Një delfin gjendet i ngordhur në bregdetin e Velipojës me një dëmtim në sy që mendohet se ka ndodhur nga varkat e peshkatarëve. Kohët e fundit shumë delfinë janë parë në detin Adriatik, ku ditën e sotme një delfin i gjallë po shëtiste në bregdetin e Velipojës. Për këtë Administrata e Zonave te Mbrojtura në Shkodër kanë apeluar për ruajtjen e tyre dhe kujdes maksimal si nga peshkatarët dhe turistët, pasi janë një vlerë e shtuar dhe tepër e rrallë në ujërat shqiptare.
Prej dy ditësh vihet re prezenca e delfinëve në detin Adriatik, Velipojë, konkretisht në Rrjoll dhe Vilun! Ditën e djeshme punonjësit tanë vunë re një delfin rreth 6-7 m larg bregut, që dukej i pajetë, për këtë e nxorën në breg për t’i bërë matje dhe për të parë nëse ka dëmtime të jashtme që mund të lidhen me ngordhjen e tij!
"Pas verifikimeve u dallua një shenjë në njërin sy! Mendohet se mund të jetë dëmtuar nga varka të peshkatarëve në det! Sot, nga disa xhirime, u pa sërish në Vilun një delfin i gjallë! Me këtë rast, ju bëjmë thirrje për kujdes të gjithëve, kryesisht peshkatarëve dhe pushuesve në bregdetin e Velipojës. Specie të tilla jo vetëm janë bukuri e jashtëzakonshme, por edhe shumë të rralla në ujërat tona", thuhet në njoftimin e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Shkodër.