Një tufë delfinësh ka mahnitur turistët në Gjirin e Vlorës, duke dhuruar një spektakël natyror mes ujërave të kristalta ku bashkohen Adriatiku dhe Joni.

Pamjet,të cilat i ka ndarë në rrjet edhe kryetarja e bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, janë filmuar gjatë një udhëtimi me gomone drejt ishullit të Sazanit, ndërsa delfinët prijnë drejt horizontit me kërcimin e tyre lozonjar duke lënë pa fjalë turistët.

Vlora vijon të jetë një nga destinacionet më të frekuentuara të verës, ndërsa pamje të tilla po shihen gjithnjë e më shpesh në ujërat e saj sidomos në ditët kur deti është i qetë. Prania e delfinëve është kthyer në një nga surprizat më të bukura për turistët që zgjedhin të eksplorojnë bregdetin e bukur shqiptar me gomone ose mjete të tjera lundruese.