Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, tha para Kuvendit të Kosovës se kriza e zgjedhjes së presidentit po i bën dëm Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, ndërkombëtarët nuk i kuptojnë arsyet dhe kjo e bën vendin të duket i dobët dhe i paaftë të ndërtojë institucionet.
“Po i bëhet një dëm shumë i madh dhe serioz Kosovës. Prej vështrimit tonë të brendshëm, demokracisë vibrante, mund të shihet prej një aspekti pozitiv që kemi krijuar një shtet që përballon paqëndrueshmëritë, por ky nuk është kontribut i asnjë partie, kanë kontribuar breza të tërë. Është amaneti i dëshmorëve në fund të fundit. Në planin ndërkombëtar, dëmi është katastrofal. Në çdo takim, pyetja e parë është ç’po ndodh me krizën në Kosovë? Pse nuk po e zgjidhni presidentin? Nuk i kuptojnë arsyet, për ta është e pakonceptueshme. Kjo ka dëm të madh sepse Kosova fillon të konceptohet si një shtet që ka probleme serioze në ndërtimin e institucioneve të veta. Unë nuk di çfarë kuptimi ka ky qëllim që Kosova të duket si shtet i dobët, me qeveri me legjitimitet me probleme, me sfida, pa parlament. Në imagjinatën e kujt është kjo?”, përfundoi Konjufca.
Lajmi kryesor:
Nuk ka zgjidhje për presidentin e Kosovës, opozita bojkoton sërish Kuvendin! Dy kandidaturat e reja të Vetëvendosjes votohen me 64 deputetë











