Sipas hetueses së Kombeve të Bashkuara, Carla Del Ponte, në konfliktin sirian është përdorur gazi sarin nga rebelët kundër forcave qeveritare të Bashar Al Assad.

Në një intervsitë për televizionin zvicerian, ajo tha se ka dyshime të forta dhe konkrete, por ende jo për prova të padiskutueshme.

Del Ponte, e cila drejton Komitetin e Pavarur Ndërkombëtar te Hetimit për Sirinë, shpjegoi se hetuesit kanë qendruar në vendet fqinje, ku kanë marrë në pyetje viktimat apo edhe mjekët.

“Komiteti i OKB-së duhet të kryejë ende më shumë hetime në lidhje me përdorimin e armëvve kimike në Siri”, u shpreh ish-kryeprokurorja e Gjykatës për Krimet në ish-Jugosllavi.

Por ajo nuk dha ndonjë detaj se kur dhe ku mund të jetë përdorur gazi sarin në Siri.

Komisioni që drejtohet nga Del Ponte është ngritur në gusht të vitit 2011 dhe ka si objektiv të pare shqyrtimin e shkeljes së të drejtave të njeriut në Siri, që prej fillimit të konfliktit sirian në Mars të vitit 2011.

(l.ç/v.gj/shqiptarja.com)