Delta dhe mosvaksinimi zmbrapsin përparimin në SHBA

Delta dhe mosvaksinimi zmbrapsin përparimin në SHBA

Foto ilustruese

Numri i të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara është kthyer në nivele që nuk janë parë që nga dimri i kaluar. Zyrtarët thonë se rritja e numrit të rasteve është duke u nxitur nga varianti më ngjitës Delta i koronavirusit dhe rezistenca midis disa amerikanëve për t'u vaksinuar.

Bilanci ditor sillet mesatarisht në mbi 1,800 viktima dhe 170,000 raste të reja të të infektuarve.

Ndonëse shumë nën kulmin e rreth 3,400 viktimave dhe 250,000 rasteve në ditë sa ishin në janar, shifrat janë duke zemëruar udhëheqësit e kujdesit shëndetësor, në kohën kur kanë kaluar nëntë muaj nga nisja e fushatës së vaksinimit.

Derisa shifrat në pikat e nxehta, si Florida dhe Luiziana, janë duke u përmirësuar, nivelet e infeksionit janë duke u rritur në Kentaki, Xhorxhia dhe Tenezi, kryesisht për shkak të kthimit të fëmijëve në shkolla, përdorimit të paktë të maskës dhe niveleve të ulëta të vaksinimit.

Zyrtarët thonë se spitalet janë mbushur me pacientë të pavaksinuar dhe paralajmërojnë mungesa të shërbimeve jashtë koronavirusit.

Profesionistët shëndetësorë thonë se janë të zemëruar me atë që e shohin si problem të parandalueshëm.

“Problemi është se ne jemi përpjekur t’i edukojmë njerëzit duke u bazuar në shkencë, por unë mendoj se shumica e edukimit që po bëhet tani, bazohet në tragjedi, tragjedi personale”, thotë Ryan Stanton, mjek i urgjencës në Leksington të Kentakit.

Në Kentaki, 70 për qind e spitaleve të shtetit janë duke raportuar mungesa kritike të stafit.

Në shtetin e Nju Jorkut gjendja paraqitet më e mirë, për shkak të niveleve më të larta të vaksinimit.

Dritat e teatrit Broadway në qytetin e Nju Jorkut janë ndezur sërish, pas një fikjeje të paparë prej 18 muajsh, të shkaktuar nga pandemia.

Muzikalet Hamilton, The Lion King dhe Wicked u dhanë të martën në salla të mbushura plot.

Broadway ka qenë një nga institucionet e para në SHBA që është mbyllur kur ka filluar pandemia e koronavirusit në mars të vitit 2020 dhe është një nga të fundit që rihapet, pasi teatrove u janë dashur muaj për të përmirësuar sistemet e filtrimit të ajrit dhe për të gjetur mënyra se si të mbajnë distancën e publikut nga skena.

Rihapja do të thotë që mijëra aktorë, skenikë, muzikantë dhe valltarë në rreth 40 teatro, janë kthyer në punë. Të gjithë ata dhe shikuesit duhet të kenë dëshmi të vaksinimit të plotë dhe të mbajnë maska gjatë shfaqjeve.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi. Mbi 41 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 663,000 kanë humbur jetën.

Deri më tash, sipas të dhënave nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, mbi 62 për qind e amerikanëve janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit.

Javën e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka shpallur masa të reja kundër koronavirusit, që kërkojnë nga punëtorët në kompani të mëdha të vaksinohen.

Masat, mes tjerash, parashohin vaksinime të detyrueshme për të gjithë punonjësit federalë dhe kontraktorët federalë.

Kundërshtarët e presidentit nga Partia Republikane kanë paralajmëruar se do ta padisin administratën Biden, për të parandaluar detyrimet për vaksinim./REL

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona