Fondet e dhëna nga Bashkimi Evropian për bujqësinë në Shqipëri gjatë viteve 2014-2020 janë bërë objekt hetimesh nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi se si masë parandaluese, ka vendosur ndërprerjen e përkohshme të fondeve për zbatimin e programit IPARD II. Në një reagim zyrtar, Ministria e Bujqësisë pranon se kanë nisur hetimet, por i konsideron si procedurë normale, ndërsa kërkon që kjo çështje mos të përdoret politikisht.

“Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II. Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II'- thuhet në reagim.

Në deklaratë, theksohet se hetimi i Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit, OLAF, është në vazhdim. Zyra e BE në Tiranë, thekson se pasi të dorëzohet raporti përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e hetimit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian.

'Komisioni Evropian nuk mund të komentojë mbi asnjë gjetje të mundshme të OLAF-it për zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri. Hetimi i OLAF-it vazhdon. Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian.”, thuhet në përgjigje.

Programi IPARD është mbështetja financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural nga fondet e BE-së, në masën 75% dhe qeverisë shqiptare në masën 25%.

Zbatimi i programit është përgjegjësi e Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, AZHBR. Programi Ipard II, ka një fond total prej 94 milionë eurosh të ndarë sipas viteve nga 2014 deri në vitin 2020.

Financimet në masën 71 milionë euro nga BE, dhe 23 milionë euro nga shteti shqiptar, janë dhënë për investime në asetet fizike në fermat bujqësore, investime në asetet fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe peshkimit, diversifikimin e fermës dhe zhvillimi biznesit dhe asistencë teknike në këto sektorë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:35
Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi: Vendimi i BE, goditje e rëndë që ka marrë vendi! Edhe drejtësia këtu të hetojë

 

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi thotë se vendimi I BE për të pezulluar fondet për bujqësinë, është një goditje e rëndë që ka marrë jo vetëm sektori, por edhe integrimi. 

“Vendimi i BE, për të pezulluar financimin e bujqësisë dhe fermerëve shqiptarë për shkak të korrupsionit qeveritar, është një prej goditjeve më të mëdha që ka marrë vendi në rrugen e integrimit europian, në dekadën e fundit. BE ka vedosur gjithnjë kushte dhe kritere, ka ushtruar presion ndaj autoriteteve duke kërkuar standarde dhe demokraci. Por ky është nga rastet e rralla që pezullohet një projekt, ndalohen fondet aq të nevojshme për bujqësinë tonë, për shkak se qeveritaret, zyrtarët, ministrat, pra qeveria e Edi Ramës, vjedh. Vjedh në këtë rast paratë që vijnë nga taksapaguesit europianë. Ky akt i BE që vjen pas një hetimi të gjatë që ata vetë kanë bërë, tejkalon çdo analizë, çdo raport progresi, çdo lëvdatë e formalizëm, dhe tregon gjendjen reale, nxjerr haptazi në dritë si funksionon qeveria e Edi Ramës, ku drejtuesit dhe ministrat e tij, duan para në dorë për çdo projekt.” Shkruan Bardhi. 

Sipas tij, pas hetimit të BE drejtesia jonë duhet të vinte para përgjegjesisë penale, Ministren e Bujqësisë. 

“Pas këtij hetimi të BE, gjëja më normale do të ishte që drejtesia jonë të vinte para përgjegjesisë penale, Ministren e Bujqësisë, e cila para se të promovohej nga Rama ka qene shefe e AZHBR, direkt përgjegjese për fondet bujare të BE që janë abuzuar këtu. Është e papranueshme që fermerët e bujqit tanë punëtorë e të varfër, të ndëshkohen për hajdutërinë e qeverisë së Edi Ramës. Teksa nuk ju gjendet në krah, kjo qeveri u bën edhe më keq, duke ndaluar kështu një projekt jetik si IPARD, për shkak të vesit që Rama dhe të tijtë kanë për të vjedhur. Pas ketij vendimi të BE, nuk ka më asnjë justifikim për Kryeministrin, asnjë fjalim të dalë boje për përgjegjësi personale. Ai është i rrethuar nga të korruptuar nga bujqësia te financat, nga mbrojtja te diplomacia, nga shëndetësia te punët publile, e në çdo sektor të qeverisjes. Sepse, ai vetë është në krye, është bosi i korrupsionit.”, shprehet kreu I Grupit të PD, Gazment Bardhi.

Ora 18:33
Pezullimi i fondeve të BE për Bujqësinë, Meta: Shkak korrupsioni shpërthyes, do ketë pasoja edhe më të rënda 

1688043042_meta.jpg

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta thotë se ndihma financiare e BE për bujqësinë u ndërpre për shkak të korrupsionit. Meta thotë se kapja e shtetit do të sjellë pasoja edhe më të rënda. 

“Sikur të mos mjaftonte deri tani nënfinancimi në ekstrem i bujqësisë nga Buxheti i Shtetit, duke e renditur vendin të fundit në rajon dhe Europë dhe sidomos me një diferencë skandaloze të mbështetjes krahasuar me fqinjët, tani bujqësisë se rrënuar në mbijetesë i ndërpritet edhe ndihma financiare nga Bashkimi Europian për shkak të korrupsionit shpërthyes. Kapja totale e shtetit dhe drejtësia me regji do të sjellin pasoja edhe më të rënda për vendin dhe qytetarët tanë sepse korrupsioni dhe pushteti me çdo cmim janë të vetmet qëllime të "Rilindjes”, shkruajti Meta.

Ora 18:29
Pezullimi i fondeve për Bujqësinë, Basha: Kjo qeveri nuk ndalet se abuzuari as me fondet e BE, SPAK të hetojë korrupsionin

1688713111_lulzimbasha.jpg

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pezullimin e fondeve IPARD II për bujqësinë nga KE. Për Bashën, ku pezullim tregon se si kjo qeveri nuk ndalet se abuzuari as me fondet e BE. Ai i bën thirrje SPAK që të hetojë këto skemat korruptive, ndërsa thekson edhe njëherë propozimin e tij që të gjithë politikanët duhet t’i nënshtrohen vetting-ut, hetimit të pasurive të tyre dhe familjarëve të tyre si dhe marrëdhënieve me persona të botës së krimit.

“Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë, duhet t’u kthehen shqiptarëve! Ky duhet të jetë hapi i dytë i domosdoshëm pas hetimit dhe dënimit të personi që ka abuzuat me fondet publike.  Është e domosdoshme të kryhet hetimi pa asnjë përjashtim i kontratave koncesionare dhe i pasurive të çdokujt që është përfshirë në hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, nga juristi i thjeshtë tek kryeministri.

Pezullimi i granteve për bujqësinë të programit IPARD nga ana e Komisionit Europian tregon se si kjo qeveri nuk ndalet se abuzuari as me fondet e BE. SPAK duhet të hetojë pa humbur kohë skemat korruptive. E zhytur në skandale korruptive kjo mazhorancë arrin deri në dhunimin e parlamentarizmit vetëm për të kontrolluar edhe Akademin e Shkencave.

Të gjithë politikanët duhet t’i nënshtohen vetting-ut, hetimit të pasurive të tyre dhe familjarëve të tyre si dhe marrëdhënieve me persona të botës së krimit. Shqipëria e ka jetike ndryshimin dhe këtu nuk bëhet fjalë për ndryshim karrigesh, por ndryshimin e sistemit dhe rritjen e kontrollit dhe llogaridhënies. Krahas mbështetjes për SPAK, për të hetuar deri në fund aferën korruptive të Inceneratorëve, ku është zhytur e gjithë qeveria dhe aferave të tjera që janë nën hetim - duhet të rrisim fuqinë e qytetarëve në vendimmarrje dhe të Parlamentit në kontrollin e qeverisë.

Për këtë arsye:

Duhet të ndryshojmë formulimin e Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit;

Numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti;

Heqjen e kontrollit politik ndaj punonjësve të administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë;

Zgjedhjen e drejpërdrejt të Presidentit nga populli, si mbartës dhe balancues i pushteve.

Aleanca Qytetare për Demokracinë do të formësojë një mazhorancë reformuese duke nisur me:

Listat e hapura;

Vetting-un në politikë;

Kufizimin e mandateve;

Votën e diasporës.

Ne duhet të bëjmë gjithçka që t’u japim forcë dhe pushtet qytetarëve që ata të vendosin për të ardhmen e tyre, duke u kthyer atyre besimin te vota dhe politika", shkruan Basha. 

Ora 16:41
KE pezulloi fondet për bujqësinë në Shqipëri, reagon Ministria: Puna s’është ndërprerë, programi vazhdon

 

Fondet e dhëna nga Bashkimi Europian për bujqësinë në Shqipëri gjatë viteve 2014-2020 janë bërë objekt hetimesh nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit. Por lidhur me këtë pretendim, ministria e Bujqësisë thuhet se puna dhe projektet vazhdon.

“Nisur nga disa publikime mediatike sqarojmë publikun, por sidomos fermerët dhe agropërpunuesit në lidhje me procesin e mbështetjes nga programi IPARD:

Programi i mbështetjes nuk eshte ndërprerë. Puna vazhdon, programi vazhdon.

Autoritetet shqiptare janë vënë në dijeni të një pezullimi të faturës aktuale të rimbursimit nga DG AGRI për një pjesë të shpenzimeve te radhës. Ky është një proces krejtësisht administrativ që lejon riverifikimin e sistemeve të kontrollit nga strukturat e akredituara të cilat do të marrin masat e nevojshme me qëllim vijimin normal të rimbursimit nga BE. Keto janë procedura normale të Bashkimit Europian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara.

Të gjithë strukturat shqiptare janë në bashkëpunim dhe në koordinim të vazhdueshëm me zyrën e OLAF dhe DG AGRI duke ofruar transparencë të plotë, sikurse kanë vepruar nga dita e parë e akreditimit, të të gjithë proceseve kontrolluese, hetuese dhe administrative të ndjekura deri më sot apo që mund të aktivizohen në të ardhmen.

Procesi i akreditimit të programit IPARD ka nisur prej më shumë se 10 vjetësh dhe zbatimi ka mundur te nis vetëm në fund të vitit 2018 pas akreditimit te strukturave operuese në perputhje me Marrëveshjen Kuadër, Sektoriale dhe Financiare te ratifikuar në Parlamentin shqiptar. Prej vitit 2018 programi ka sjelle një transformim rrënjësor të proceseve prodhuese e përpunuese në vendin tonë si dhe në rritjen e ekspertizës teknike të stafit vendas.

Si çdo mekanizem financiar, programi shqyrton, kontrollon dhe zbaton projekte në perputhje me rregulla të mirëpërcaktuara e të miratuara nga Bashkimi Europian të cilat kontrollohen dhe auditohen vazhdimisht nga struktura të brendshme e të jashtme. Nëse vërehen shkelje, programi përcakton strukturat operuese që marrin masa dhe veprohet në përputhje me procedurat ligjore të parashikuara ashtu sikurse veprohet në cdo strukturë të ngjashme në vendet e Bashkimit Europian.

Kjo është një punë e përditshme ku të gjithë institucionet e akredituara punojnë bashkarisht nq respekt të rregullave të BE-së për të përmirësuar hallka të ndryshme administrative të funksionimit në shërbim të suksesit të programit duke u përballur me sfidat e implementimit në sektorin bujqësor, ndaj është e rëndësishme që një program për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë rurale të mos bëhet objekt i konsumit politik.

Programi IPARD është një gur themeli për zhvillimin e bujqësisë shqiptare, rezultatet e të cilit i ka ndjerë zhvillimi i sektorit që reflektohet sot në indikatorë të rëndësishëm performance pozitive. Ky rezultat ka ardhur si pasojë e punës së jashtëzakonshme të përbashkët me fermerë e agropërpunues si edhe të punonjësve të strukturave në Shqipëri dhe në Bruksel.

Vetëm në këtë mënyrë kemi garantuar rezultate të prekshme duke mundësuar 85 pika grumbullimi, mbi 40 fabrika përpunimi agro ushqimore, mbi 130 investime në mekanikë bujqësore dhe shtim sipërfaqesh të mbjella, mbi 50 investime në subjekte agroturistike, mbi 30 investime në stalla e ferma blegtorale, mbi 40 investime në kantina dhe vreshta, mbi 85 investime në sera, investime në energji të rinovueshme etj, me impaktin direkt të krijimit të mbi 5000 vende të reja pune.

Jemi krenarë për punën e bërë, programi vazhdon dhe të gjithë strukturat e akredituara ne zbatim te tij janë në partneritet të plotë me partnerët europianë për të mundësuar mbarëvajtje të suksesshme në të mirë të vendit.”- thuhet në reagimin e ministrisë

Ora 14:22
KE pezulloi përkohësisht fondet për bujqësinë, Kryemadhi: Drejtësia vonon por nuk harron! Tani reston e kanë ata që ngjyen gishtin në inceneratorë

1689769577_monika.jpg

“Drejtësia vonon por nuk harron!” Ky është reagimi i deputetes së Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi, në lidhje me pezullimin e fondeve për bujqësinë shqiptare nga BE.

Përmes një postimi në facebook kujton se opozita e kishte ngritur zërin që në maj të 2022 për abuzimet me fondet dhe se tani e kanı radhën ata që abuzuan me inceneratorët.

“Kur ka opozitë të pa blerë dhe luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, ka gjithmonë shpresë për shqiptarët. Vendimi i BE për fondet e bujqësisë ishte i ditur, i denoncuar prej meje qysh në Maj 2022. Kush ka ngjyer gishtin me incenerarorët do të marri edhe reston. Bye..”

Ora 14:03
Pezullimi i fondeve të bujqësisë nga BE/ Berisha: Të hetohen edhe projektet e infrastrukturës

1689766736_saliberisha.png

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar pezullimin e fondeve IPARD II për bujqësinë nga KE. Berisha thotë se janë pezulluar për shkak të vjedhjes, ndërsa i bën thirrje BE që të hetojë edhe fondet që jepen për infrastrukturën.

“Sot njoftohet se Komisioni Europian pezulloi për shkak të korrupsionit, fondet për bujqësinë shqiptare. Për shkak të vjedhjes dhe shpërdorimit nga kleptokratë të parave të BE që janë jetike për bujqësinë shqiptare. Por këto para shpërdorohen dhe vidhen nga agjencitë qeveritare shqiptare. Ndaj na del edhe Akademia e Çobanëve tani dhe Materniteti i Mushkave.

Por nuk është vetëm kjo vjedhje, unë i bëj thirrje Komisionit Europian, në interesin më të mirë të shqiptarëve, por edhe të taksapaguesve europianë, të hetojnë çdo projekt në infrastrukturë në Shqipëri dhe janë jo të pakta. KE ka financime të mëdha. Bajpasi i Vlorë është krejtësisht vepër e tyre dhe shume projekte të tjera. Pra, është një lajm i mirë kjo, optimist për shqiptarët, sepse institucioni hetimor i BE veproi dhe vendosi. Është e rëndësishme shumë që të dalë në pah i gjithë korrupsioni shqiptar në përmasat e tij”, tha Berisha.