për dekriminalizimin e parlamentit, pushtetit vendor dhe organeve të administratës bazuar mbi raportin e Komisionit të Venecias.

Partia Demokratike propozon ndryshime kushtetuese dhe ligjore për ndërprerjen e menjëhershme të mandateve të deputetëve dhe zyrtarëve me të shkuar kriminale‎ në Shqipëri apo jashtë saj dhe ndalimin e zgjedhjes apo emërimit të këtyre personave në të ardhmen.

Partia Demokratike propozon që ndalimet kushtetuese dhe ligjore të përfshijnë personat që kanë llogari të hapura me drejtësinë e vendeve te tjera. Do të ndalohen të kandidojnë apo të mbajnë funksione publike të gjithë personat të cilët janë në procese hetimi apo gjykimi në vendet e tjera, janë në kërkim ndërkombëtar apo janë dëbuar nga vendet e Bashkimit Europian apo shtete të tjera në lidhje me kryerjen e krimeve të rënda në ato vende. 

Paketa e dispozitave që do të propozojë Partia Demokratike garanton që personat me rekorde kriminale që përdorin identitet të ndryshuar, të dyfishtë apo të shumëfishtë, të mos futen në parlament apo në organet e tjera të pushtetit. Për këtë do të verifikohen shenjat e gishtërinjve.

Shqiptarët meritojnë të kenë të zgjedhur dhe zyrtarë publikë me integritet dhe në nivelin më të lartë etik‎. Në përputhje me praktika të konsoliduara të vendeve demokratike si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Partia Demokratike propozon testin e drogës për zyrtarët e lartë.

Kjo platformë që i paraqitet sot publikut dhe komisionit parlamentar për dekriminalizimin do të shërbejë për hartimin e ndryshimeve ligjore dhe kushtetuese duke filluar nga nisja e sesionit të ri parlamentar, bazuar në modelet me të mira e më të forta euro-amerikane.

Ligji italian i njohur si Ligji Severino do të jetë boshti i këtij propozimi. Por ky model do t'i përshtatet situatës dhe kontekstit të rënduar shqiptar të gradimit me pushtet të personave me rekorde të tmerrshme kriminale që i kanë shpëtuar dënimeve për shkak të dëbimit dhe deportimit për në Shqipëri.

Dekriminalizimi është shprehje vullneti politik. Ky vullnet mbështet çdo ndryshim kushtetues dhe ligjor dhe zbatimin e tyre. Çdo përpjekje për të zbutur apo zvarritur dispozitat që do të propozohen siç ka bërë deri më sot qeveria, është derë e hapur për kriminelët. Kjo është kundër interesit publik dhe kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Shqiptarët nuk meritojnë një tjetër raport ndërkombëtar që konstaton praninë e kriminelëve në parlament, pushtet vendor apo administratë.‎ Kjo Platformë ia heq këtë njollë turpi shqiptarëve.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Ervin Salianji kërkon pezullimin e vendimit të Apelit që e dënoi me 1 vit burg, Gjykata e Lartë shqyrton kërkesën më 15 Tetor! Ja gjyqtari relator

Ervin Salianji kërkon pezullimin e vendimit të Apelit që e dënoi me 1 vit burg, Gjykata e Lartë shqyrton kërkesën më 15 Tetor! Ja gjyqtari relator