TIRANE - Komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian Stefan Fyle gjatë aktivitetit të zhvilluar dje  në Tiranë për integrimin, zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, nxitjen e qytetarëve për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe debat, ka shmangur takimin me liderët kryesorë të politikës në vend.

Në ndryshim nga të gjithë herët e tjera që Fyle ka ardhur në Shqipëri për të qetësuar politikën shqiptare apo për të dhënë mesazhet që kanë dalë nga Bashkimi Evropian, këtë radhë ai nuk ka preferuar të takojë sa kreun e mazhorancës Berisha, i cili ligjërisht është i ngarkuar për të përgatitur zgjedhjet e 23 qershorit e për pasojë mban përgjegjësinë kryesore, si dhe nuk ka takuar as kreun e opozitës i cili më se njëherë është ankuar në BE dhe te vetë Fyle për mundësinë e manipulimit të zgjedhjeve nga ana e kryeministrit Berisha.

Duke dhënë një sinjal të qartë se është në dorën e tyre tani e tutje për të zbutur situatën në Shqipëri dhe për të përballuar zgjedhjet sipas standardeve më të larta evropiane dhe pa asnjë hapësirë për kontestim të rezultatit të tyre.

Nga ana tjetër mësohet se injorimi i krerëve të politikës shqiptare nga ana e Fyle është bërë dhe në kushtet e mungesës së dialogut mes tyre, vënia e axhendës partiake mbi atë kombëtare, tonet nacionaliste dhe shmangja e institucioneve të shtetit për zgjidhjen e problemeve aktuale për vendin.

Por me sa duket kjo nuk është përcjellë mirë nga ana e demokratëve, të cilët kanë bojkotuar tërësisht "Just BE" konferenca që Bashkimi Europian organizoi në Tiranë me qëllim nxitjen e qytetarëve për të luajtur një rol sa më aktiv në procesin e integrimit duke rritur llogaridhënien e përfaqësuesve politikë.

Kështu, ndonëse komisioneri Fyle në fjalën e tij hapëse u drejtua me fjalet “e dashur ministre, shkëlqesi dhe të nderuar deputetë pjesëmarrës” në sallë nuk ishte as ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, as deputetët anëtarë të delegacionit të vendit tonë në Parlamentin Evropian, Fatos Beja, Ilir Rusmali, Arenca Troshani, Shpëtim Idrizi dhe Kastriot Islami, as nënkryetarja e komisionit të Integrimit Mesila Doda.

Ndërsa pjesa e PS kishte pjesëmarrje të plotë, duke filluar me kreun e komisionit të integrimit Ditmir Bushati, kryetaren e komisionit të mediave Valentina Leskaj, deputetët Taulant Balla, Mimi Kodheli dhe Eduard Shalësi. Nga mazhoranca në këtë konferencë ishte vetëm shefi i marrëdhënieve me jashtë në LSI, Ralf Gjoni.

Burime zyrtare nga ana e zyrës së Bashkimit Evropian në Shqipëri konfirmojnë se ka pasur ftesë për ministren e integrimit Bregu, por dhe për të gjithë deputetët anëtarë të delegacionit të Shqipërisë në Parlamentin Evropian.

Nga ana e saj, përmes burimeve zyrtare Ministria e Integrimit na bën me dije se axhenda shumë e ngarkuar e Bregut bëri që të mos ishte pjesëmarrëse në atë konferencë të rëndësishme të organizuar nga BE, ndërkohë që deputetët s’kanë preferuar të komentojnë refuzimin e pjesëmarrjes në konferencën e Fyles.

Nga ana tjetër komisioneri i BE Stefan Fyle, kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian Eduard Kukan të shoqëruar dhe nga ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi kanë zhvilluar një takim me ministren e Integrimit Majlinda Bregu në zyrën e saj, me të cilën është diskutuar për integrimin e vendit.

Mësohet se Bregu ka deklaruar dhe njëherë se opozita refuzon të miratojë tre ligjet që janë kusht për integrimin, ndërsa qeveria është e angazhuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mësohet se Fyle, Kukan e Sequi kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesin e PS Ditmir Bushati, me të cilin janë diskutuar problemet që kanë të bëjnë me zgjedhjet, duke shfaqur shqetësimin e opozitës se ato janë në rrezik për shkak të përpjekjeve për manipulim nga ana e qeverisë së Berishës.

BUSHATI DREKE ME FYLE, KUKAN E SEQUIN

Komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian Stefan Fyle, kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore Eduard Kukan dhe ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi kanë drekuar dje me kreun e komisionit parlamentar të Integrimit, deputetin e PS, Ditmir Bushati.

Mendohet se ata kanë diskutuar në lidhje me situatën në Shqipëri, për angazhimin e ndërkombëtarëve në vëzhgimin e zgjedhjeve, për shkak të sinjaleve që Berisha ka dhënë se po përpiqet të ndërhyjë në procesin zgjedhor, si dhe axhendën e integrimit të PS menjëherë pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

Menjëherë pas drekës me Bushatin, Fyle, Kukan dhe Sequi janë takuar në zyrën e saj me Ministren e Integrimit Majlinda Bregu. Më herët, deputeti i PS Bushati tha se kambana e BE s’po dëgjohet.

“Besoj se jemi në limitet ku ne mund t’i japim një drejtim tjetër vendit, që duhet të konkretizohej me statusin e bisedimet për anëtarësim. Dhjetori duhet të jetë muaj vendimtar për pozicionin që do marrin institucionet evropiane”, deklaroi Bushati.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptaja.com (print) 26.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)