VLORE- Përmbytjet e muajit nëntor kanë goditur më rëndë bashkitë e Sarandës, Finiqit, Delvinës. Dëmet më të mëdha janë regjistruar në Sarandë, për shkak të çarjes së argjinaturës së lumit Bistrica në fshatin Çukë.
Kreu i Emergjencave Civile në prefekturën e Vlorës, Robert Skendaj, konfirmon se tashmë ka përfunduar evidentimi i dëmeve në të gjitha bashkitë e qarkut.
Sipas tij, rreth 800 krerë bagëti kanë ngordhur në Sarandë, ndërsa 50 të tjera në Finiq.
Sa i përket sipërfaqeve bujqësore, Skendaj tha se: 600 hektarë tokë bujqësore u përmbytën në Sarandë, 400 hektarë në Finiq, 350 hektarë në Delvinë. 50 hektarë tokë bujqësore u përmbytën në Novoselë te Vlores, ndërsa në Konispol është raportuar prezencë uji në sipërfaqet me agrume.
Në lidhje me intensitetin e reshjeve, Skendaj u shpreh se “për 3 ditë ra shi sa për dy muaj. Nga 19 deri më 21 nëntor ranë 260 mm reshje, sasia që normalisht bie për 60 ditë.”
Grupet e punës kanë përfunduar procesin e evidentimit të dëmeve në infrastrukturë, tokat bujqësore dhe biznese, përfshirë disa subjekte të dëmtuara në Finiq dhe Sarandë si pasojë e çarjes së Bistricës.
Pas evidentimit të dëmeve, pritet përllogaritja financiare, ndërsa Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave u kanë kërkuar bashkive të paraqesin projektet konkrete të ndërhyrjes në zonat e dëmtuara, veçanërisht në urat, segmentet me rrëshqitje dhe aksin rural ku qarkullimi mbetet ende problematik.
Bilanci përfundimtar bashkë me faturën e dëmeve në bujqësi e blegtori do t’i dorëzohet Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Financave, ndërsa dëmshpërblimet pritet të jepen me vendim të Qeverisë.
Komente










