“Vetëm nga pikat doganore të Rinasit, të Tiranës e të Durrësit për vitet 1989-1990 në adresë të Drejtorisë së Pritjes kanë ardhur 1 323 koli me inicialin “Drejtoria e Pritjes”, 294 koli me adresë “x-31” dhe “Drejtoria e Shtypit”, ndërsa 335 të tjera në adresë të familjeve të veçanta”
Në fundin e viteve ’80, kur Shqipëria jetonte një nga periudhat më të errëta ekonomike të saj, në varfëri ekstreme, një realitet krejt tjetër zhvillohej brenda mureve të “Bllokut”. Ndërsa qytetarët shqiptarë vuanin në mbijetesë, në adresat e udhëheqjes mbërrinin qindra e mijëra koli me ushqime, veshmbathje e kozmetikë nga vende jashtë Shqipërisë, si nga Vjena, Parisi, Londra e gjetkë.
Në raportin e komisionit të posaçëm hetimor në vitin 1991, për abuzimet brenda bllokut të udhëheqjes komuniste, renditen shifra interesante të shpenzimeve për kozmetikë e veshje luksoze të Nexhmije Hoxhës dhe grave të tjera të bllokut të udhëheqjes. Vetëm në vitet 1989-1990, mbi 1 300 koli hynë në vend me inicialet e institucioneve të pushtetit, qindra të tjera me kode të fshehta, dhe të paktën 335 në emër të familjeve të veçanta.
Në një vend ku mungonte edhe minimumi jetik, familje të udhëheqjes përfitonin dhjetëra e qindra dërgesa individuale, një luks i padëgjuar për kohën. Ky kontrast i thellë mes varfërisë ekstreme të një populli dhe luksit të shfrenuar të një elite të izoluar, nuk është thjesht një kapitull i historisë ekonomike, por një dëshmi e qartë e një sistemi që funksiononte me dy standarde: një për qytetarët dhe një tjetër për udhëheqjen.
Shifrat që dalin në dritë sot nuk janë vetëm numra; ato janë prova konkrete të një realiteti të fshehur, ku privilegji dhe abuzimi bashkëjetonin në heshtje, ndërsa pjesa tjetër e vendit përballej me mbijetesën. Ky fenomen mbeti si trashëgimi edhe për elitën që e pasoi udhëheqjen komuniste.
Pra, nuk ka ndryshim thelbësor edhe sot, kur elita politike vazhdon të jetë e mbytur në luks, ndërsa shqiptarët jetojnë në varfëri. Në pamundësi për jetesë normale, kërkojnë shtigje jete në emigracion. Tema sjell disa detaje nga raporti i vitit 1991 i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për hetimin e veprimtarisë së “Drejtorisë së Pritjes”.
“Vetëm nga pikat doganore të Rinasit, të Tiranës e të Durrësit për vitet 1989-1990 në adresë të Drejtorisë së Pritjes kanë ardhur 1 323 koli me inicialin “Drejtoria e Pritjes”, 294 koli me adresë “x-31” dhe “Drejtoria e Shtypit”, ndërsa 335 të tjera në adresë të familjeve të veçanta. Këto nuk kontrolloheshin nga dogana, pasi i tillë ishte edhe udhëzimi sekret. Këtu nuk llogariten qindra apo mijëra pako të ardhura e të dala nga drejtime e pika doganore të ndryshme, të paregjistruara e pa kontroll doganor. Në këto rrethana nuk gjendet se sa kanë qenë, çfarë është futur dhe çfarë ka dalë nëpërmjet këtyre kolive.
Përveç atyre që kanë ardhur në adresë të Drejtorisë së Pritjes, nuk kanë munguar edhe pakot për familje të veçanta, sigurisht pa tagël dhe kontroll doganor. Kështu, për vitet 1989-1990, familjes së Nexhmije Hoxhës i kanë ardhur 294 koli, familjes së Lumturi Rexhës 18 koli, Simon Stefanit 32 koli, Qirjako Mihalit 25, Haxhi Lleshit 101 koli, Lenka Çukos e Spiro Kolekës nga 24 koli, Besnik Bekteshit 47, Shefqet Peçit 9 dhe të tjerëve nga 6 apo më tepër.
Janë bërë shpenzime të konsiderueshme në valutë për veshje luksoze dhe kozmetikë. Edhe pse nuk ka ndonjë vendim të veçantë për t’u trajtuar udhëheqja partiake dhe shtetërore, si dhe familjet e tyre me veshje apo kozmetikë importi, si dhe me veshje speciale të porositura në vend, çdo vit janë vënë në dispozicion shuma të mëdha në valutë dhe në lekë.
Me urdhër të ish-titullarëve të Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Bankës së Shtetit, nëpërmjet Industrial-Impeksit, për vitet 1988-1990 u janë dhënë ambasadave në Romë, në Vjenë dhe në Paris 457 mijë dollarë për blerje privatisht me dollarë në dorë në dyqanet speciale dhe të modës mallra, si veshmbathje, kozmetikë, pajisje gjuetie, elektroshtëpiake apo ushqimore.
Theksojmë se fondet e dhëna nga Drejtoria e Pritjes dhe të përdorura nga Industrial-Impeksi nëpërmjet edhe ambasadave kanë qenë jashtë kontrollit.
Në disa raste mallrat jashtë shtetit janë blerë nga vetë përdoruesit dhe pagesa e vlerës së tyre është bërë me vonesë nga një deri në tre vjet. Kështu, familja Hoxha në vitin 1988 ka marrë 3 300 dollarë dhe pagesa e vlerës së mallrave të blera me to është bërë në qershor të vitit 1991. Po kështu ka vepruar familja Çarçani për 1 500 dollarë dhe ajo e Qirjako Mihalit për 1 000 dollarë. Në këto ambasada nuk justifikohen sot 91 mijë dollarë. Kjo diferencë dhe të tjera mund të argumentohen nëse janë shpërdorime, abuzime apo shpenzime të padokumentuara vetëm pasi të kryhet kontrolli në vend.
Blerja e veshjeve dhe e artikujve të kozmetikës është bërë me çmime të larta në valutë, ndërsa vlerësimi për pagesë nga ana e përfituesve është bërë me lekë vendi dhe me çmime tepër të ulëta. Ka përfituar më shumë nga diferenca midis valutës së harxhuar dhe çmimit të paguar familja Alia për 174 mijë lekë, familja Hoxha për 84 mijë lekë, Pirro Kondi për 13 700 lekë, Adil Çarçani për 25 200 lekë, Qirjako Mihali për 5 500 lekë, Llambi Gegprifti për 3 300 lekë”, theksohet në raport./TemA
Komente










