Debati politik për arkivolin e vendosur para Kryeministrisë gjatë protestës së të shtunës ka vazhduar edhe këtë të dielë. Pas reagimeve të kryeministrit Edi Rama, i cili e krahasoi simbolikën e arkivolit me ngjarjet e 14 Shtatorit 1998, dhe ministrit Taulant Balla, që e cilësoi atë një akt të papranueshëm, ka reaguar edhe ministri i Jashtëm Ferit Hoxha

Përmes një postimi në rrjetet sociale Ministri shpreh keqardhje për transformimin e protestës "nga flamingot tek arkivoli" dhe se idea e rikthimit të një Shqipërie deja vu, është e papranueshme 

Postimi i plotë i Ministrit Ferit Hoxha

"Nga flamingot te arkivoli.

Nga mbrojtja e mjedisit te gjyqi publik.

Nga shqetësimi qytetar te papërgjegjshmëria.

Nga protesta paqësore te dhuna.

Nga vizioni për një Shqipëri të Re te rikthimi i një Shqipërie déjà vu - të vjetër, të kapërcyer dhe të papranueshme.

Quo vadis?

Demokracia, liria dhe të drejtat nuk janë të dhëna. 

Ato janë fituar me mund, sakrifica dhe përgjegjësi. Janë fryt i dialogut, jo i intimidimit; i urtësisë dhe pjekurisë shoqërore, jo i imponimit.

#Shqipëria2030, ajo që ëndërronim e që duam, anëtare e Bashkimit Evropian, më e zhvilluara ndonjëherë, më demokratike dhe më e arritura në historinë e saj, mund dhe do të ndërtohet vetëm me punë, vizion dhe përkushtim. 

Me rininë, me atë që sheh vetëm përpara, për të ndërtuar, sepse kemi ende shumë për të bërë.

Bashkë!"