Del dosja 'tepër sekret' për Nënë Terezën: Edhe pse thoshte se nuk dinte shqip, ajo kuptonte shumë mirë

Del dosja 'tepër sekret' për Nënë Terezën: Edhe pse thoshte se nuk dinte shqip, ajo kuptonte shumë mirë

Nënë Tereza

Publikohen dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, të cilat i përkasin një periudhe kohe nga (1969-1991), ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, flet-palosje, fotografi, etj., ku bëhet fjalë për Nënë Terezën e Kalkutës, Shenjtoren e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare, si: “Padmashir”, dhe “Nehru”, nga qeveria indiane në vitin 1963 dhe 1972, “Magnasia” nga qeveria filipinase e cila e shpalli gjithashtu si “Gruaja e merituar e Azisë”, disa çmime paqeje nga SHBA, “Ambrogino i artë” nga Milano, “Nëna universale” në 1974 nga qendra e orientimit të emigrantëve, dhe çmimi ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën.  Kalvari i Nënë Terezës që nga viti 1969, e cila nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86 vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë. I gjithë dokumentacioni i plotë, (tashmë i deklasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës së Shenjtores së famshme, në ndihmë të të varfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar bashkatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me pretekse të ndryshme,  penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkombëtar!

Edhe pse në të gjithë botën ajo njihej si Nënë Tereza e Kalkutës, Bamirësja dhe Shenjtorja e famshme Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare dhe e çmimit ‘Nobel’ për Paqen në vitin 1979, nuk e fshehu kurrë origjinën e saj shqiptare, madje duke kërkuar që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze, italiane etj.,(ku u angazhuan krerët më të lartë të diplomacisë së këtyre dy shteteve), që të vizitonte nënën dhe motrën e saj që jetonin në Tiranë.

Por edhe pse lidhur me kërkesën e vazhdueshme për të vizituar atdheun e saj, asokohe dhe më pas u angazhuan disa prej diplomatëve kryesore të këtyre dy shteteve Perëndimore me të cilat Tirana zyrtare kishte marrëdhënie diplomatike, regjimi komunist i Enver Hoxhës, nuk e lejoi atë kurrsesi të vinte dhe të shikonte nënën e saj që ishte në momentet e fundit të jetës dhe Age Bojaxhi, u nda nga jeta me pengun e madh që s’mundi ta shihte edhe njëherë të bijën e saj, Gonxhen, të cilën s’e kishte pare, që kur ajo ishte fëmijë, kohë kur ajo ishte larguar nga shtëpia për t’u bërë murgeshë.

Por edhe pas kësaj, Nënë Tereza e Kalkutës, siç njihej ajo në të gjithë botën për shkak të misioneve të saj të bamirësisë në ndihmë të të varfërve dhe të vobektëve kudo që ata ndodheshin, në të gjitha skajet e globit, jo vetëm që nuk u zemërua me ata që nuk e lejuan të shihte nënën e saj, para se të ndërronte jetë, por përkundrazi, u lut për ta dhe vijoj të kërkonte pa u lodhur, për vite me radhë, që ajo të vinte një ditë në vendlindjen e të parëve të saj, qoftë dhe për të vënë një tufë me lule mbi varrin e nënës dhe motrës së saj, që tashmë ishin larguar nga jeta.

Por kërkesat e saj, për dy dekada  (nga viti 1969, deri në 1989-ën), hidheshin poshtë me pretekste nga më absurdet nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më pas, pasuesit të tij, Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës, të cilët shikonin pas saj dhe njerëzve që e shoqëronin: një “agjente të Vatikanit”, etj.!

Lidhur me këto si dhe të gjithë kalvarin e saj prej më shumë se dy dekadash për të ardhur në Shqipëri, ku mendonte që të hapte Shtëpitë e Bamirësisë, siç kishte bërë në vende të ndryshme të botës, si dhe arsyen e vërtetë sepse Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, vendosën që ta pranonin atë në vitin 1989, kur dhe erdhi për herë të parë në atdheun e saj, bëhet fjalë në shumë dokumente arkivore, ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, revista, flet-palosje, fotografi, etj., etj., të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al., në rubrikën historike dossier, duke filluar nga ky numër.

Raport-informacion i Kryetarit të Kryqit të Kuq Shqiptar, Ciril Pistoli, lidhur me bisedat e zhvilluara me Nënë Terezën, gjatë shoqërimit të saj nëpër Shqipëri

I n f o r m a c i o n

Shokut Jorgo Melica

Gjatë bisedave me Nënë Terezën, në sallën e pritjes në aeroport dhe gjatë udhëtimit me makinë u fol për gjërat e mëposhtme:

Mbasi e pyeta, tha se nuk din shqip, pasi nuk ka pasur mundësi ta praktikojë me ndonjë tjetër, sepse në Kalkuta nuk ka shqiptar, por din serbishten sepse e ka folur me disa murgj jugosllavë që ndodhen atje.

Mesa munda të marr vesh, ajo e kuptonte shqipen, recitoi disa vargje të një lutjeje fetare dhe kur u largua nga Tirana, në Shtëpinë e Pritjes, foli disa fraza të shkëputura shqip dhe Motra Marije, shoqëruesja e saj, tha se po të rrijë një kohë më të gjatë, ajo do të fliste shqip, do t’i kujtoheshin fjalët.

Të enjten më erdhi në shtëpi, Dodona Vila, e bija e Sabri Qytezës – aktivista i kohës së Rilindjes, e cila ka pasur shoqëri me nënën dhe motrën e Nënë Terezës. Ajo më tha se Nënë Tereza e din shqipen, sepse ajo ka lexuar në vitin 1952, letra që kjo i dërgonte Ages dhe ishin shqip. Dodona më tha se Kolë Bojaxhiun, e kanë helmuar serbët.

Një pyetje për gjendjen e shëndetësisë së popullit. U bisedua për SIDA-n. Më tha se nëse vendi ynë do marri pjesë në konferencën ndërkombëtare shumë të gjerë që do të zhvillohet në Romë. Kur u largua më tha se do t’i thotë kryetarit të konferencës, të na dërgojë ftesë. Unë e njoftova se në Shqipëri nuk ka SIDA, se kemi nxjerrë kuadro për specializim jashtë dhe për diagnostikimin e sëmundjes.

Në pyetjen, a keni qenë në Jugosllavi dhe Kosovë, ajo u përgjigj, se në Jugosllavi ka qenë disa herë, por jo në Kosovë. Me preokupacion më tha se tani gjendja në Kosovë është e rëndë dhe e ndërlikuar.

Pyeti nëse vendi jonë ka institucione bamirësie. Unë i fola për Shtëpitë e Pleqve, që mbahen nga shteti. Më tha se institucione të tilla ajo ka ngritur në Bashkimin Sovjetik, në Kinë, në Kubë, etj. Mendoi të ngrejë një të tillë në Shqipëri dhe dëshironte të sjellë këtu për këtë qëllim, katër motra. Këtë mundësi e ka theksuar disa herë.

Kur e përcollëm, më la përshtypjen se ka mbetur e kënaqur nga vizita, gjatë udhëtimit me makinë duke parë njerëz rrugës, tha se janë të kënaqur dhe të qeshur. Kur shikonte arat e mbjella, të punuara, të gjelbërta, pyeti kështu janë edhe krahinat e tjera të Shqipërisë?

Tha se do qëndroj një ditë në Romë dhe më pas do të shkonte në Kalkuta dhe pas disa ditësh do të shkonte në Kinë.

Ciril Pistoli

Tiranë, 18. 8. 1989

Informacion mbi shtëpinë e familjes Bojaxhiu dhe varret e tyre në varrezat e Tiranës

Të dhëna për shtëpinë dhe varret Bojaxhinjëve

Shtëpia e Bojaxhinjëve është në Rrugën “Hajdari…” (në krah të Ministrisë së Tregtisë së Brendshme), Nr. 41.

Në këtë shtëpi Roza (Drandia) dhe Agia kanë banuar para çlirimit deri nga viti 1944 – 1945.

Shtëpia nuk ka qenë pronë e tyre, kanë banuar me qera.

Shtëpia është blerë me kohë nga Hamdi Zajmi, i cili banon edhe sot. Familje e mirë Kosovare.

Shtëpia origjinale është restauruar nga Matish Ruka, siç ka qenë, rrugica, porta e shtëpisë dhe oborri, me ndonjë ndryshim të vogël.

Shtëpia ka ambiente të mira dhe mund të vizitohet.

Varret

Roza Bojaxhiu

1889 – 1972

Varret në parcela 33

Rradha 2

Varri 5

Varri pa fotografi, pjesa e fundit është thyer, ka nevojë të rregullohet dhe të pastrohet mermeri nga myshqet e ndryshku.

Duhet të rregullohet dhe pastrohet parcela ku ndodhet.

Age Bojaxhiu

1913-1972

Parcela 11

Rradha 2

Varri 24

Varri është prej mermeri me fotografi. I mbajtur shumë mirë. Duhet të lahet mermeri dhe të pastrohet parcela.

Letra e Nënë Terezës për Jorgo Melicën, Kryetarin e Komitetit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit me Botën e Jashtme

I nderuar Z. Melica

Ju u kujdesët shumë mirë për gjithçka gjatë vizitës sime të parë në Shqipëri. Po ju shkruaj në mënyrë që të vazhdojmë të punojmë së bashku.

Duke qenë se ende nuk jam në gjendje të udhëtoj, i kërkova Zhan-it të vinte për t’u takuar me Ju. Mora një letër nga Presidenti dhe shpresoj se ju së bashku do t’i shqyrtoni detajet.

Kam besim të plotë tek ju për sa i përket kësaj çështjes. Interesi i saj i vetëm është që të punojë nën drejtimin tim dhe të flasë në bazë të dëshirave të saja. Të jeni të sigurtë se Zhani do të respektojë çdo konfindicialitet.

Dëshira ime ishte më e madhe,  që të mund të vijmë së bashku me motrat këtë vit në Shqipëri. Shteti tregon një kujdes të mrekullueshëm për nevojat e gjithë popullit shqiptar, por është e pamundur ta ketë “gjithë dashurinë e ëmbël dhe kujdesin”.

Këtë do ta sjellim ne. Unë jam shqiptare dhe në këtë frymë, unë do ofroj dashurinë e ëmbël”.

Ju faleminderit për telegramin si dhe për lutjen dhe urimet që më dërgonit  për shërimin tim nga sëmundja që kalova.

Jam shumë e prekur nga mirësjellja juaj dhe i lutem Zotit t’ju japë bekimet e Tij, për Juve dhe familjen tuaj.

Ruani gëzimin e dashurisë për Zotin me njëri tjetrin dhe ndaheni këtë gëzim me të tjertë.

Zoti ju bekoftë

Nënë Tereza

Fjala e mbajtur nga Jorgo Melica para shfaqjes së filmit dokumentar kushtuar Nënë Terezës, realizuar nga Ana dhe Zhanete Petrie

Të dashur shokë dhe shoqe, mysafirë të nderuar.

Kjo ngjarje e shënuar na mblodhi sot së bashku: Kemi prej disa ditësh në Shqipëri, njeriun e thjeshtë por me punë të madhe në botë, Nënë Terezën dhe sot kemi edhe këtu në këtë shfaqje, filmin kushtuar jetës dhe kontributit të saj, në dobi të njerëzve të varfër, të mjeruar, të sëmurë dhe të pastrehë.

Nënë Tereza, kjo bamirëse e njohur shqiptare, mbajtëse e çmimit Nobel të Paqes, erdhi në Shqipëri me dëshirën dhe mallin për të parë vendin e vet të rilindur si dhe për të bërë homazhe në varret e familjes së saj në Tiranë.

Ajo është e njohur në vendin tonë dhe kudo në botë për meritat e mëdha të humanizmit, dashurisë për njeriun, sakrificat e saj deri në vetmohimin, për të ndihmuar dhe lehtësuar nga vuajtjet, sëmundjet, plagët e luftës, katastrofat e natyrës dhe nga njerëzit e thjeshtë.

Motoja e kësaj humanisteje të madhe ka qenë dhe mbetet: “Nuk ka rëndësi se sa bën dhe sa jep për të vobektit, rëndësi ka sa ndjenjë sinqeriteti dhe dashurinë e njeriut fut në veprimin tënd”.

Me një ndjenjë të tillë të fuqishme dashurie për njerëzit, Gonxhe Bojaxhiu, njohur më vonë me emrin Nënë Tereza, do të merrte udhëtimet e saj nga Qendrat e Bamirësisë në Kalkutën e mjerimit, për në qendrat e tjera të operimit e varfërisë në botë. Udhëtoi nëpër vendet e Amerikës Latine në Afrikë edhe në Europë e SHBA, duke falur sadopak padrejtësitë e mëdha të shoqërisë.

Ajo u përpoq kudo që shkoj, me veprimet e saj, me fjalën e thjeshtë dhe të mençur, të ndihmonte që njerëzit të ndjejnë dashuri e ofronin për miliona njerëz të varfër në botë dhe mungesën e kësaj ndjenje, ajo e konsideron si varfërinë më të madhe.

Për personalitetin e saj, kontributin e saj, më shumë do të mësojmë nga filmi që do të shfaqet tani.

Përfitoj nga rasti, që edhe në emrin tuaj, të uroj Nënë Terezën, që ditët e qëndrimit në Shqipëri të jenë sa më të dobishme dhe të gëzueshme, duke u ç’mallur me njerëzit dhe tokën e mëmëdheut dhe duke i uruar gjithnjë shëndet, jetë të gjatë dhe suksese në misionin e saj fisnik.

Ky film “Nënë Tereza” që është prodhuar nga regjizorja Ana Petrie dhe Zhanet Petri, e cila shoqëron në vendin tonë Nënë Terezën dhe është e pranishme edhe në këtë shfaqje, është shfaqur në shumë vende të botës dhe është nderuar me çmime të ndryshme.

Relacioni i misionit shqiptar në OKB për letrën e Nënë Terezës dërguar ministrit të Punëve të Jashtme, Reiz Malile

Misioni i Përhershëm

I Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë

Pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara

320 EAST 79th STREET

NEW YORK N.Y.10021

New York, me 8 tetor 1989

Prot.Nr.375

Lënda: Dërgohet letra e Nënë Terezës drejtuar sh. R. Malile

MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME

Tiranë

Bashkëlidhur ju dërgojmë letrën që Nënë Tereza i drejton ministrit të Punëve të Jashtme të RPS të Shqipërisë, Reis Malile. Letra është dorëzuar në misionin tonë nga Zhanete Petrie, shoqëruese e nënë Terezës gjatë udhëtimit të saj në Shqipëri./Memore.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës