Këshilli Bashkiak i Këlcyrës sapo ka refuzuar me unanimitet të plotë draftin e dërguar nga Qeveria Shqiptare për shkrirjen e kësaj bashkie dhe kalimin e saj në varësi të Bashkisë së Përmetit.
Në mbledhjen e këtij këshilli ishin të pranishëm të 15 anëtarët e tij, të cilët njëzëri votuan kundër argumenteve të paraqitura në draftin qeveritar, që parashikon shkrirjen e kësaj bashkie.
Ndërkaq, në mbledhjen e jashtëzakonshme të këtij organi, këshilltarët socialistë dhe demokratë njëzëri u kanë bërë thirrje këshilltarëve të Këshillit Bashkiak të Përmetit që të mos miratojnë draftin e qeverisë, i cili kërkon bashkimin e Bashkisë së Këlcyrës me atë të Përmetit. Sipas tyre, në këtë mënyrë konkretizohet papajtueshmëria e të dyja palëve për të qenë pjesë e një bashkie të vetme.
Edhe në Klos këshilltarët u shprehën unanimisht kundër bashkimit me Bashkinë Mat, duke deklaruar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar vendimin, pa përjashtuar edhe organizimin e protestave.
Kryepleqtë e 9-fshatrave në Fushë-Arrëz u mblodhën sot pranë Kishës së Fierzës për të kundërshtuar bashkimin me Pukën. Ata paralajmëruan se do i bashkoheshin protestës së banorëve të Fushë-Arrëzit, që është paralajmëruar të zhvillohet të premten.
Protesta u zhvilluan edhe në Divjakë për ditën e 6-ë, ku banorët e zonës kundërshtuan njëzëri bashkimin me bashkinë e Lushnjës, me pretendimin se do të kenë vështirësi në marrjen e shërbimeve.
Këshilli Bashkiak i Klosit u mblodh të enjten për të diskutuar mbi propozimin e mazhorancës socialiste për reformën territoriale e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat. Në mbledhje morën pjesë këshilltarët bashkiakë, drejtues vendorë dhe dhjetëra banorë të zonës
Gjatë diskutimeve, këshilltarët u shprehën unanimisht kundër bashkimit me Bashkinë Mat, duke deklaruar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar vendimin, pa përjashtuar edhe organizimin e protestave.
Në mbledhje mori pjesë edhe kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, e cila bëri të ditur se projekt-propozimi i reformës ka mbërritur në bashki dy ditë më parë. Ajo sqaroi se dokumenti parashikon një periudhë 60-ditore konsultimi publik, gjatë së cilës do të zhvillohen dëgjesa me qytetarët në të gjitha njësitë administrative të bashkisë. Kryebashkiakja Kola theksoi se do të jetë në krah të banorëve dhe se do të përfaqësojë vullnetin e tyre në çdo fazë të procesit, duke garantuar se qëndrimi i Bashkisë Klos do të bazohet te mendimi i komunitetit.
Në përfundim të mbledhjes u bë e ditur se në ditët në vijim do të nisin dëgjesat publike në të gjithë territorin e Bashkisë Klos, ku qytetarët do të kenë mundësi të shprehin qëndrimin e tyre lidhur me reformën administrativo-territoriale.
Banorët e njësisë administrative Fierzë, në bashkinë Fushë-Arrëz, kundërshtojnë bashkimin me Pukën, sipas draftit të propozuar nga Partia Socialiste.
Kryepleqtë e nëntë fshatrave u mblodhën sot në vendin tradicional të kuvendeve, pranë Kishës së Fierzës, nga ku i bënë thirrje qeverisë të rishikojë vendimin për bashkimin e Fushë-Arrëzit me Pukën. Sipas tyre, ky riorganizim do t'i largojë edhe më shumë shërbimet nga banorët e zonës.
Njësia administrative Fierzë ndodhet rreth 100 kilometra larg qytetit të Pukës. Banorët e kësaj zone, nga e cila prodhohet një pjesë e rëndësishme e energjisë elektrike për vendin, shprehen se prej 30 vitesh janë lënë në harresë nga qeveritë e ndryshme. Ata theksojnë se degradimi i vazhdueshëm i sistemit arsimor dhe atij shëndetësor ka ndikuar drejtpërdrejt në largimin masiv të popullsisë.
Kryepleqtë e fshatrave të Fierzës deklaruan se do t'i bashkohen protestës së thirrur nga Bashkia Fushë-Arrëz, e cila do të zhvillohet të premten, në orën 17:00. Edhe bashkia kundërshton draftin e propozuar për bashkimin me Pukën.
Banorët e Divjakës janë ngritur për të gjashtën mbrëmje ditën e djeshme në protestë kundër propozimit të PS për hartën e re territoriale.
Divjakasit janë të vendosur të vazhdojnë të shprehin kundërshtinë e tyre për shkrirjen e bashkisë Divjakë me bashkinë Lushnje, e cila parashikohet në propozimin e paraqitur nga PS.
Në fjalimet e mbajtura gjatë protestës, përveç kundërshtisë me reformën territoriale, banorët kërkojnë mbështetjen e deputetëve që kanë marrë votat e tyre si majtas dhe djathtas që shkrirja e bashkisë Divjakë të mos realizohet.
Gjithashtu ata janë shprehur se do të vijojnë protestën derisa qeveria të anulojë projektin për bashkimin e Divjakës me Lushnjen.
“I bëj thirrje të gjithëve, nëpër kafene apo kudo që janë ulur rreth nesh, mos të rrinë nëpër lokale, por të na shoqërojnë, sepse bashkimi bën fuqinë”, ka thënë një prej protestuesve.
“Divjaka bashki! Mos ma prek Divjakën”, tha një tjetër protestues.
Në përfundim protestuesit vazhduan ritualin e përnatshëm duke marshuar rrugëve të qytetit të Divjakës me thirrjet 'Divjaka bashki'.










Komente
Komento