Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Delvinë, ku një vajzë 12-vjeçare u transportua me urgjencë drejt Tiranës pasi ka konsumuar një sasi tabletash të llojit “Deparkin” një medikament që përdoret zakonisht nga persona që vuajnë nga sëmundja e Parkinsonit.
E mitura u dërgua fillimisht nga familjarët në urgjencën e spitalit të Sarandës në gjendje të rënduar shëndetësore. Sipas dëshmisë së familjarëve, ata e kanë gjetur vajzën pa ndjenja në banesë dhe e kanë transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore.
Mjekët e spitalit të Sarandës konfirmuan se pas analizave të para, rezultoi se 12-vjeçarja kishte konsumuar disa tableta që i përkisnin një anëtari të familjes.
12-vjeçarja nga Delvina, që u transportua me helikopter në QSUT ndodhet aktualisht në reanimacion te Toksikologjia. Ajo është në gjendje të qëndrueshme, por mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor.
Sipas burimeve të Report Tv nga spitali, 48 orët e ardhshme do të jenë kritike për vlerësimin e plotë të gjendjes së saj. Vajza ka konsumuar një sasi tabletash “Deparkin”, një medikament i përdorur për trajtimin e sëmundjes së Parkinsonit.
Komente











